Taksat, nga 1 janari qeveria vendos sa do të paguhet për sigurimin e makinave

552
Nga 1 janari qeveria ka vendosur të rrisë me 7 për qind taksën mbi primet e sigurimeve. E thënë ndryshe, taksën që paguhet sa herë që presim sigurimin e makinave. Aktualisht kjo taksë është 3 për qind. Qeveria ka vendosur ta bëjë 10 për qind. Dhe logjika që ka ndjekur në paketën e re fiskale, tregon qartë se këto para do t’i marrë nga qytetarët. Nuk janë pak, por rreth 450 milionë lekë, ose 4.5 milionë USD. Vjet qeveria përjashtoi nga TVSH¬ja të gjitha primet e sigurimit. Pas përjashtimit, vendosi t’i taksonte me 3 për qind, një taksë e re kjo. Por duket se nuk i ka bërë mirë llogaritë. Një vit më vonë, vendos sërish të rrisë këtë taksë me gati 2.5 herë, sepse heqja e TVSH¬-së nuk paska dhënë efekt në uljen e çmimit.

SA DO TË BËHET
ÇMIMI Çdo taksë e re, apo e rritur, paguhet nga konsumatori. Qeveria e di këtë, dhe nevoja për para e ka vendosur përballë konsumatorit, duke i shpallur luftë financiare. Aktualisht janë të paktën 400 mijë konsumatorë që do të paguajnë 7 për qind më shtrenjtë sigurimin e makinës. Gazeta po boton një tabelë, ku tregohet sa është sot primi i sigurimit të makinave dhe sa do të bëhet pas miratimit të taksës së re. Qartësisht më shtrenjtë. Paaftësia e qeverisë për të kontrolluar uljen e çmimit nga heqja e TVSH¬së po mbulohet me kostot që duhet të paguajnë qytetarët. Taksa vendoset mbi vlerën e siguracionit dhe shkon direkt në buxhetin e shtetit. Siguracioni është i detyrueshëm, dhe shteti përdor një treg të rregulluar për të fituar para. Në rast se një sigurim makine kushton 10 mijë lekë në vit, pas 1 janarit do të kushtojë të paktën 10.700 lekë. Kjo nga shtesa e taksës me 7 për qind. Nga llogaritjet del se për siguracionin e makinave të prodhuara pas vitit 2005 shtesa do të jetë minimalisht 1 mijë lekë në krahasim me pagesën e sotme.

KONSULTAT
Por edhe në rast se qeveria është në krizë parash, ajo e ka detyrim të konsultohet me biznesin për rritjen e taksave. Burime nga kompanitë e sigurimeve theksojnë se qeveria, dhe më konkretisht Ministria e Financave, në momentin që u ndërmor kjo nismë nuk kanë kryer asnjë proces konsultimi me industrinë e sigurimeve, pra drafti është hedhur për diskutim pa marrë parasysh propozimet dhe palën që preket. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me taksat e tjera që rriten nga 1 janari 2016. Qeveria po kërkon para, dhe nuk shpenzon asnjë minutë për të dëgjuar biznesin.
Sigal