Tatimet: Ja bizneset që përfitojnë nga TVSH-ja 6 %

1349
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një publikimi, përcakton ndarjen e veprimtarive ekonomike për tatimpaguesit që aplikojnë shkallën e reduktuar të TVSH-së në nivelin 6%. “Për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete, duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin ‘Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare’, të ndryshuar, brenda 3 muajve”, theksohet në vendimin e qeverisë. Administrata tatimore në përmbushje të misionit të saj si dhe mbështetur në parimet e administrimit tatimor të përcaktuar në ligjin “Për procedurat tatimore” për një zbatim të njëjtë dhe efektiv të legjislacionit tatimor orientoi biznesin për disa çështje që duhen mbajtur në konsideratë. Në ligjin për turizmin sqarohet koncepti i strukturës akomoduese, me të cilën kuptohet: “Struktura që vë në dispozicion të turistëve, vendas apo të huaj, individë ose të organizuar në grupe, për një periudhë kohe të pacaktuar, por jo më shumë se 1 vit, shërbimet e akomodimit (fjetje, ushqim, pije dhe shërbime të tjera), në përputhje me standardet e përcaktuara sipas klasifikimit dhe kategorizimit të saj”. Sipas tatimeve, i rëndësishëm është fakti që njësitë e shërbimit të tipit: restorante, bare, salla konferencash, sallë fitnesi, pishina, park lojërash, apo shezlong në rastin e resorteve etj., të jenë në shërbim të strukturave akomoduese dhe brenda njësive akomoduese apo kompleksit si një e tërë, duke faturuar TVSH-në sipas shkallës tatimore që u takon dhe duke zbatuar kushtet e përcaktuara dhe parashikimet në ligjin “Për Procedurat Tatimore” dhe udhëzimin përkatës, në lidhje me procesin e regjistrimin. Për sa i përket përcaktimit ligjor, sipas tatimeve, “nëse personi i tatueshëm ushtron dhe veprimtari të tjera përveç asaj të strukturave akomoduese, duhet të regjistrohet si person i tatueshëm më vete”. Me veprimtari të tjera kuptohet kur subjekti përveç veprimtarisë në fushën e akomodimit, ushtron edhe aktivitete të tjera si p.sh ndërtim, tregti, energjetikë etj. Në një rast të tillë ky tatimpagues duhet të ndajë më vete veprimtarinë ekonomike në fushën e akomodimit dhe hotelerisë me aktivitetin tjetër që ushtrohet jashtë veprimtarisë akomoduese apo që është jashtë tërësisë së shërbimeve që i shërbejnë njësisë akomoduese sipas konceptit të fushës së turizmit, si më lart të shpjeguar. Kjo bëhet në mënyrë që të identifikohet qartë aktiviteti që ushtrohet në fushën e strukturave akomoduese dhe që përfiton nga shkalla tatimore 6 % TVSH me aktivitetin tjetër që ushtrohet me shkallë standarde të TVSH-së. Duke iu referuar dispozitave ligjore të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të gjithë subjektet që ushtrojnë një veprimtari ekonomike regjistrohen në regjistrin tregtar në një nga format e parashikuara në këtë ligj dhe sipas mënyrës së parashikuar në ligjin “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”.

Si regjistrohen subjektet
– Tregtarë, të cilët janë persona fizikë, sipas kuptimit të Kodit Civil dhe që ushtrojnë veprimtari ekonomike të pavarur;
– Në formën e një shoqërie tregtare (kolektive, kompanitë, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëri aksionere);
Me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në një nga format e mësipërme, subjektet pajisen me numër identifikimi unik, të gjeneruar elektronikisht, i cili shërben si numër identifikimi tatimor i tyre për tatimet kombëtare dhe vendore.
Sigal