Taksat për makinat luksoze, ja sa do të paguhet dhe kur hynë në fuqi

3944
Qytetarët në vitin 2018 do të preken nga rritja e ndjeshme e taksave për mjetet luksoze, kush konsiderohen mjete luksi dhe pse është bërë ndryshimi në projektligj
Paketa e fundit Fiskale e miratuar nga Kuvendi dhe që hyn në fuqi në një pjesë të mirë të ndryshimeve më 1 janar 2018 solli edhe një rishikim tek ato që konsiderohen automjete luksoze. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të këtyre ndryshimeve, ka sjellë edhe një herë në vëmendje për qytetarët risitë në ligjin “Për taksat kombëtare” ku përfshihet edhe ajo për automjetet. “Në kuadër të Paketës së re Fiskale, e cila do të zbatohet përgjatë vitit 2018, me ligjin nr. 104/2017 Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, ka pësuar ndryshim trajtimi i atyre që quhen mjete luksi, ku për efekte takse, “Automjete luksozë” konsiderohen autoveturat deri 6+1. (neni 2, pika 5) si dhe ka pësuar një ndryshim neni 11 “Tarifa shërbimi”, germa ç) ku janë hequr tarifat për shërbime gjyqësore, pasi ato do të reflektohen në një ligj të veçantë, duke parashikuar që fusha e zbatimit të këtij ligji të shtrihet mbi tarifat për veprime e shërbime të administratës së Ministrisë së Drejtësisë, prokurorisë dhe noterisë (ndryshim, i cili do hyjë në fuqi më 1 Qershor 2018). Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 222, datë 19.12.2017 dhe hyn në fuqi më datë 01 Janar 2018, me përjashtim të pikës 2 që hyn në fuqi më 1 Qershor 2018. Nga llogaritjet e Financave, ndryshimet në ligj të lidhura me automjetet e luksit pritet të japin një efekt pozitiv prej 19 milionë lekësh në buxhet. Me ligj, këtë taksë e paguanin të gjithë ato mjete 4+1 që kishin cilindratë mbi 3000 cm³ ose vlerë të barabartë ose më shumë se 5 milionë lekë.

Mjetet e luksit
Duke nisur nga viti i ardhshëm, taksën e automjeteve të luksit do ta paguajnë edhe ata që kanë automjetet me kapacitet 6+1. Vendimi vjen si korrigjim i një parashikimi ligjor, që ka rezultuar se ka krijuar shteg për evazion fiskal. Në ligjin ekzistues parashikohet se automjetet 4+1, që kanë cilindratë më të madhe se 3000 cm3 dhe një vlerë mbi 5 milionë lekë, do t’i nënshtroheshin taksës. “Ky propozim ka ardhur nga DPTSHRR në cilësinë e agjentit që mbledh taksën e regjistrimi fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Ky institucion ka përcjellë shqetësimin lidhur me kërkesën e pronarëve të mjeteve për të bërë ndryshim konstruktiv të mjeteve të cilët kanë cilindratë më të madhe më të madhe se 3000 cm3; ose vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë, lidhur me numrin e vendeve duke kërkuar uljen nga 4+1 në 6+1. Kjo kërkesë bëhet me qëllim shmangien e kësaj takse. Sipas DPTSHRR, janë rreth 909 autovetura të regjistruara aktualisht me kapacitet 6+1, të cilat i janë nënshtruar modifikimeve për arsye të evitimit të kësaj takse. Efekti negativ në buxhetin e shtetit është 19.000.000 lekë nga mos taksimi i këtyre automjeteve, të cilat duhet të konsiderohen makina luksi. Për këtë qëllim propozohet me anë të këtij ligji rritja e kapacitetit të vendeve nga 4+1 në 6+1”, shkruhet në relacionin e nismës së DPTSHRR.

Taksa vjetore
Taksa vjetore e mjeteve të përdorura është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit. 18 për qind e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Procedura e ndarjes së të ardhurave me buxhetet e njësive të qeverisjes vendore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në numrin e mjeteve të regjistruara sipas njësive të qeverisjes vendore
Sigal