Tani që plazhi i mbyll me 50 të mbytur, tender 50 milionë lekë për vendosjen e kullave të vrojtimit!

157
Përparim HALILI
Gjatë sezonit, drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, zhyteshin për të zbuluar qypa në anijet e mbytura 100 vite më parë 
– Absurdi është ky: Në 4 muajt e sezonit të plazhit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit vrojtonte se si mbyteshin pushuesit, ndërsa tani që ata kanë ikur, po merr masa për… shpëtimin e tyre!

Sezoni i plazhit po shkon drejt mbylljes në gjithë vijën bregdetare shqiptare, mbasi “tradicionalisht”, afro 80% e pushuesve i rikthehen punës në muajin shtator! Siç dihet, sezoni i plazhit këtë vit, nisi me shumë mangësi, shqetësime dhe me një problem që kushtoi shumë jetë njerëzish jo prej ndonjë “Cunami” në bregdetin shqiptar, por prej shpërfilljes së shtetit për sigurinë dhe garantimin e jetës së pushuesve! E kemi fjalën për kullat e vrojtimit, të cilat nuk u ndërtuan para nisjes së sezonit të plazhit e as gjatë 4 muajve të sezonit veror maj-gusht 2017, denoncuar prej gazetës “Telegraf” e pas saj, prej mediave të tjera! Por shteti heshti duke mos ndërtuar kullat e vrojtimit në plazhe dhe duke mos caktuar asnjë roje bregdetare, paçka se ekspertët madje propozuan që këtë shërbim sigurie në plazhe, ta kryente Federata e Notit Shqiptar, si institucion publik që disponon ekipe të specializuara në këtë drejtim deri për dhënie ndihme të shpejtë. Mirëpo shpërfillja, shkaktoi shumë viktima të çdo moshe, të mbytur për shkak të mungesës së vrojtimit dhe ekipeve të shpëtimit në plazhe! Çudia qëndron në këtë absurd që konstatojmë në “Buletini i Prokurimit Publik” Nr. 34, datë 28 gusht 2017, pra vetëm 3 ditë para pothuajse boshatisjes se plazheve! 
Absurdi është ky: Në 4 muajt e sezonit të plazhit në muajt maj-gusht, drejtuesit dhe zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit bënin plazhe e zhyteshin për të zbuluar qypa e gaveta antike në anijet e mbytura 100 vite më parë dhe “pas buke”, dilte e vrojtonte se si mbyteshin pushuesit dhe hidhte ndonjë citat kundër bashkive që nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë, por vetëm me pastërtinë në plazhe! Ndërsa tani, që pushuesit kanë ikur e plazhet po boshatisen, sepse është fund sezoni, ata kanë nisur të marrin masa për… shpëtimin e tyre! Gjatë 4 muajve sezon, në plazhet shqiptare u mbytën 50 pushues shqiptarë e të huaj, në fund të sezonit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit po bën tender 50 milionë lekë, për vendosjen e kullave të vrojtimit 
Ja njoftimi zyrtar 
1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Bulevardi “Gjergj Fishta”, Pallatet Shallvare, Tiranë, Tel: 0676096010, e-mail: [email protected] 
2. Lloji i procedurës: “Kërkesë për propozim” 
3. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: “Ndërtimi i kullave vrojtuese” 
5. Fondi limit: 4.156.252.19 (katër milion e njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e pesëdhjetë e dy, pikë nëntëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, ose 4,987,502.63 (katër milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e shtatëmijë e pesëqind e dy, pikë gjashtëdhjetë e tre) lekë me TVSH. 
Bashkia Korçë/ Pazar me tenderin 300 milionë lekë, të pazarit të fruta perimeve

Ja njoftimi zyrtar
Për shkak të disa gabimeve të bëra në përmbajtjen e njoftimit të kontratës, me objekt “Rikonstruksion i tregut Fruta-Perime” të publikuar në sistemin elektronik të APP në datën 31. 07. 2017 dhe shpallur në Buletinin e APP, nr. 31, datë 07.08.2017, gabimisht objekti është shënuar: “Rikonstruksion i ish-godinës së Fonderisë, si projekt katalizator për zhvillimin ekonomik rajonal”, kur duhej shënuar “tender për rikonstruksionin e Tregut Fruta-Perime, ja njoftimi i ri: 
1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Bashkia Korçë 
2. Lloji i prokurimit: Procedurë e hapur 
3. Objekti i kontratës: Rikonstruksion i Tregut Fruta-Perime 
4. Fondi limit: 24. 981.183 lekë (pa TVSH) 
5. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: 3 muaj nga data e lidhjes te kontratës 
6- Afati kohor për dorëzimin dhe hapjen e ofertave, ose kërkesave për pjesëmarrje: 23/08/2017, Ora: 11:00 
Azotiku Fier i mbyllur prej 23 vitesh, tender 16 milionë lekë për kujdesin ndaj luleve! 

Ja njoftimi zyrtar 
1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Uzina e Plehrave Azotike Fier, Njësia Administrative Qendër-Drizë, Fier 
2. Lloji i procedurës: Kërkesë për propozim, prokurim publik me mjete elektronike. 
3. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: “Mbikëqyrës punimesh në objektin Rehabilitimi i sipërfaqeve të Uzinës së Plehrave Azotike Fier”.
4. Vlera totale përfundimtare e kontratës: 1,587,918 lekë me TVSH.