Tahiri: Kanabisi legal jo kurajë për shkelje ligji, nisim tjetër aksion

577
TIRANE – Legalizimi i kanabisit për mjekësi, një nismë e deklaruar publikisht nga deputeti socialist Koco Kokëdhima, nuk duhet t’i japë kurajë paligjshmërisë. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ndërsa paralajmëroi një tjetër aksion antikanabis në vend, në përmasat e atij që u ndoq në fshatin Lazarat gjatë vitit të kaluar.
“Do të jetë viti i dytë që Shqipëria nuk do të jetë më vend origjine për trafikimin e lëndëve narkotike. Njëlloj si vjet, nuk do lejojmë kultivimin por do të shkulim çdo rrënjë kanabis në çdo cep të Shqipërisë, sepse nuk mund të lejojmë kurrë që ekonomia kriminale të kriminalizojë çdo të rinjtë e të rejat, këtu dhe jashtë kufirit. Ndaj e shfrytëzoj këtë rasat për ti bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë menduar se ai i vjetshmi ishte veç një aksion apo që kanë marrë kurajo për të mbjellë kanabis të nxitur edhe nga debatet për legalizimin e hashashit, të mos i hyj njeri rrugës së krimit duke mbjellë kanabis sepse asnjë rrënjë në tokë e nëntokë, nuk do lejohet të furnizojë tregun kriminal të drogës në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Mbledhja e informacionit në të gjithë Shqipërinë ka filluar e një operacion i gjerë do fillojë shumë shpejt, njëlloj si vjet, sepse ne nuk kemi aspak ndërmend të kthehemi mbrapsht në rrugën tonë”, tha Tahiri. 

 Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri 
Sigal

Përshëndetje, nuk ka asgjë për t’u habitur pse është më e kollajtë të sulmohet Policia e Shtetit se sa të flitet për respektimin e rregullit e të ligjit. Por ju mos u dekurajoni, përkundrazi! Të punoni me më shumë forcë. Mos u habisni pse është më e lehtë dhe votohet për anti-vlerat, për thashethemet e konsumit, madje edhe për legalizimin e hashashit, padashje, duke i dhënë kurajo paligjshmërisë.

Ju nuk e keni mundësinë të dekurajoheni, përkundrazi! Duhet të punoni me më shumë ndershmëri dhe me më shumë besim tek vetja dhe tek ligji. Sepse në këtë rrëmujë të madhe dhe të stisur, secili prej jush ka detyrën e përditshme t’i mbetet besnik ligjit, edhe atëherë kur kjo duket tepër e vështirë. Edhe atëherë kur t’ju duket se keni shumicën kundra.

Duke besuar më shumë tek vetja, sesa tek modeli jo shpesh i rregullt i atyre që do gjeni. Duke mësuar virtytet nga kolegu që keni në krah dhe jo veset. Duke punuar me mentalitetin e shqyrtimit ndaj qytetarëve e jo të dhunës apo represionit. Duke u bërë shembull ju më së pari në familje, në shoqëri dhe në profesion, sepse vetëm si qytetarë të mirë dhe besnikë të ligjit mund të kryeni me ndershmëri dhe vullnet detyrën që po merrni përsipër nga sot.

Politika ka plot kusure të saj shumëvjeçare, ashtu siç ka dhe plot vlera që jo rrallë dalin në sipërfaqe, por nuk është shoku juaj, në detyrën që bëni, as themeli juaj, ndaj gjejeni mbështetjen vetëm tek ligji, tek merita, tek profesionalizmi juaj dhe tek vlerat tuaja. Jo te shokët, as te miqtë, as te tarafi dhe sekserët. Se këto ju lënë vetëm në të gjitha rastet. Merita, profesionalizmi dhe aftësia nuk do ju lënë ndonjëherë vetëm.

Rruga është e vështirë, sepse krimi është më i sofistikuar se Policia e Shtetit, ka më shumë para se Policia, ka më shumë mundësi të ketë miq në politikë, siç mund të blejë media, ashtu siç mund të blejë

dhe drejtësinë. Por nuk ka një gjë dhe s’do ta ketë kurrë: – të drejtën! Sepse të drejtën nuk e blen dot askush. As me pushtet dhe as me para.

Ndaj ju sot jeni para testit të madh, jeni para testit të përgjithshëm përballë me qytetarët, të garantoni ligjin, duke filluar nga vetja, miqtë dhe të afërmit tuaj dhe pastaj nga shoqëria në tërësi. Ju jeni mishërimi më i mirë i gjeneratës së re të Policisë së Shtetit.

Ky do të jetë viti i reformimit teknologjik të Policisë. Qeveria dhe Kryeministri, ashtu si edhe unë personalisht besojmë se mbështetja e pakursyer ndaj Policisë është rruga më e mirë për të garantuar eficiencë dhe rezultate solide në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe për të garantuar sigurinë e jetës dhe të pronës së qytetarëve. Për këtë arsye qeveria do të vazhdojë të mbështesë me më shumë forcë Policinë e Shtetit me investime në infrastrukturë, teknologji, në burime buxhetore dhe ekspertize, së bashku me partnerët ndërkombëtarë.

Është për këtë arsye që Byroja Federale e Hetimit në SHBA, Agjencia më prestigjoze në botë, ka nisur konkretisht punën së bashku me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit. Si nga struktura, detyra, baza e të dhënave, marrëdhëniet me institucionet e tjera. Por edhe më shumë se kaq, rekrutimin e oficerëve të Policisë së Shtetit, edhe nga ju, duke garantuar pastërtinë, ndershmërinë dhe profesionalizmin e tyre, dhe deri të ndjekja e përditshme e punës për operacione të përbashkëta ndërmjet Byrosë tonë Kombëtare të Hetimit dhe Byrosë Federale të Hetimit.

Ky sigurisht do jetë viti i konsolidimeve të rezultateve tona kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ashtu siç do të jetë viti i dytë që Shqipëria nuk do të jetë më vend origjine për trafikimin e lëndëve narkotike. Njëlloj si vjet, ne nuk do të lejojmë kultivimin, por do të shkulim çdo rrënjë kanabisi në çdo cep të Shqipërisë.

Sepse ne nuk mund të lejojmë kurrë që ekonomia kriminale të kriminalizojë të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Ndaj e shfrytëzoj këtë rast, para jush dhe bashkë me ju, për t’u bërë thirrje të gjithë atyre që kanë menduar se ai i vjetshmi ishte vetëm një aksion, apo që kanë marrë kurajo për të mbjellë kanabis, qoftë dhe të nxitur nga debate për legalizimin e hashashit, askush të mos i hyjë kësaj rruge duke mbjellë kanabis, sepse është rruga e krimit! Sepse asnjë rrënjë në tokë dhe nën tokë nuk do të lejohet të furnizojë tregun kriminal të drogës në Shqipëri, apo jashtë Shqipërie.

Mbledhja e informacionit në të gjithë territorin ka filluar. Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit do të fillojë shumë shpejt, njëlloj si vjet. Sepse ne nuk kemi aspak ndërmend të kthehemi mbrapsht në rrugën tonë.

Kontributi juaj edhe në këtë luftë është thelbësor, ashtu siç është jetike aftësia juaj për të edukuar frymën e ligjit në çdo hap të punës suaj. Ne po ecim me shpejtësi drejt gjeneratës së re të Policisë së Shtetit, më të re në moshë, më të edukuar, më të përgatitur profesionalisht dhe më të pajisur me infrastrukturë, teknologji dhe mundësi buxhetore.

Është për këtë arsye, që Akademia e Lartë e Policisë së Shtetit, do të nisë shumë shpejt kurset e arsimit të lartë për oficerët e policisë, për të pasur në vitet e ardhshme, e them pa ekzagjerim, Policinë më profesionale dhe më të përgatitur në rajon.

Ju jeni prova e parë e vullnetit tonë për të garantuar një standard të ri në jetën e përditshme të qytetarëve me më shumë siguri në jetën dhe në pronën e tyre. Ndaj ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj!