Tatimet: Si të mbahen llogaritë për TVSH-në

783
Tatimet kanë publikuar një material informues për biznesin lidhur me mbajtjen e regjistrave kontabile për qëllime tatimore. Personat e tatueshëm, subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo të Tatimit mbi Fitimin, janë të detyruar të mbajnë llogari, regjistrime dhe regjistra për të gjitha ngjarjet dhe veprimet, që përfshijnë: furnizimet e kryera nga ana e tyre, furnizimet e marra prej tyre nga persona të tjerë, për të gjitha importet nga jashtë vendit dhe eksportet për jashtë vendit, në përputhje me dispozitat e Ligjit “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, dhe me aktet e tjera e nxjerra në zbatim të tij. Për regjistrimin e veprimeve ekonomike e tregtare, që lidhen me detyrimet tatimore përdoren: Librat, regjistrat apo dokumentacioni, i përcaktuar në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, në ligjin për Akcizat, në ligje të tjera të veçanta tatimore dhe në aktet nënligjore në zbatim te tyre. Regjistrimi i operacioneve ekonomike e tregtare të personit të tatueshëm në libra dhe regjistra bëhet në mënyrë kronologjike dhe sistematike. Këto regjistrime do të shërbejnë, si bazë për vetëvlerësimin dhe vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore të personave të tatueshëm apo, kur është rasti, për përcaktimin e detyrimit tatimor të tyre. Regjistrat dhe librat, nga ana e personave të tatueshëm, mund të mbahen edhe në formë elektronike. Regjistrat dhe librat e mbajtur në format elektronik duhet të garantojnë, në çdo kohë, një pasqyrim të plotë të veprimeve ekonomike dhe të të dhënave për tatimet. Në këtë rast, personi i tatueshëm është i detyruar të lejojë hyrjen e administratës tatimore në çdo kompjuter, ku janë mbajtur librat dhe regjistrat. Si regjistër për evidentimin e shitjeve me pakicë të kryera nga personat e tatueshëm shërbejnë: Edhe regjistrimet e bëra në memorien e pajisjes fiskale apo pajisjeve elektronike. Qarkullimi ditor i memorizuar në këto pajisje, hidhet për çdo ditë, me një shifër të vetme në Librin e Shitjeve. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe për shitjet me pakicë te dokumentuara me dëftesa tatimore. Totali i qarkullimit të realizuar sipas gjithë dëftesave tatimore të lëshuara gjatë një dite, hidhet me një shifër të vetme në Librin e Shitjeve.

Tatimpaguesit, subjekte të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin për biznesin e vogël, për përllogaritjen e detyrimit tatimor, janë të detyruar të mbajnë: Regjistra, libra dhe dokumente të tjera, si dhe të lëshojnë fatura tatimore, dëftesa tatimore dhe kuponë tatimorë, në përputhje me ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, dhe udhëzimin “Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël”, në zbatim të tij. Këto regjistrime do të shërbejnë si bazë për vetëvlerësimin dhe vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore të personave të tatueshëm apo, kur është rasti, për përcaktimin e detyrimit tatimor. Për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, që janë të regjistruar në TVSH, libri i shitjeve dhe libri i blerjeve, të mbajtura për efekte të TVSH-së, shërbejnë si të tillë edhe për efekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël.
Sigal