Ta presim me nderim dhe dinjitet 100-vjetorin e nxjerrjes nga nëntoka të litrave të parë të naftës shqiptare

Albert Z. ZHOLI

INTERVISTA/ Flet inxhinieri gjeolog, Prof. Alfred Frashëri 

-Në industrinë e naftës, punonin 25 mijë punonjës, midis tyre 2.800 inxhinierë dhe teknikë
-Atdheu nuk mund të ketë pavarësi dhe përparim pa bukë dhe pa naftë!

Pusi i parë për kërkimin e naftës në Shqipëri filloi shpimin njëqind vjet më parë, më janar 1918 në Drashovicë të Vlorës, i projektuar nga gjeologu italian, profesori Leo Madalena dhe inxhinieri i naftës, Moretti, mbi bazën e studimeve gjeologjike që ata kishin kryer në vitin 1917 në zonën midis lumit Vjosë dhe Gjirit të Vlorës. Pusi arriti thellësi afro 200 metra dhe u mbyll në gjysmën e dytë të vitit 1918. Me shpimin e tij, nga thellësia 101.6 metra u nxorën 3.500 litra naftë në ditë, ka shkruar inxhinieri naftëtar Zenel Hamiti në librin e tij “Historiku i vajgurit në Shqipëri” (1966). Në Drashovicë u ngrit dhe kantieri i parë i naftës në Shqipëri. Këto litra naftë, si dallëndyshja e parë, njoftuan për pasurinë e madhe që natyra i ka falur tokës shqiptare. Në vitin 1928 u shpua pusi i parë në Kuçovë, i cili dha 750 ton naftë e më pas, u zbulua edhe vendburimi i Patosit. Kështu filloi nxjerrja e naftës në Shqipëri, Shekulli i naftës shqiptare.

-Si e kujtoni dhe si ruhen në kujtesën tuaj zhvillimet e naftës në Shqipëri? 
Jeta, veprimtaria dhe ngjarjet gjatë saj ruhen në kujtesën tonë dhe rizgjohen ndër vite për të na kujtuar se si kemi jetuar e punuar, si jemi sjellë në shoqëri dhe ndaj punës, arritjet, gabimet, por mbi të gjitha për njerëzit, shokët e miqtë me të cilët kemi ndarë gëzimet dhe hidhërimet në rrugëtimin tonë të jetës prej naftëtari. Tani, që erdhi 100-vjetori i zbulimit të naftës në Shqipëri, kujtojmë me respekt njerëzit që me devotshmëri, entuziazëm, sakrifica punuan në kantierin e naftës në Patos, midis të cilëve punova edhe unë. E ndjeva si kërkesë shpirtërore, se duhet treguar për ata dhe punën madhore që bënë. Ky përvjetor më nxiti kujtimet dhe më lindi dëshira të marr penën dhe të shkruaj kujtimet e mia, të shpreh ndjenjat, që kam pasur dhe kam për ato vite. I kujtoj ata njerëz, punëtorë të pontit të manovrës në majë të sondës dhe kryesondistë, punëtorë të pastrimit të puseve, teknikë, ata inxhinierë të pakët, administratorët, por edhe mjekët, farmacistin dhe mësuesit e Patosit në ato vite. E kujtoj punën e tyre, vullnetin dhe sjelljen e tyre, me shumë dashuri dhe respekt, sepse kanë edhe qenë mësuesit e mi të parë në shkollën e madhe të jetës, kur më 1953-shin, pas bankave të Politeknikumit, fillova punën në puset e naftës. 

Naftëtarët në Patos, cilat ishin objektivat dhe arritjet e tyre gjatë viteve pesëdhjetë?
Naftëtarët, të ndërgjegjshëm për rëndësinë jetësore të naftës për atdheun, punuan me përkushtim, dije, dinjitet, sakrifica për arritjen e objektivave dhe zgjidhjen e detyrave në disa drejtime në vitet pesëdhjetë. Vendburimi Patosit, i zbuluar në fundin e dhjetëvjeçarit të viteve njëzet dhe rifillimin e atyre tridhjetë të shekullit të kaluar, për t’u venë në shfrytëzim të plotë shtronte detyra të veçanta, midis të cilave kryesoret ishin: 

Së pari, të konturohej vendburimi dhe të vlerësoheshin rezervat e naftës së tij. 
Së dyti, të plotësohej rrjeti i puseve të shfrytëzimit në përputhje me kërkesat teknike.

Së treti, të rritej thellësia e shpimit të puseve dhe të zbatoheshin metodat studimore komplekse të trungut të pusit gjatë procesit të shpimit dhe me mbarimin e tij, si ato të karotazhit dhe studimit të kampioneve nga shtresat, si edhe dukuritë që shfaqeshin në pus. 

Së katërti, të zbatohej teknologjia moderne e shpimit të pusit, e çimentimit të kolonës pa filtër si edhe zbatimi i teknologjisë moderne të perforimin dhe torpedimit të kolonës së çimentuar në pus, për hapjen e rrugës së komunikimit shtresë nafte-trung pusi.

Së pesti, të ndërtohej sistemi i grumbullimit të naftës dhe i transportit të saj.
Krahas këtyre objektivave për vetë vendburimin e Patosit, duhet të kërkohej edhe në zona të tjera të vendit për gjetjen e vendburimeve të rinj të naftës e gazit. 

Për të konceptuar drejt rëndësinë dhe domosdoshmërinë e arritjes së objektivave dhe zgjidhjes së detyrave të kohës, po kujtojmë shkurt historikun e naftës shqiptare. për të cilën kanë shkruar me aq gjerësi dhe detaje akademiku Prof. Dr. Teki Biçoku, inxhinerët Zenel Hamiti dhe Ramadan Perhati.

Prania e naftës, ose siç quhej persisht nefata, apo nafdha në greqishten e vjetër, në tokën Shqiptare është njohur qysh në lashtësi. Janë të mirënjohur “Zjarret në lashtësi në Nymphaeum, Selenicën e sotme të Vlorës, që i përshkruan mjaft bukur historiani i vjetër Straboni [Hamiti Z., 1966, faqe 14]. Ndër shekuj, këto njoftime kanë tërhequr studiues për të ardhur në Shqipëri së toku edhe me sundues për të shtrirë kthetrat e tyre mbi atdheun tonë. Është shumë interesant një njoftim i shekullit XIX: Shkresa e Mösyö Waterfield’s, nëpunës i administratës se Degës Londër te Bankës Otomane, ku thuhet se, ne lidhje me naftën e zbuluar ne parcelat tokësore dhe çifligjet perandorake qe ndodhen ne vendin e quajtur Selenicë, në afërsi të Vlorës, Banka Otomane do të marrë përsipër shpenzimet që nevojiten për shpimin e tokës dhe përpunimin e naftës dhe do të derdhë në llogari të Sulltanit sasinë e nevojshme e të ardhurave që do të fitohen nga kjo tregti, në rast se qeveria perandorake lidh kontratë për tregtimin e saj. (Istambul 1870). 

[Osmanli Arsiv Belgelerinde Arnavutluk, SHQIPERIA NE DOKUMENTET ARKIVALE OTOMANE, Istambul 2008].
Në shekullin e njëzetë, qysh me fillimin e tij, territori i Shqipërisë është studiuar nga gjeologë dhe inxhinierë të vendeve të ndryshme për kërkimin e naftës dhe shfrytëzimin e saj. Midis këtyre studimeve dhe kërkimeve janë edhe ato të gjeologut Italian Leo Maddalena, i cili projektoi pusin në Drashovicë të Vlorës në vitin 1918. Më pas, në vitin 1928 u shpua edhe pusi i parë në Kuçovë, i cili dha 750 ton naftë. Në ato vite, rajonet dhe zonat me perspektivë naftëmbajtëse të vendit iu dhanë me koncesione kompanive të huaja, të cilat bënin edhe shfrytëzimin e saj. Në atë periudhë (1927-1928), Shoqëria Anglo-Persiane e Naftës APOC shpoi disa puse edhe në zonën e Patosit dhe zbuloi praninë e naftës në shtresat e ranorëve. Në vitet tridhjetë filloi edhe shpimi i puseve për shfrytëzimin e vendburimit të ri të Patosit. Vitet e pushtimin gjatë Luftës së Dytë Botërore sollën shkatërrime në kantieret e naftës në Kuçovë dhe në Patos. 

Duke e vlerësuar rëndësinë e naftës e gazit për pavarësinë dhe përparimin e vendit, si për bukën, shteti shqiptar pas çlirimit të vendit mobilizoi naftëtarët shqiptarë të asaj kohe dhe u bëri thirrje për të punuar në kantieret e naftës edhe profesionistëve të tjerë, si mekanikë, elektricistë, hidroteknikë etj, që banonin në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kësaj thirrje iu përgjigjën shumë specialistë dhe mjeshtër, që së toku me naftëtarët rindërtuan kantieret e naftës dhe i vunë në gjendje pune. 

-Si ishte situata kur shkuat ju në Patos? 
Kur më 1953-shin vajta unë në Patos, atje shpoheshin puse rreth 1500 m të thellë dhe nxirrej naftë, punonin sondistë tashmë të kualifikuar, kishin filluar punën teknikët e brezit të parë të dalë nga Politeknikumi “7 Nëntori” në vitin 1951, si edhe kishin ardhur pesë inxhinierët e parë shqiptarë të naftës, që sapo kishin mbaruar studimet jashtë shtetit. Ky kolektiv naftëtarësh, tashmë punonte për të zgjidhur detyrat dhe për të realizuar objektivat që u treguan më lart, për ta vënë në shfrytëzim të plotë vendburimin e Patosit, si edhe për të kërkuar vendburime të reja nafte e gazi. Gradualisht ndër vite u ngrit, e fuqishme dhe e përparuar, industria e naftës, në të cilën punonin 25 mijë punonjës, midis tyre 2.800 inxhinierë dhe teknikë. Ata punuan me vetëmohim, me vullnet e devotshmëri, ditën dhe natën, në diell e në shi, në verë e në acarin e dimrit dhe me përgjegjësi të madhe. Në vitin 1951, në gjirin e Kantierit të Naftës Patos) u krijuan Ndërmarrja e Shpimit dhe ajo e Prodhimit (Nxjerrjes së Naftës) në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit të Naftës që kishte qendër në Kuçovë, u rivu në punë stacioni elektrik, u riorganizua ofiçina mekanike, parku i transportit etj. Në gjysmën e dytë të periudhës së viteve pesëdhjetë e më pas u bënë ndryshimet e duhura organizative. Në vitet gjashtëdhjetë e më pas u krijuan dhe u zhvilluan dy institute shkencore, Instituti i Studimeve dhe i Projektimeve Gjeologjike të Naftës dhe Gazit dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Teknologjike të Naftës dhe Gazit, si edhe dy ndërmarrje gjeofizike, ajo e Sizmo-gravimetrisë në Fier dhe tjetra e Studimeve Gjeofizike të Puseve në Patos, të cilat realizuan projektet për kërkimin e naftës dhe të gazit në nivel shkencor dhe teknik bashkëkohor, duke projektuar mbi 80,000 metra linear/vit shpime të thellë kërkimi etj, si edhe studiuan e përgjithësuan të dhënat e tyre. Me këto institute bashkëpunoi gjerësisht edhe Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave i Universitetit të Tiranës. Për të arritur objektivat dhe realizuar detyrat, ishte vlerësuar si domosdoshmëri formimi i specialistëve të naftës, si shumë i rëndësishëm, qysh në ato vite. Në vitin 1951 përfundoi mësimet grupi parë i teknikëve në fushën e gjeologjisë dhe të naftës. U hap dega e gjeologjisë në Institutin Politeknik të Tiranës në vitin 1953 dhe filluan të përgatiteshin inxhinierët e parë gjeologë e profilit të përgjithshëm, të cilët u diplomuan në fillimin e vitit 1957. Në vitin 1962 u diplomuan inxhinierët e parë të naftës për shpimin e puseve dhe nxjerrjen e naftës e gazit, si edhe në vitin 1964 inxhinierët e parë gjeologë të naftës, pranë Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në Universitetin e Tiranës. Nga ky Fakultet, ndër vite, janë përgatitur 345 inxhinierë gjeologë të naftës, 1074 inxhinierë nafte, shpimi dhe nxjerrje, inxhinierë gjeofizikë 171. Një ngjarje e rëndësishme për industrinë e naftës ishte edhe hapja e Teknikumit të Naftës në Kuçovë. Në vitin 1954 përfundoi studimet brezi i parë dhe u diplomuan Teknike gjeologë dhe shpimi, që shkuan menjëherë në kantieret e ndërmarrjeve të Patosit dhe dhe Kuçovës. Shumica e teknikëve të naftës studiuan dhe u diplomuan inxhinierë gjeologë të naftës dhe gazit, për shpimin dhe shfrytëzimin e puseve. Dhe, pas diplomimit, u rikthyen përsëri në industrinë dhe kantieret e naftës. Aktivizimi i një numri kaq të madh i inxhinierëve gjeologë dhe të naftës, së toku edhe me teknikët e përgatitur nga Politeknikumi 7 Nëntori dhe më pas nga Teknikumi i Naftës në Kuçovë, solli një kontribut jashtëzakonisht të madh në gjetjen e vendburimeve të reja të naftës dhe të gazit, vënien e tyre në shfrytëzim, si edhe përparimin e vetë industrisë shqiptare të naftës.

-Si do ta cilësoje ndërmarrjen e Shpimit në Patos për gjetjen e vendburimeve të reja të naftës?
Ndërmarrja e Shpimit Patos ka qenë e para e kësaj fushe. Ndërmarrja e Shpimit realizonte shpimin e puseve të rrjetit të shfrytëzimit brenda vendburimit, si ata në Margëlliç, si edhe puset e konturimit. Periudha e viteve pesëdhjetë do ta quaja kohën kur naftëtarët shqiptarë, sondistët, teknikët, mjeshtërit, inxhinierët vunë në punë sondat për shpimin e puseve të thellë, u përvetësua teknologjia e shpimit dhe përvetësimit të këtyre puseve. U krijua në këtë mënyrë baza takniko-teknologjike për realizimin e detyrave për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në Kuçovë e Patos dhe për kërkimin e vendburimeve të reja. Për të kryer një përfytyrim sa më të plotë për mundësitë naftëmbajtëse të vendit filluan të kryhen punime përgjithësuese dhe me natyrë krahinore. U kryen përgjithësimet “Ndërtimi gjeologjik dhe naftëmbajtja e vendburimit të Patosit” dhe “Ndërtimi gjeologjik dhe naftëmbajtja e vendburimit Kuçovës”, si edhe zbulim - përpunimi i vendburimit Patosit dhe Kuçovës. Me marrjen e naftës nga puset e konturimit në veri, si nga pusi 201 në vitin 1954, u kalua me guxim më në veri, drejt Marinëz për të kërkuar edhe shtresa nafte të reja, edhe mbi bazën e studimeve sizmike që tashmë ishin kryer në atë zonë dhe njihej tabloja e gjendjes strukturale U kalua nga e njohura drejt të pa njohurës, siç i thoshim më vonë. Në kuadrin e përgjithësimit të rezultateve të shpimit të puseve të konturimit të vendburimit të Patosit, u projektua pusi Marinzë 542. Në verën e vitit 1957 shpërtheu fontana e këtij pusi. Personeli inxhiniero-teknik dhe mjeshtërit qëndruan dhe luftuan ditën dhe natën në ballë për shuarjen e zjarrit dhe mbylljen e fontanës; krahas tyre, luftonin me zjarrin edhe shumë naftëtarë, madje edhe specialistë zjarrfikësish. Zjarri ishte aq i madh sa që Tiranë skuqej qielli natën në drejtim të kodrave të Saukut, ku në jug të tyre ndodhej Marinëza. Zjarri i fontanës u shua me shpërthim pas ndonjë muaji. Zbulimi i vendburimit të Marinzës pati një rëndësi shumë të madhe në drejtim të fuqizimit të ekonomisë shqiptare, zgjeroi fushën e kërkimit të naftës në ranorët duke zbuluar shtresa naftëmbajtëse të reja, nën ato të Patosit, që formonin suitën naftëmbajtëse Marinza, e cila vendoset nën suitën naftëmbajtëse Driza – Patosi. Kjo fontanë hapi edhe rrugën e zbulimeve të vendburimeve të reja të naftës dhe gazit nga specialistët shqiptarë, se forcoi besimin, frymëzimin dhe saktësinë e punës së kërkuesve për gjetjen e vendburimeve të reja. Dokumentimi i detajuar, centimetër për centimetër, dhe studimin e shtresave që kish shpuar pusi me metodat e përparuara elektrike, kryheshin me teknologjinë moderne që emërtohet karotazhi elektrik. Në vitin 1957 u krijua Baza e Karotazhit dhe u ndërtua një godinë e posaçme për atë. Në vitet gjashtëdhjetë e më pas, kompleksi i metodave të karotazhit u plotësua edhe me karotazhin zanor dhe atë radioaktiv të regjistrimit të gama rrezatimit natyror dhe atë neutronik. Vënia e puseve të prodhimit në punë dhe nxjerrja e naftës realizohej nga naftëtarët e Ndërmarrjes së Prodhimit, Patos. Specialistët e nxjerrjes vlerësonin dinamikën e naftëdhënies së puseve, bënin analiza sistematike e naftës dhe e gazit, kontrolloheshin e ndiqeshin proceset e ecurisë së pusit sipas projektit dhe përgatitjes së tij për shfrytëzim. Të gjithë veprimtarinë tekniko-shkencore dhe organizative të këtyre dy ndërmarrjeve e drejtonte Drejtoria e Përgjithshme e Kombinatit të Naftës në Kuçovë. Veç ndërmarrjeve të Patosit, në këtë Kombinat përfshihej edhe Ndërmarrja e Prodhimit të Naftës në Kuçovë. Të gjithë naftëtarët që punonin në këto ndërmarrje i kam njohur personalisht, takoheshim me ta për të punuar dhe zgjidhur detyra të ndryshme në puse. Kam mësuar shumë nga ata, jo vetëm për teknikën e naftës, por edhe për devotshmërinë e këmbënguljen në punë. Prandaj edhe sot, në këtë moshë të thyer, u jam mirënjohës dhe i falënderoj, i kujtoj me respekt. Personeli tekniko-inxhinierik, madje edhe ai administrative nuk ishin komunitete zyre, por të lidhur ngushtë me puset dhe problemet e tyre. Proceset teknike në puse kryheshin sipas grafikut teknik, ditën edhe natën, në orarin e duhur. Për personelin teknko-inxhinierik nuk kishte turne, orar të caktuar të fillimit dhe mbarimit të punës, ditën apo natën. Puna fillonte në orën kur nevojitej të bëhej operacioni në pus dhe përfundonte pasi mbaronte puna e operacionit të dhënë, në çdo orë që të ishte. Kështu kryheshin edhe regjistrimet e diagrameve të karotazhit. Perforimi dhe torpedimi në pus bëheshin vetëm ditën, se ishin punë me shpërthim. 

- Vijon -