Tavo në Vatikan, marrëveshje bashkëpunimi në shëndetësi

476
Sigal

Shqipëria dhe Vatikani kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme të shëndetësisë, si mbështetje në drejtim të diagnostikimit, menaxhimit spitalor dhe trajnim stafi, etj.. Marrëveshjet janë nënshkruar gjatë vizitës zyrtare të ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, në Vatikan. Tavo ka nënshkruar marrëveshjen për realizimin e planit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë,  Fakultetit të Mjekësisë dhe Kirurgjisë “A.Gemelli”, Poliklinikës Universitare “A.Gemelli”dhe spitalit pediatrik “Bambino Gesu”, në Vatikan. Dy institucionet e Selisë së Shenjtë janë qendra të njohura në të gjithë Evropën për trajtimin e patologjive komplekse dhe qendra formimi dhe kërkimi në teknologjinë e lartë bio-mjekësore. Sipas kësaj marrëveshjeje, pala italiane angazhohet të ofrojë mbështetjen e nevojshme për palën shqiptare, në zbatimin e protokolleve diagnostike dhe terapeutikë, referuar patologjive komplekse si dhe në zhvillimin e projekteve për trajnimin e personelit mjekësor dhe infermieristik. Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë do të përcaktojë fushat e bashkëpunimit për të cilat Poliklinika Universitare “A.Gemelli” mund të ofrojë konsulencë dhe mbështetje direkte në kuadër të trajnimit për asistencën shëndetësore dhe menaxhimit. Sa i përket trajnimit të personelit mjekësor, infermieristik dhe menaxherial, sipas marrëveshjes ky  trajnim do të bëhet nëpërmjet mënyrave të regjistrimit të përkohshëm pranë Poliklinikës Universitare “A.Gemelli”, trajnimeve pranë strukturave shqiptare të interesuara dhe aktiviteteve të llojeve të ndryshme, që do të përcaktohen bashkërisht. Po sot gjatë  qëndrimit  në Vatikan Ministri Tavo ka firmosur dhe Marrëveshjen e  Bashkëpunimit  ndërmjet Spitalit Pediatrik Bambino Gesú Romë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë. Bashkëpunimi konsiston në ofrimin e  mbështetjes së  nevojshme për zbatimin e protokolleve diagnostike dhe terapeutike, që u referohen patologjive të ndërlikuara në fushën e neurokirurgjisë dhe kardiokirurgjisë, që nuk mund të zhvillohen në Shqipëri, për të cilat është i nevojshëm trajtimi nga Spitali “Bambino Gesù” në Romë. Gjithashtu, “Bambino Gesu” merr përsipër t’i ofrojë MSH-se konsulencë dhe mbështetje në fushën e formimit të personelit shëndetësor dhe të asistencës dhe organizimit shëndetësor.