Tahiri letër “La Repubblica”: Përgënjeshtro shkrimin mbi ISIS në Shqipëri, për fat të keq nuk është hera e parë që ndodh

492
Sigal

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i kërkon të përditshmes italiane La Repubblica të Barit të përgënjeshtrojë artikullin me titullin “Terrorizmi, flamujt e ISIS-it në fshatrat e Shqipërisë. Fuçi baruti për Puglia-n”.
“I gjithë artikulli është bazuar mbi të pavërteta flagrante, deformime dhe akoma më keq, gënjeshtra që shpresoj të jenë të qëllimta” thotë Tahiri
Përmes një letre drejtuar pikërisht Drejtorit përgjegjës Ezio Mauro, ministri kërkon përgënjeshtrim dhe që artikuj të tillë të mos publikohen pa kërkuar informacion zyrtar të autoriteteve të shtetit shqiptar.
“Sidomos kur dizinformimi nxit mosbesimin mes partnerëve në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”
Tahiri tërheq vëmendjen për artikullin, i cili njëkohësisht shpreh shqetësim të kuptueshëm dhe të mirëkuptuar ndaj një rreziku të përbashkët si terrorizmi, por jep gjithashtu një lajm spekulativ, bazuar në të pavërteta flagrante, deformime dhe akoma më keq, gënjeshtra, pa verifikuar burimet e informacionit.
Saimir Tahiri: “Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që ndodh, duke cenuar imazhin e Shqipërisë në sytë e lexuesit tuaj, por shpresoj shumë të jetë e fundit”, shkroi në letrën e tij ministri.
Tahiri vlerëson rolin e medias në informimin publik, por sqaroi që do kishte qenë profesionale dhe raportim i të vërtetës nëse përpara publikimit gazetarët të kontaktonin autoritetet zyrtare shtetërore të Shqipërisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit, të cilat japin pa asnjë pengesë çdo të dhënë në lidhje me problemin e “foreign fighters” apo “celulave” që mund të kenë lidhje me të ashtuquajturin ISIS.
“Besoj është shumë e tepërt t’Ju sqaroj se në vendin tonë, nuk ka asnjë fshat ku “ngrihet” flamuri i ISIS, kësisoj asnjë rrezik i shtuar nuk i vjen Italisë, përveç rrezikut të përbashkët, nga i njëjti armik i përbashkët, terrorizmi.
Është kjo arsyeja që ju shpreh keqardhjen për shkrime të tilla që jo vetëm nuk i përputhen të vërtetës, por shtojnë premisa për më shumë mosbesim”, mbyll letrën e tij ministri i Brendshëm Tahiri.