Tahiri në Klos,në ndihmë të familjeve në nevojë

542
Sigal

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte në Klos të
qarkut të Dibrës, një nga zonat më të prekura nga moti i acartë i ditëve të
fundit. Tahiri pa nga afër ndarjen e ndihmave për familjet në nevojë në kushtet
e të ftohtit polar.

Tahiri: Po i gjendemi familjeve në nevojë me
bazën minimale për ushqime dhe veshmbathje në mënyrë që gjithë ata që kanë
probleme me kushtet e jetesës për shkak të motit të mos gjenden vetëm dhe të
mos kenë probleme me shëndetin.

Emergjencat Civile në bashkëpunim me Forcat e
Armatosura kanë nisur shpërndarjen e ndihmave me helikopter në zonat e izoluara
nga bora dhe ngricat.

Në përgjigje të kërkesave të Drejtorisë së
Përgjithshme të Emergjencave Civile, helikopterët e Forcës Ajrore kanë kryer
disa fluturime për shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara.

Një helikopter “Cougar” i Forcës Ajrore ka
shpërndarë pako me ndihma ushqimore dhe batanije për banorët e fshatrave Arrën
dhe Kalis në Kukës.

Ndihmat e shpërndara për banorët e këtyre fshatrave
të izoluar prej disa ditësh janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e
Rezervave Materiale të Shtetit.

Helikopterët e Forcës Ajrore po qëndrojnë në
gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo emergjence dhe në bashkëpunim me Drejtorinë
e Përgjithshme  të Emergjencave Civile për shpërndarjen e ndihmave për
banorët e zonave të thella.

Gjithashtu, efektivët dhe mjetet e rënda të Forcave
të Armatosura mbeten të angazhuara edhe në hapjen e rrugëve rurale, që janë
ende të bllokuara nga bora.