Takim pas 18 vjetësh me mikun tim Kiço Xhaferri

331
Nga Jorgo ZARBALLA 
Livadhjaja, e mirënjohura jonë, nga fshat i vogël në dhjetëvjeçarin e 1950-ës, në vitet e mëvonshme shtriu gjerësisht krahët e tij, ndërroi emrin dhe filloi shumë shpejt të zbresë tatëpjetë, derisa brenda pak vitesh gjeti vendin e saj fiziologjik. U deshën vetëm disa vite pas rënies së diktaturës komuniste qe të marrë vrull dhe të behet një qendër reale, një qytezë e vërtetë, me shumë dyqane bashkëkohore, dhe artizanale, shtëpi luksoze dy dhe trekatëshe, sheshi qendror i sistemuar e të tjera. Por ne, më të mëdhenjtë në moshë, kemi ngelur të kapur nga kujtimet e shkuara. Në ato vite të vështira , na janë strehuar thellë në kujtesën tonë, skena dhe çaste të paharruara të kohës së vjetër dhe sigurisht miqtë tanë të vjetër e të dashur. Ngelemi të ngjitur pra, me atë Livadhja të vogël, me banorët e saj të urtë, fjalëpakë dhe bujarë, me miqtë tanë të vjetër e të mirë. Ato vite, pra, vjeshtën e 1959-ës, u njoha për herë të parë, me të njohurin për të gjithë, mikun tim, Kiço Xhaferri. Isha vetëm 18 vjeç dhe punoja si mësues i ciklit të ulët në shkollën e Livadhjasë. 

…Në një nga ditët, kur frynte dhe binte shi me gjyma, shkolla fillore, që ishte ndërtuar tutje në kodër dukej si e braktisur, me xhama të thyera dhe fëmijët që ngrinin nga i ftohti. I revoltuar zbova fëmijët nga shkolla për në shtëpi dhe zbrita në qendër që të ankohesha. I pari që m’u afrua, ishte Kiçoja. Ishte iri atëherë, me një vështrim të pastër dhe njerëzor, me flokë të zeza, të dendura dhe të valëzuara, i qeshur dhe i vetëpërmbajtur. 

-Çfarë ka ndodhur dhe je i irrituar ,mësues? -më pyeti. 
-Mund të bëhet mësimi kur fëmijët dridhen nga i ftohti, kur fryn brenda në klasë njëlloj si jashtë?- i them. 

-Mos u mërzit –më tha- E di. Tani menjëherë do të dërgoj njeri të bëjë çfarë duhet- U fut në dyqan , mori një orë tavolinë dhe më tha: -Merre dhuratë nga unë për shkollën. Kiçoja atëherë ishte diku te njëzet e pesë vjeç. Punonte magazinier i kooperativës dhe ishte edhe sekretar i rinisë së fshatit. Prejardhja e tij, nga Livadhjaja. Lindur e rritur në të. Nga fisi Xhaferri. Një nga më të njohurit në Livadhja. Që i vogël ngeli jetim nga babai dhe shumë i njomë u hyri mundimeve të jetës. Ku t’i gjente mundësitë për shkollë e dije?! Një familje e terë duhej mbajtur. Kushtet e njohura, mundësitë e kufizuara, gjendja e pa parashikueshme. E vetmja rrugë edhe për të riun Kiço, ishte puna dhe heshtja. Durim dhe gjakftohtësi. Duke qenë i qetë dhe i nderuar, punëtor dhe popullor, me qëndrimin e njohur tolerant, jo vetëm në Livadhjanë e tij, por edhe në fshatrat përreth gjatë gjithë kohës, që atëherë e deri ne rënien e regjimit, kishte ndërtuar respektin për prezencën dhe rolin e tij në Livadhja e me gjerë. Jetoi me të njëjtat shqetësime dhe ankthet si të gjithë të tjerët. Dikur punëtor, pastaj magazinier, më vonë brigadier në bujqësi, pastaj kryetar i zgjedhur në të ashtuquajtur atëherë Këshillin e Bashkuar, dhe më pas sekretar i Byrosë së Partisë të kooperativës. Nga çdo pozicion, lart a poshtë në hierarkinë, kontribuoi sa mundi, kurdoherë pozitivisht, dha maksimalisht në komunitet, punoi i palodhur që t’u shërbente njerëzve dhe zonës. -Me ato që dëgjojmë dhe lexojmë vitet e fundit nga shumë kalemxhinj dhe qeveritarë në institucione, duhet, ne të atëhershmit , nëpunës të thjeshtë e të mesëm të shtetit të asaj periudhe, të ndërgjegjshmit me gjithë kuptimin e fjalës, të konsiderohemi, siç thonë: “ë privilegjuarit e regjimit”, dhe diçka me e keqe akoma, “veglat e regjimit”?- pyet Kiçoja veten dhe pas pak me logjikën e tij praktike, përgjigjet po vetë –Po të jetë kështu, atëherë cilët vallë nuk ishin në atë kategori dhe cilët nuk i shërbenin sistemit e atëhershëm?! Nëpunës shtetërorë, ushtarakë, mësuesit, kuadrot e kooperativave dhe të dhjetëra ndërmarrjeve. Të gjithë këta duhet të konsiderohen ‘të privilegjuarit’ dhe me të dhënat e sotme ‘negativët’?! Sigurisht, jo. Të gjithë ishin qytetarë dhe duhej, ishin të detyruar, të punonin dhe të jetonin. Dhe ata që sot paraqiten si luftëtarë dhe si disidentë, edhe ata me të njëjtin përkushtim punonin, mundet edhe më të spikatur. Tutje dhe veç nga dhjetëra dhe qindra viktima të vërteta të regjimit që e kaluan rininë padrejtësisht në burgje dhe internime. Lere!. që në asnjë shoqëri deri tani nuk pamë drejtësi e liri të vërtetë. Se vallë, do të na servirte ato të mira ish-sistemi diktatorial? Përkundrazi. U krijua për të shtypur dhe për të përçudnuar njeriun, qytetarët e vet. Sa për kooperativën në të cilën punova terë jetën, gjërat ndryshojnë. Dhe ndryshojnë kaq shumë! Një sistem i tërë i gabuar që në rrënjë; në teori e praktikë. Në çdo hap, në çdo nivel. Ç’farë mund të jepte Kiçoja, ose çdo Kiço tjetër nga pozicioni i tij i vogël që i kishin ngarkuar? Pyetje shumë e vështirë. Para së gjithash të kujdeset për veten e tij. Dhe si ishin ato vite në modë, sa deshën t’i shmangeshin gjoja shprehjeve dhe opinioneve të ndryshme, të cilat patjetër regjistroheshin, i kthenin në shaka, anekdota dhe në gjëra për të qeshur. Në asgjë domethënë. Dhe Kiçoja në atë temë shërbente. Pas heshtjes dhe gjoja seriozitetit do të shmangte të bukurat për bashkëbiseduesin ose çdo njeri tjetër. Dhe sigurisht gjakftohtësia dhe logjika. Ndiqte zhvillimet, peshonte mirë e mirë ngjarjet, propozonte zgjidhjen e përshtatshme, hidhte hapat dhe kujdesej në çdo hap qe hidhte. Dhe pastaj brenda kornizës së lejuar nga pozicioni që kishte, ta trajtonte me mënyrën më të mirë që kalonte nga dora e tij. Këtu kujtojmë dhe i referohemi dhjetëra rasteve qe iu desh të heshtte, të ndërhynte, të këshillonte, të zbuste, të anashkalonte, të gjykonte njerëzisht, të falte, gjithmonë me qëllimin e mirë, kurdoherë të ndihmojë. Nuk ishte aspak e lehtë, jo vetëm për mua, por për çdo njeri, të ishe kryetar i Këshillit të Bashkuar, diçka si kryetar komune tashti, dhe pastaj sekretar i byrosë së partisë së kooperativës, nga viti 1972 deri në 1985, në periudhën historike, më kritike dhe të acaruar që kaloi vendi ynë. Dua të them, se nuk ishte kaq e lehtë të durosh në një litar të komplikuar ekuilibrat. Ekuilibër me të mëdhenjtë , ekuilibër edhe me ata poshtë, ekuilibër me organet dhe bashkëpunëtorët, ekuilibër edhe me vetë veten tënde, me tjetrën vetën tende, të vërtetin , njerëzorin, prapa palltos së nëpunësit. Prandaj dhe në gjithë atë periudhë të ‘komunikatave’ këtu në zonën tonë me kaq mbikëqyrje shtetërore të përforcuar dhe të hapur, nuk kishim veçse shumë pak raste ngjarjesh negative. Kujdeseshin njerëzit. Kishin mendjen njerëzit. Kishim mendjen edhe ne. Përpiqeshim të mos u jepnim shkas. Tjetër gjë, nëse të mbajturit, duhet të vepronin. Kë do të pyesnin tjetër? Njerëzit kishin mënyrën e tyre që të kundërshtonin. Zjarri ishte në kraharorët tanë dhe digjej fshehurazi. Prandaj, edhe unë si person kurrë nuk kisha reagime, nuk isha i parespektuar dhe nuk isha i pavlerësuar nga njerëzit e fshatit tim dhe të fshatrave përreth. Përkundrazi , edhe tani që flasim, pavarësisht se jam 75 vjeç,vazhdoj të kontribuoj këtu në fshatin dhe vendin tim. Këtu e 7-8 vjet jam zgjedhur përgjegjës i komisionit të kishës së Shën –Kostandinit, kishës së re të fshatit tim. Njerëzit më zgjodhën, bashkëfshatarët e mi. Me një fjalë, tani gjykohen të gjitha, akoma edhe kritizerët. Sa shpejt kalojnë vitet! Dhe jeta rrjedh si uji. Kaluan plot pesëdhjetë vjet kur hyra për herë të parë në shtëpinë e vogël përdhese të Kiço Xhaferrit, atje në majë të kodrës. Një kodër që fliste e komunikonte me një horizont të pafund. Dhe brenda saj dy krevate dhe një tavolinëz, ky ishte gjithë mobilimi. Miqësor dhe bujar ambienti. Nëna e Kiços, teto Kostando, pamje perëndeshe. Dhe Polikseni e vogël, njëvjeçare, sa qëndronte në këmbët e saj, dhe babai i saj i këndonte duke e mbajtur nga të dyja duart. Pastaj, me shumë mundime filloi të ndërtojë shtëpinë tjetër të re, në kodrën e përtejme, poshtë shkollës fillore ku kam qenë unë dikur mësues. Që atëherë, pavarësisht që u ndanë rrugët tona, nuk i humba kontaktet me Kiçon. Ç’o takim me Kiçon, do të ishte një çast i kënaqshëm dhe i bukur. Rënien e sistemit e priste dhe e përballoi si të gjithë ne. -Duhej të ishte bërë me kohë -thotë. Asnjeri s’duhet të kërkojë të fitojë kredibilitet, luftoi pak më shumë se dikush tjetër nga tanët për përmbysjen e sistemit. Mund ta kem edhe gabim, nuk e di. Nuk shkonte më, me asgjë. Ishin pjekur kushtet. Edhe vetë ata nxorën sytë e tyre. I mbyti zemërimi dhe mallkimi i popullit tonë. Mirë t’u bëhet. Për herë të parë të na iki nga lart mbulesa e robërisë dhe e shtypjes, të marrë frymë vendi ynë. Dhe ne të ngopemi në Greqi me ato që na i kishin mohuar plot 50 vjet. Fëmijët e tij kaluan në Greqi si më të shumtit e tanëve. Dhe ai me zonjën Evanthi, këtu. Në tokën atërore. Të bëjë çfarë të mundet. Në shtëpi, në kopsht, në fshat, të ndihmojnë sa të munden fëmijët dhe nipërit e tyre. Pensionist tashmë Kiçoja, ndjek zhvillimet, ndryshimet, ngjarjet, çdo gjë që ndodh rreth nesh. Dhe si është logjike, bën krahasime, vlerëson situatat, bën apologjinë e jetës. Sigurisht që e mirë është Greqia. Por çfarëdo që të themi, kurbet është. Dhe djemtë tanë duhet ta nisin nga e para. Të përshtatemi dhe të punojmë ashpër. Të fitojmë kohën e humbur. Nuk bën shaka kapitalizmi, të humbasësh kohën kot. Të mos themi edhe më keq. Krejt padashur kthen vështrimin te fotografia e nipit që në moshë shumë te re humbi jetën ‘tutje’ në një aksident rrugor. Që të hapë një plagë në zemrat e të gjithëve. Mister është jeta! Asnjërin nuk e lë pa gjë. Të godet pa mëshirë sikur do të të provojë. Atje në verandën e re, u ulëm atë pasdite, 30 Prill 2008. Dy ditë pas Pashkëve dhe një ditë para 1 Majit. Ditët me të bukura të vitit. Kiçoja, Evanthia, si gjithmonë të dashur e mikpritëse, Jorgoja, i biri me gruan, Evangjelinë, që erdhën nga Preveza, dy nipërit. Zhytemi për disa çaste në mendime, ëndrra, nostalgji, kujtime, e tashmja me të shkuarën , djemtë tanë, bota rreth nesh, jeta. I thamë me Kiçon. Pas 18 vitesh ndarjeje. Një pasdite e paharrueshme në Livadhja, në shoqërinë e Kiço Xhaferrit.