Taksa mbi leje qëndrimin, kaos në pritje të sentencës së re, rrezikohen shqiptarët

530
Sigal

Gazeta Telegraf/


ITALI/ Deklarata e emigrantëve: Loja me
taksën mbi leje qëndrimet po bëhet aq e vështirë, sa po na i merr mendtë

Paguhet apo nuk paguhet? “Kush ka mundësi, të presë”
këshillojnë nga Patronatet, të paktën deri sa të mbërrijë vendimi i ri i
Këshillit të Shtetit. “Imigrantët të çorientuar dhe të nxehur”

– Loja me taksën mbi leje qëndrimet po bëhet aq e vështirë
sa po na iu merr mendtë emigrantëve. Kontributi nga 80 deri në 200 € mbi
lëshimet dhe përtëritjet e lejeve të qëndrimit, i gjykuar si i tepruar plot një vit më parë nga Gjykata evropiane e
drejtësisë dhe i hequr nga TAR i Lazios në maj, nga mesi i shtatorit
është 
kthyer sërish në
fuqi përkohësisht nga Këshilli i Shtetit
, që më 13 tetor duhet të vendosë,
nëse do të konfirmojë ose jo, gjithnjë përkohësisht, atë vendim. Ndërkaq,
kuesturat kërkojnë
paratë
.
Situata bëhet kaotike, qoftë për imigrantët, qoftë për ata që i ndihmojnë të
paraqesin kërkesat për lejet e qëndrimit. “Po  këshillojmë ata që
duan të përtërijnë lejen e qëndrimit të presin, të paktën deri të enjten e
ardhshme, kur do të japë vendimin Këshilli i Shtetit. Atyre që kanë urgjencë të
paraqesin kërkesën apo që duan të tërheqin dokumentin e gatshëm në Kuesturë, u
këshillojmë të paguajnë kontributin”, thotë për Stranieriinitalia.it Pino Gulia, përgjegjës për imigracionin i
pattronatit Aclli, sipas të cilit shumë qytetarë të huaj “janë të çorientuar e
nuk arrijnë të kuptojnë çfarë po ndodh”. Po Kuesturat, informojnë? “Kanë vënë
lajmërime, por mbi të gjitha, u kanë kërkuar të gjitha shoqatave në territor të
informojnë emigrantët. Operatorët tanë gjenden mes kudhrës dhe çekanit, janë
ata që u dalin përballë emigrantëve. E merrni me mend ç’do të ndodhte, nëse do
të mbyllnim sportelet e do t’u thoshim të gjithëve të shkonin të kërkonin
shpjegime në Kuesturë…”. Edhe në sportelet e Anolf Cisl të Milanos rregulli
është “kush mundet, të presë” siç konfirmon presidenti Maurizio Bove: “Po të
ketë kohë, është më mirë të mos rrezikohet që të paguhet taksa e më pas të
kërkohet rimbursimi, nëse gjykatësit vendosin ta heqin përsëri. Të huajit, ama,
janë të çorientuar e të nxehur, sidomos ata që kishin paraqitur kërkesë gjatë
muajve të shkuar pa paguar e që tani u kërkohet të bëjnë integrimin e praktikës
duke derdhur shumën e kërkuar”. Në të vërtetë, nënvizon Bove, pjesa më e madhe
janë të gatshëm të paguajnë një kontribut për lëshimin dhe përtëritjen e lejes
së qëndrimit. “Me kusht që të jetë i arsyeshëm. Të paguash 100 euro për një
leje qëndrim që zgjat vetëm një vit është e ekzagjeruar. Nëse nuk duan të ulin
çmimet, të paktën të zgjasin vlefshmërinë e lejeve të qëndrimit, duke kthyer
ato me kohëzgjatje 2 e 4 vjeçare, ashtu siç ekzistonin para ardhjes në fuqi të ligjit
Bossi-Fini, në mënyrë që përtëritjet të ishin më të rralla”. Ndërkaq Inca e
Cgil, që kanë çuar përpara ankimin kundër taksës mbi lejet e qëndrimit e që më
13 tetor do të jenë në seancën e Këshillit të Shtetit, vazhdojnë në rrugën e
tyre. Pas Ternit, Modenës, Arezzos, Bergamos dhe provincave të tjera italiane,
të enjten manifestuan në shesh përpara prefekturës në Firence. “Qytetarët e
huaj që takojmë përditë kanë të drejtën e një qëndrimi koherent, të një
normative të qartë e në përputhje me sa u takon sipas të drejtës kombëtare dhe
asaj evropiane” shkruajnë Maurizio Brotini nga Cgil Toskana dhe Giorgio
Cartocci i Inca Cgil eToskana. “Është e nevojshme t’u japim zë të gjithë këtyre
personave që besojnë te ne e që po ndihmojmë me praktikat e qëndrimit. Do të bëjmë
ç’të mundemi për të çuar përpara të drejtat e punonjësve dhe shtetasve të huaj.
Kërkesat e drejta – nënvizojnë Brotini e Cartocci – nuk ndalen as përpara
bashkëbiseduesve të shurdhër”.