Taskë-Forca dhe prokuroria kryqëzojnë falsifikatorët e ZRPP dhe gjykatës

2027
Vjollca KUTA
Shefat e hipotekës dhe gjykata Vlorë, “shkulin” 5000 m2 tokë nga fshati Kaninë dhe e “ngulin” 4 kilometër larg, në “Ujin e Ftohtë”
“Lëndë e parë” për Veting
Zbulohet dhe çohet para drejtësisë, një tjetër skandal me pronat në Vlorë, që ka si autorë një grup zyrtarësh të Zyrës Vendore të Hipotekës në Vlorë, të cilët janë bërë palë me personat që kanë ofruar pazarin e këtij skandali, për të përfituar sipërfaqe toke me letra të falsifikuara, me synim biznes ndërtimi. Sipas një shkresë zyrtare njoftuese me objekt “Përfundim hetimesh”, datë 12. 10.2017, rezulton se Prokuroria e Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, ka sekuestruar 5000 metra katrorë tokë dhe 4 pallate, të ndërtuar mbi këtë sipërfaqe trualli. Sipërfaqja dhe pallatet e sekuestruara, gjenden në shëtitoren kryesore të qytetit të Vlorës “Lungomare”. Sipas këtij njoftimi hetimesh të mbyllura, prokuroria e Vlorës ka nisur drejt gjykatës, dosjen për të abuzim me bazë falsifikimin e dosjeve pronësore me pasojë përfitimin me krim dhe autorët e këtij falsifikimi, që në rastin konkret janë edhe zyrtarë të Hipotekës së Vlorës. Po kështu në listën e skeduar për falsifikim dokumentesh arkivore shtetërore e shkresash zyrtare, figurojnë edhe ekspertë privatë që kanë gatuar falsifikimin e po kështu, përfituesin e paligjshëm të truallit, që ka ofruar dhe ka kryer falsifikimin në bashkëveprim me zyrtarët e Hipotekës. 
Një akt vjedhjeje e pronës, me falsifikim zyrtar dhe ekspertim fals
Por çfarë ka ndodhur? Sipas dosjes hetimore, skandali i ka rrënjët në vitin 2004, kur Gjykata e Vlorës, ka “argumentuar”, ka njohur dhe ka shpallur pronar të kësaj sipërfaqeje trualli prej 5000 metër, shtetasin Lefter Gjyli, trashëgimtarin e shtetasit Kristaq Gjylit. Mbi çfarë dokumentesh, u mbështet gjykata e Vlorës, që dha akt-pronësie trashëgimie mbi këtë sipërfaqe? Mbi çfarë letrash “historike”, zyrtare, u mbështetën drejtuesit dhe “ustallarët” e Hipotekës në Vlorë dhe “mjeshtrat” që angazhoi banda zyrtare e Hipotekës brenda e jashtë saj, për të përgatitur dosjen e kësaj pronësie me status “trashëgimi? A ishte reale, kjo dosje? Cilët falsifikuan dhe në cilët regjistra të vjetër e të rinj, u fshinë dhe u “grinë” harta e emra pronarësh legjitimë, sipërfaqe e “njolla” prone? Për çfarë u përdor ky truall? Cilët ishin interesat e zyrtarëve të Hipotekës së Vlorës e deri lart në Tiranë, madje edhe në institucione të tjera shtetërore e drejtësie? Si u zbulua ky skandal, që prokuroria e cilëson “krim ekonomik financiar, në bashkëpunim me zyrtarët e shtetit”? Skandali i zbuluar që po publikojmë sot, mund të thuhet se është një guxim çmendarak, që bëhet prej zyrtarëve të shtetit, mbi dokumentet arkivore e aktuale të shtetit, për më tepër, që ato janë poseduar dhe administruar prej vetë abuzuesve të kësaj zyre. Sipas dosjes hetimore përfundimtare të konkluduar prej organit të akuzës Vlorë, për Çështjen Penale Nr. 2293, datë 24.11. 2017 me objekt “pastrimi i produkteve të veprës penale, ose veprimtari kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal”, rezulton se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave-Tiranë, mbi bazën e denoncimit për falsifikim dokumentesh, të bërë nga shtetasi Besnik Velaj, kundër shtetasit Lefter Gjyli, ka krijuar dyshimet e arsyeshme, se janë falsifikuar Fleta e Regjistrit Hipotekor Vol. 11, neni 81, viti 1941 dhe Libri i Indekseve, lidhur me këtë pronë, që gjendet e regjistruar në Zyrën Hipotekore Vlorë. Në vitin 2015 Task Forca e ngritur nga Kryeministri në Agjensinë e Trajtimit të Pronës ka kallëzuar në Prokurorinë Vlorë disa subjekte për fallsifikim të dokumenteve dhe tjetërsim prone. Një nga ato materiale kallëzues rezulton të jetë dhe kallëzimi penal në ngarkim të shtetaseve të mësiperm. AKP ka pretenduar se prona e kthyer trashëgimtareve të Kristaq Gjylit është e krijuar mbi dokumente të falsifikuara dhe mbi bazën e një ekspertimi të rremë dhe kjo pronë rezulton të jetë e trashëgimtarëve të subjektit Laver Hamit Velaj i cili rezulton të jetë blerës i kësaj prone që në vitin 1935.

Sipas aktit të falsifikimit, rezulton se në Fletën e Regjistrit Hipotekor Vol. 11, neni 81, viti 1941 ka gjurmë të qarta e të plota falsifikimi, mbasi në këtë dokument është regjistruar një “Notë Transkriptimi”, për vendosje “sekuestro ekzekutive”, në favor të shtetasit Kritaq Gjyli, kundër trashëgimtarëve të të ndjerit Kasëm Alushi, për 9 prona, mes të cilave edhe prona me sipërfaqe 4 “vreten” dhe një banesë në zonën “Uji i Ftohtë” në Vlorë, specifikisht e kufizuar nga: Lindja-Isuf e Hamit Luzi; nga Perëndimi-Xhadeja; nga Veriu-Përroi; dhe nga Jugu-Halim Sadiku. Kjo sa për saktësim, mbasi kjo pronë, ekziston poshtë falsifikimit të kryer, me qëllim për ta zhvatur, siç ndodhi me letra, por që u zbulua dhe u bllokua nga prokuroria. 
Gjykata e Vlorës, palë me falsifikatorin i jep pronën si të ligjshme
Skandali vazhdon më tej. Kjo pronë, u është kthyer trashëgimtarëve të Kristaq Gjylit, me Vendim Nr. 180, datë 23. 04. 2009 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, i cili ka lënë në fuqi Vendimin Nr. 1043, datë 06.04. 2004, të Gjykatës së Shkallës së Parë-Vlorë. Pas këtyre vendimeve, Hipoteka e Vlorës, me Shkresën Nr. 8341/1 Prot., datë 20.10.2015, drejtuar AKP-Tiranë, ka konfirmuar zyrtarisht, se në emër të shtetasit Kasëm Alushi nuk figurojnë prona të regjistruara në Regjistrat Hiptekorë të Vlorës, të para vitit 1945. Pra, “ustallarët” e Hipotekës së Vlorës, ia kishin fshirë emrin dhe pronën, duke i hapur rrugë të plotë e të lirë, shtetasit Lefter Gjyli, për të regjistruara pronën në pronësi të tij. Gjithçka ka nisur, pas një denoncimi të bërë bë Prokurorinë e Vlorës, prej shtetasit Durim Sejdiraj, i cili akuzon shtetasin Lefter Gjyli, për posedim pronash, të përfituara me falsifikim, duke përdorur një “Notë transkriptimi”, bërë në Fletën e Regjistrit Hipotekor Vol. 11, nen1 81, viti 1941, kundër trashëgimtarëve të Kasëm Alushit nga Kanina, bërë në favor të Kristaq Gjylit. Pasi i ka përfituar këto prona, mbi këtë sipërfaqe, ai ka ndërtuar objekte banimi e tregtimi (5 pallate). 
Me çfarë dokumenti, u bë përfitues Lefter Gjyli?
Është bërë pronar me një copë letër, që nuk e njeh ligji si akt pronësie apo trashëgimie. Dokumenti i vetëm, që disponon përfituesi i paligjshëm Lefter Gjyli, rezulton të jetë një “Sekuestro ekzekutive” e bërë në fshatin Kaninë, në vitin 1941, sekuestro e cila në vetvete, nuk përbën titull pronësie. “Sekuestro ekzekutive”, sipas ligjit të asaj kohe dhe sipas vlerësimit të sotëm juridik është një masë sigurimi, të cilën e ndërmerr gjykata, deri në përfundim të hetimit gjyqësor. Mirëpo në rastin konkret, nuk është përfillur, as ligji, as dokumentet, as e drejta pronësore, as aktet juridike dhe është bërë batërdia mbi regjistrat, duke falsifikuar sipas skemës për ta zhvatur këtë pronë, duke e bekuar edhe Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, me një vendim absurd, që ishte hallkë e zinxhirit të kësaj skeme zhvatëse të pasurisë me falsifikim ashiqare! Pikërisht këtë sekuestro ekzekutive, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë në mënyrë flagrante e të paligjshme, ka vendosur ta pranojë si të rregullt e të mirëqenë, duke shpallur si “Titull pronësie”, finalizuar me Vendimin nr. 1043, datë 04.06.2004. 
Ekspertja që “shkuli” 5000 m2 tokë nga fshati Kaninë dhe e “nguli” 4 kilomtër larg, në në qytetin e Vlorës
Gjatë kësaj praktike gjyqësore që duhet t’i nënshtrohet me urgjencë “Veting”-ut, ekspertja Gjyzela Alibehaj (Murati) është bërë pjesë e skenarit zhvatës, duke hartuar një Akti-Ekspertimi fals, jo si sipërfaqe, jo si kategori toke, por si një aventurë, që nuk është dëgjuar në historinë e topografëve, hartave, planimetrive e akt-azhornimeve të tokave dhe trojeve. Kjo eksperte, që do të bëhet dhe mbetet e famshme në historinë e ekspertizës së hartave në Shqipëri, në akt-ekspertizën e paraqitur në Gjykatë e në institucionet ku është bekuar vjedhja e pronës me falsifikim, sipas rolit që ka pasur në këtë pazar-krim shtetëror me Hipotekën dhe Gjykatën e Vlorës, ka bërë zhvendosje të pronës në fjalë, duke e shkulur nga fshati Kaninë i Vlorës. Ku e ka çuar? Mos u çuditni, por pas e “shkuli” nga fshati Kaninë, ekspertja e ka “ngulur” në qytetin e Vlorës, buzë detit në Lagjen “Uji i Ftohtë”! Kjo eksperte, për të evituar skandalin-krimin e kryer me këtë pronë, ka mbivendosur pronën në fjalë, totalisht mbi pronën e trashëgimtarëve të shtetasit Laver Velaj. Pra, Gjyzela e Vlorës (njohur edhe për raste të tjera në këtë “art”, ka hequr tokën nga fshati dhe e ka postuar në qytet, madje në një distancë 4 kilometër në vijë ajrore! Skandali thellohet dhe më tej, kur kjo praktikë gjyqësore e blinduar me akt-ekspertimin e Gjyzelës së Vlorës, ka pasur të njëjtën fuqi ligjore e “mbarësi”, duke u quajtur e rregullt si titull-pronësie edhe kur ka shkuar për gjykim, në Kolegjin Civil-Gjykata e Lartë. E njëjta trup gjyqësore e kësaj gjykate, me të njëjtat fakte, kushte dhe prova, në fillim e ka prishur Vendimin Nr. 1043, datë 06.04. 2004, të Gjykatës së Shkallës së Parë-Vlorë, por më vonë e ka legjitimuat atë si vendim të… drejtë! 
Futet në lojë hipoteka e Vlorës, drejtorja Laureta Bejkosalaj merr komandën e skenarit
Në vitin 2009, pjesë e abuzimit bëhet dhe Drejtorja e Hipotekës së Vlorës, zonja Laureta Bejkosalaj. me fuqinë e pushtetit të saj, në zbatim të skenarit, ajo merr në dorë komandën e skandal-krimit, për ta mbrojtur si “ligjor”. Ajo urdhëron dhe mbikëqyr ndryshimin disa herë, të konfiguracionit të kësaj pasurie, tashmë të falsifikuar “fshatçe” në grup që nga përfituesi, hipoteka, topografët, ekspertja e deri gjykata lokale e ajo qendrore. për të arritur “suksesin” drejtorja përdor “mjeshtren” e falsifikimit, ekspertë Gjyzelën, me të cilët thuhet se ka bërë shumë “punë të tjera të mira” si me falsifikimin dhe tjetërsimin e kësaj prone. padyshim, që referencë kanë pasur shtetasin Lefter Gjyli, i cili bashku me drejtoren Laureta dhe eksperten Gjyzela, janë futur në dosjen e prokurorisë si të pandehura, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve shtetërore, me qëllim përfitimin e paligjshëm të pasurive, ose siç e cilëson prokuroria, me akuzën “Falsifikim i dokumenteve, shpërdorim detyre dhe pastrim i produkteve të veprës penale”. 
“Taskë Forca” e kryeministrisë, konstatoi se është“Falsifikim”
Në vitin 2015, “Taskë Forca” e ngritur nga kryeministri Edi Rama, në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, ka kallëzuar në Prokurorinë e Vlorës, disa subjekte për falsifikim të dokumenteve dhe tjetërsim prone. Një nga ato materiale kallëzuese, rezulton të jetë dhe kallëzimi penal, i bërë në ngarkim të shtetasve të mësipërm. AKP, ka pretenduar se prona e kthyer trashëgimtarëve të Kristaq Gjylit, rezulton të jetë e krijuar dhe e përfituar, mbi dokumente të falsifikuara dhe mbi bazën e një akt-ekspertimi fals e të hartuar qëllimisht për krijim terreni abuzimi. Kjo pronë, rezulton të jetë e trashëgimtarëve të subjektit “Laver Hamit Velaj”, i cili sipas dosjes dhe regjistrave, rezulton të jetë blerës i kësaj prone, qysh në vitin 1935. 

Sipas hetimit/Akt-Ekspertimi i pronës, paraqitur në gjykatë
Në plotësimin e dorëshkrimit të një dokumenti, si ai i “Fletëve nr. 102-103” me numër rendor (i vjetër radhori) “81”, në regjistrin hipotekor, me objekt ekspertimi, nuk evidentohen ndërhyrje falsifikuese.

Lidhur me pyetjen, nëse në këtë regjistër ku ndodhet dokumentacioni (fleta), Objekt ekspertimi, ka heqje, vënie të fletës, objekt ekspertimi apo shtim të fletëve të tjera, nuk mund të konkludojmë.

Dorëshkrimi në dokumentin (fletën) me nr. 102-103 e numër radhori “81” në regjistrin hipotekor Vol. 11, objekt ekspertim është shkruar nga e njëjta dorë.

Dorëshkrimi me emrin “Xhafer Zoto” në dokumentin (fletën) me numër 102-103 e numër radhori “81” në regjistrin hipotekor Vol. 11 Objekt ekspertimi dhe dorëshkrimet me shkrim në fundin e tyre në emër-mbiemër “Xhafer Zoto”, në të dy fletët e para si dhe në dy fletët nga pas fletës 102-103, të marra si model krahasimi, janë shkruar nga e njëjta dorë.

Këshilli i Qarkut Vlorë, deklaron
Këshilli i Qarkut Vlorë, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së tokës, me shkresën nr 168/4 Prot., datë 11.02. 2016 deklaron:
1. Në arkivin e kësaj drejtorie, nuk ka të regjistruar pasuri në emër të Kasëm Alushit dhe Kristaq Gjylit, si dhe në emër të Isuf e Hamit Luzit
2. Në emër të shtetasit Halim Sadiku është regjistruar pasuri me nr. 336 në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, lloji ullinj dhe ullishte
Personat e hetuar dhe të marrë të pandehur, nga prokuroria e Vlorës
1. Lefter Gjyli
2. Gjyzela Alibeja (Murati)
3. Laureta Bejkosala
4. Lindita Jaupaj
5. Florjan Hajdini
6. Besnik Velaj
7. Arshi Xhelilaj
8. Durim Sejdiraj
Sigal