Tahiri: Ata që kanë guxuar të qëllojnë mbi policinë, do të marrin përgjigje

490
Një gjuhë të ashpër ka përdorur ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ndaj grupit kriminal në kërkim i cili vrau gjatë aksionit policor për kapjen e tyre efektivin e RENEA-s Ibrahim Basha në Lazarat. “Ata që guxuan të qëllojnë mbi policinë do të marrin përgjigjen më të pashembullt”, u shpreh ministri ndërsa la ambientet e drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës.
Duke e cilësuar një akt banditesk dhe terrorist, ministri Tahiri tha se për të mos lejuar përsëritjen e situatave të tilla, Policia është e gatshme të bëjë gjithçka përballë garantimit të sigurisë për çdo qytetar.
“Janë momente të vështira për Policinë e Shtetit, por kam besim që solidariteti i çdo shqiptari shkon për punonjësit e policisë që edhe në këto momente po vënë jetën në rrezik. Të gjithë ata që kanë qëlluar me armë ndaj policisë do marrin përgjigjen më të pashembullt. Ne jemi shumë të gatshëm të bëjmë gjithçka për të garantuar që shteti ligjor të vihet në çdo centimetër katror të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye jemi të vendosur të mos tolerojmë në asnjë mënyrë që terroristë të tillë të shkaktojnë të tilla situata. Të gjithë ata që kanë qëlluar kundër policisë do marrin përgjigjen e duhur ligjore. I kam bërë thirrje banorëve të Lazaratit, kjo edhe vjet, dhe e bëj përsëri; për tu solidarizuar me Policinë e Shtetit. Ne besojmë se banorët e ndershëm janë krah për krah me Policinë e Shtetit”, u shpreh Tahiri.
Ministri gjeti rastin t’i bëj apel opozitës që të lërë akuzat dhe të vihet krah policisë.
“I bëj thirrje përfaqësuesve politikë në Tiranë e Gjirokastër të mos përdorin gjuhë me dy kuptime, por të dënojnë pa asnjë ekuivok këtë krim dhe të rreshtohen në krah me Policinë e Shtetit”, përfundoi ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri  
Sigal