Tahiri takon Prokurorin Roberti: Pas drogës, hetim të pasurive kriminale!

462
Sigal

TIRANE – Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri zhvilloi sot një takim me Prokurorin Kombëtar të Antimafias Italiane, Franco Roberti, gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë. Takimi u fokusua në çështje me interes të përbashkët të të dy vendeve, duke e vënë theksin te hetimi i aseteve kriminale dhe pastrimi i parave me burim kriminal.

Në fjalën e tij Ministri Tahiri theksoi angazhimin e plotë të Policisë së Shtetit që pas rezultateve në luftën kundër drogës, do të kthehet në prioritet hetimi i pasurive të pajustifikuara dhe aseteve kriminale. Ministri u shpreh për domosdoshmërinë e shtrirjes dhe forcimit të bashkëpunimit mes organeve ligjzbatuese në të dy anët e kufirit, duke shtuar se mafia dhe organizatat kriminale nuk kanë barriera mes tyre.

Ndërsa nga ana e tij, Prokurori Roberti i bëri me dije Ministrit Tahiri se Shqipëria është vendi prioritar për Italinë dhe se mbeten të gatshëm të ofrojnë ndihmë dhe ekspertizë, për konsolidimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gjithashtu gjatë takimit, Prokurori Kombëtar i Antimafias e ftoi Ministrin Tahiri për një vizitë zyrtare në Romë.

Prokurori Kombëtar i Antimafias Franco Roberti, prej ditës së djeshme po zhvillon një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me homologun e tij Adriatik Llalla, Ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe Presidentin Bujar Nishani. Në takimet e zhvilluara, Roberti u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të bashkëpunojnë në luftën ndaj krimit të organizuar.