Tahiri me homologun francez: Bashkë në luftën ndaj krimit të organizuar

611
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha në një konferencë për shtyp me homologun e tij francez Bruno Le Roux se dy vendet janë të angazhuar për të luftuar terrorizmin, krimin e organizuar dhe luftën kundër korrupsionit.

Tahiri tha se gjatë takimit është rënë dakord të ngrihen grupe bashkëpunimi në luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit.

“Informova homologun tim për hapat e mëdha të bëra nga policia në luftën ndaj krimit, duke sekuestruar miliona para si dhe për Vettingun si pjesë e qenësishme e luftës ndaj shkeljeve ligjore. Prandaj Reforma në Drejtësi është thelbësore për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për të vijuar më tej në dënimin sipas ligjit të shkelësve të ligjit”, tha Tahiri në fjalën e tij.

Duke folur për marrëdhëniet me qeverinë franceze, Tahiri i cilësoi ato si të shkëlqyera ndërsa shtoi se “jemi duke eksploruar çdo mundësi për të pasur rezultate më të mirë nëpërmjet shkëmbimit të informacionit veçanërisht në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, sepse asgjë që ndodh në Shqipëri apo në Francë nuk është e izoluar për sa kohë kemi të njëjtat sfida dhe kërcënime”.

Gjithashtu, Tahiri e ka informuar homologun francez lidhur me sekuestrimin e aseteve kriminale.”Ndonëse 100 mln euro të sekuestruara në 3 vjet janë shumë më shumë krahasuar me të kaluarën, por janë edhe një nxitje për të bërë më shumë”.

Ministri i Brendshëm francez, Bruno Le Roux tha se vizita vjen në kuadër të bashkëpunimit me dy vendeve, i cili do të forcohet në 28 mars ku dy kryeministrat do të nënshkruajnë në Paris një marrëveshje partneriteti.

“Vizita ime është në kuadër e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, marrëdhënie të cilat më 28 mars do të forcohen akoma më tepër me nënshkrimin në Paris të dy kryeministrave tanë në kuadër të strategjisë dhe partneritetit. Sot ishim konkretë për pikat që do zgjerojmë këtë bashkëpunim veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Ne duam të forcojmë luftën kundër personave që shfrytëzojnë territorin për të vjedhur”, tha ai.

Ai shtoi se ky bashkëpunim ekziston por ne duam ta thellojmë sepse jemi të interesuar për çrrënjosjen e këtyre fenomeneve.

“Franca është një vend që pret dhe di të presë njerëzit, por ajo pret që të vijnë me kushte të rregullta. Mirë se vinë studentë, artisë shqiptarë e që duan të vizitojnë vendin tonë. Por ne kemi synim të intensifikojmë politikat kundër emigrimit të paligjshëm”, deklaroi ministri francez.

Dy ministrat vizituan edhe Sallën e Informacionit dhe Komandimit (112) në Drejtorinë e Policisë Tiranë.
Sigal