Administrata tatimore ka vendosur barrë hipotekore dhe siguruese 21 mijë bizneseve që rezultojnë debitore ndaj organeve fiskale.

Lista e gjatë është bërë publike nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve, dhe në të figurojnë subjekte tregtare nga të gjitha qytetet e vendit.

Barra hipotekore dhe siguruese, është fillimi i proçedurave për mbledhjen me forcë të detyrimeve. Në krahasim me fillimin e vitit lista është shtuar me mbi 4300 subjekte.

Njoftimi i tatimeve bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

Me pagimin e plotë të detyrimit, të dhënat e subjektit fshihen nga lista e debitorëve.