Tatimet kanë një borxh prej 92 milionë euro TVSH të parimbursuar nga 2017-të, detyrimet ndaj gazsjellësit TAP, 63 mln euro

90
Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet prej kërkesave e miratuara për rimbursim në fund të vitit 2017 rezultojnë të parimbursuara 125 kërkesa me vlerë 12,3 miliardë lekë, ku peshën më të madhe e zënë TRANS ADRIATIC PIPELINE me vlerë 5,4 miliardë lekë, Ayen As Energji me vlerë 3,4 miliardë lekë dhe Bankers Petrolium në vlerë 0.9 miliardë lekë, ALBCHROME në vlerë 0.3 miliardë lekë. Detyrimet ndaj këtyre katër kompanive zëne 81 % të stokut të borxhit të TVSH së parimbursuar. Shuma prej 12,3 miliardë lekësh si TVSH e parimbursuar tashmë është një borxh që tatimet e kanë njohur, por ndërkohë janë 83 kërkesa me vlerë 6,9 miliardë lekë, që i takojnë vitit 2017 dhe që ende nuk janë shqyrtuar. Nëse edhe këto kërkesa janë të drejta atëherë detyrimet për TVSH të pa rimburësuar arrijnë në mbi 19 miliardë lekë ose 145 milionë euro. Sërish pesha më e madhe në kërkesat e pashqyrtuara i takon TAP në vlerë 3 miliardë lekë, BANKERS 0.4 miliardë lekë lekë, Deveron Albania në vlerë 1,7 miliardë lekë. Siç shihet nga të dhënat e tatimeve vetëm detyrimet e TVSH-së së pa rimbursuar ndaj projektit të gazsjellësit TAP arrijnë në 8.4 miliardë lekë më 2017 ose 63 milionë euro. Në totalin e shumës së kërkuar për rimbursim gjatë vitit 2017, 30 % e zë kategoria e eksportuesve dhe fasonistëve, 46.9% kategoria e investimit, 1.01% trupi diplomatik, 22.09 % aktivitete të tjera. Në totalin e shumës së miratuar për rimbursim gjatë vitit 2017, 36.7 % e zë kategoria e eksportuesve dhe fasonistëve, 48.5 % kategoria e investimit, 1% trupi diplomatik, 13.8% aktivitete të tjera. Gjatë vitit 2017 pranë Drejtorive rajonale janë paraqitur gjithsej 1308 kërkesa, nga të cilat janë refuzuar për mosplotësim të kritereve ligjore 366 me vlerë 5,4 miliardë lekë dhe janë pranuar 942 kërkesa me vlerë 29,2 miliardë lekë e shprehur në përqindje rreth 25% kërkesa më shumë se viti 2016. Gjatë vitit 2017 ka vazhduar procedura e rimbursimit për 147 kërkesa me vlerë 6,1 miliardë lekë të mbartura nga viti 2016, ku peshën më të madhe e kanë pasur tatimpaguesit Trans Adriatic Pipeline me vlerë 3,1 miliardë lekë, Kurum në vlerë 186 milionë lekë, Colacem në vlerë 160 milionë lekë, Elbasan Cement Factory në vlerë 127 milionë lekë, Albchrome në vlerë 227 milionë lekë ose 60% të totalit të kërkesave të mbartura.