Tahiri: Lufta kundër ekstremizmit prioritet i qeverisë shqiptare

555
Lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit fetar është kohët e fundit në fokusin e mbarë botës, sot u bë objekt edhe i konferencës së organizuar nga ministria e Punëve Të Brendshme. 
Në këtë konferencë me temën ““Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi” morën pjesë një panel që përbëhej nga përfaqësues të komunitetit mysliman autoritete të politikës shqiptare si dhe ambasadorë. Ministri Tahiri theksoi se qeveria e ka prioritet luftën kundër radikalizmit fetar dhe theksoi se “toleranca fetare në Shqipëri është element kyç kundër ekstremizmit”, Ministri shtoi gjithahstu se do të ndiqen ngushtë personat që synojnë pjesëmarrjen në luftërat e ekstremizmit”.
Nga ana e tij, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, tha: “E pranojmë që kemi probleme sociale dhe plani ynë i punës është të mbështetemi te komunitetet fetare për t’i zgjidhur këto probleme”.
Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin, u shpreh: “Për të luftuar ekstremizmin fetar kërkohet bashkëpunim nga të gjitha vendet”.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, tha se njerëzit duhen ndërgjegjësuar për pranimin e diversitetit: “Jemi munduar të ndërgjegjësojmë qytetarët, po përpiqemi të luftojmë dhe parandalojmë bindjet që mund të çojnë njerëzit drejt ekstremeve. Ndërgjegjësimi i individëve për pranimin e diversiteteve është i rëndësishëm”.
Në konferencë u prezantuan gjetjet e studimit për radikalizimin fetar dhe ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri, me fokus specifik tek konteksti i faktorëve mundësues, nxitësit, kërcënimet dhe risqet. Kjo konference synon të nxisë aktorët shtetërorë, komunitetet fetare, shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë për të punuar së bashku në parandalimin e këtij fenomeni. 
Sigal