Tatimet, kontrolle, gjoba dhe bllokime ndaj bizneseve

762
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se mbetet e angazhuar në luftën për parandalimin dhe goditjen e informalitetit. Në zbatim të Planit Operacional, për periudhën 5 shkurt – 11 mars 2018, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka kontrolluar më shumë se 4.143 tatimpagues, nga të cilët 1.295 u penalizuan për shkelje të legjislacionit tatimor, ndërsa rreth 20% e tyre u penalizuan pasi nuk dispononin mallra të shoqëruara nga dokumentacioni tatimor. Numri total i subjekteve të bllokuara në këtë periudhë ishte 63, nga të cilat 50 si subjekte të paregjistruara dhe 13 për moslëshim kuponi tatimor (rasti i dytë). Gjatë fundjavës së kaluar, Drejtoria e Hetimit Tatimor angazhoi strukturat në varësi të saj për kontrolle në territor. U realizuan 299 kontrolle dhe u evidentuan 126 shkelje ose 42% e tatimpaguesve u gjobitën. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se zbatimi i këtij plani operacional do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe do të përqendrohet në verifikimin e subjekteve për verifikimin për dokumentimin me faturë tatimore të mallrave që përdoren, ruhen apo transportohen; regjistrimin e subjekteve tregtare në QKB dhe në organin tatimor; instalimin, përdorimin e pajisjeve fiskale dhe lëshimin e kuponit tatimor; verifikimin dhe deklarimin e punonjësve në organet tatimore dhe kontrollimin për dokumentimin e pronësisë së ambientit të ushtrimit të aktivitetit dhe të mjetit të transportit. Tatimet iu bëjnë thirrje të gjithë tatimpaguesve që të përmbushin në mënyrë vullnetare të gjitha detyrimet ligjore, si dhe të denoncojnë aktet e abuzimit nga ana e administratës tatimore.
Sigal