Tatimet u falin 125 milionë euro bizneseve abuzive, u “rrjepin lëkurën” dhe u ulin qepenat 481 bizneseve që mbijetojnë

723
Shkatërrohet aktiviteti i bizneseve mbijetuese në Shqipëri dhe këtë katrahurë, po e bëjnë tatimet, të cilat nga njëra anë falin miliona euro detyrime fiskale tatimesh, doganash e gjobash për bizneset “VIP të shtetarëve, të familjarëve e miqve të tyre, mbushin thasët me miliarda nëpërmjet abuzimeve, duke shpërfillur e shkelur ligjin, nga ana tjetër janë vërsulur për të mbledhur qindarkat, nëpër bizneset që mezi marrin frymë prej taksave të larta, gjobave dhe ryshfeteve që detyrohen të paguajnë, për të mos iu ulur “qepenat”. Sipas deklarimit të vetë shërbimit tatimor, janë amnistuar bizneset që zhvatin financat kombëtare dhe janë bllokuar e po vazhdojnë të bllokohen, bizneset që rropaten për të ushqyer vetëm familjet e tyre dhe ata pak të punësuar. Tatimet, mbyllën javën e shtatë të aksionit kundër bizneseve që punojnë në informalitet, por duke e drejtuar “grushtin” vetëm mbi ato biznese që janë në fazë mbijetese! Sipas informacionit, tatimet kanë bërë të ditur, se ka vijuar procesi i fshirjes automatike i detyrimeve për periudhën përpara viteve 2010 dhe kompensimi me kredi, si për periudhën përpara vitit 2010 dhe për periudhën 2011-2014. Si rezultat i këtij procesi shuma e detyrimit të falur është 17.1 miliardë lekë, ose afro 125 milionë euro. Nga kjo falje detyrimesh, kanë përfituar 28,160 tatimpagues. Por ndërsa disa biznese që kanë shkelur ligjin, po përfitojnë falje detyrimesh të pangopur prej shumë vitesh, po ndëshkohen barbarisht, bizneset që kanë qenë në rregull me pagesat dhe tashmë janë vështirësuar prej çmimeve të larta të shumicës, prej çmimit të ujit, energjisë, transportit dhe prej taksave e gjobave që vendosen pa asnjë kriter e shpesh me urdhër të ministrit Ahmetaj, për të mbushur arkën e shkundur të shtetit. Shumë prej këtyre bizneseve, po shkojnë drejt falimentimit, duke i mbyllur aktivitetet, mbasi nuk mund të përballojnë dot inkuizicionin shtetëror që ka nisur e po vepron ashpërsisht mbi ta. Tatimet njoftojnë, se janë verifikuar 19,434 subjekte, nga të cilët, 19% kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar me mbyllje aktiviteti 481 subjekte. Nuk themi të mos ketë zbatim ligji, por të mos ketë inkuizicion, mbasi mbyllja e 481 bizneseve deri tani, do të thotë papunësi në rritje. Ku do shkojnë këta njerëz, që u mbyllen bizneset? Ose në emigracion, ose në rrugën e krimit apo të shkatërrimit të familjeve, mbasi afro 90% e tyre, sipas letrave që kanë ardhur në “Telegraf”, rezultojnë me kredi bankare!
Sigal