Ta gëzojmë 101-vjetorin e Pavarësisë !

604
Sigal

101- vjetori në Koper të Sllovenisë, përgatitur  nga poetja dhe veprimtarja e madhe shqiptare Vitore Stefa Leka

 Dy ditë më parë, në sallën e restorantit luksoz të hotel “Akuapark”, në Koper të Sllovenisë, shoqata kulturore “Iliria” me kryetar zotin Heset Ahmeti, në bashkëpunim me Ambasadorin e RPSH-së, zotin Ardian Simoni, organizuan një mbrëmje festive me rastin e ditës së Flamurit. Në të morën pjesë shqiptarë nga të gjitha trevat, të ardhur nga qytete të ndryshme të Sllovenisë, si dhe nga qytetet fqinjë të Italisë, nga Trieste, Udine, Trevizo etj.. Mbrëmja kaloi në një atmosferë të gëzuar, për disa orë ambienti u kthye në një Shqipëri të vogël ku këndohej e vallëzohej vetëm Shqip. Në të ishin ftuar personalitete nga vendi si dhe kryetarë të shoqatës për zhvillim të kulturës “Enti Zavod Krog” nga Koperi, të cilët kërkuan bashkëpunim me shoqatën Iliria. Mbrëmja u përshëndet nga Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Nexhmi Rexhepi dhe nga ambasadori i RPSH z. Ardian Simoni. Urime dhe një herë dhe falënderim të veçantë për kryesinë e shoqatës Iliria, në mënyrë të veçantë për kryetarin e saj zotin Heset Ahmeti që zhvillon shpesh aktivitete të ndryshme për të mbajtur gjallë imazhin e shqiptarit dhe për ta ruajtur identitetin tonë. Po kështu, falënderim i veçantë dhe për zotin ambasador Ardian Simoni, që qëndron gjithmonë prezent apo pranë këtyre aktiviteteve. Gëzuar dhe qofshim gjithmonë të bashkuar ashtu si thonë dhe fjalët e këngës të himnit tonë kombëtar, u shpreh Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Nexhmi Rexhepi. Nga ana e tij, ambasadori i RPSH z. Ardian Simoni i uroi mirëseardhjen Ambasadorit të RK, SHTZ. Nexhmi Rexhepi duke i uruar marrjen e detyrës në Slloveni, në përfaqësim të shtetit më të ri të Botës. Në fjalën e tij z. Simoni, gjithashtu, përshëndeti Kryetarin dhe Kryesinë e Shoqatës Iliria për organizimin, e suksesshëm e të përvitshëm të këtij kremtimi.

Ai tha:- “Po ashtu dëshiroj të përshëndes veçanërisht, atdhetaren dhe aktivisten e shquar të çështjes kombëtare, znj. Vitore Stefa Leka, që na ka nderuar sot me praninë e saj. 101 vite më parë shqiptarët nëpërmjet Ismail Bej Vlorës, shpallën pavarësinë. Duket si fillimi i një rrëfimi mbi një histori të hershme, por e tillë nuk është, po të kihet parasysh se shumë më e hershme dhe e largët në kohë, ka qenë ëndrra dhe shpresa shqiptare për pavarësi. Kjo shpresë e ëndërr e moçme, e kundërshtuar dhe penguar nga fuqitë e mëdha dhe ato fqinje, arriti falë baballarëve të kombit, të përkthehej në një akt të pakthyeshëm në Vlorë. E në Vlorë, atë ditë të 28 nëntorit, nuk ishin vetëm vlonjatët e mirë, por e gjithë shqiptaria e viseve, të Kosovës, Dibrës së Madhe, Çamërisë, Malësisë së mbetur në Mal të Zi, toskë e gegë, pa dallim. Ajo ishte dita e parë e pavarësisë, e njëherësh edhe fillimi i një procesi të vonuar shtet formimi e pavarësimi. Në 1913 dhe 1919, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe në Konferencën e Paqes së Parisit, Shqipërisë rishtazi iu prek territori, se edhe ashtu e vogël, Shqipëria dukej shumë e madhe. Ndërkohë shqiptarëve, iu desh të përpiqeshin të ndërtonin, sa mundën dhe ditën një shtet të tyre. Në 100 vitet e para të Pavarësisë, shqiptarët u çliruan nga turku në 1912. Në 1944 u çliruan nga një e keqe e absolute e shekullit të 20, fashizmi. Në 1991 u çliruan nga e keqja tjetër absolute, e atij shekulli, komunizmi. Në 1999 u çliruan nga fatkeqësia e hershme, Serbia. Në 2008 shpallën një tjetër pavarësi, para syve të botës, atë të Shtetit më të ri, Republikës së Kosovës. Duke kremtuar 101- vjetorin e Pavarësisë, pra vitin e parë të shekullit të dytë të saj, “bijve të shekullit të ri”, u përket detyrimi, që shqiptaria të çlirohet e pavarësohet, në shumë pikëpamje e më së shumti, nga vetvetja. Duhet të çlirohemi nga ndjesitë e paaftësisë dhe të inferioritetit, karshi popujve dhe kombeve të tjerë, meqë shekulli i 21-të, siç thotë shkrimtari i madh Kadare, “u përket shqiptarëve”, të cilëve koha u buzëqesh.

Duhet të çlirohemi nga varfëria dhe pamundësia ekonomike, e cila mban peng zhvillimin e kombit. Duhet të çlirohemi, nga druajtja dhe mosbesimi ndaj njëri – tjetrit, meqë përtej ngjyrës së pasaportës, mbajmë të njëjtën “ngjyrë gjaku”. Duhet të çlirohemi nga pabarazia gjinore, duke u dhënë grave, motrave dhe nënave tona mundësinë, që të shprehin universin e tyre, më së miri. Duhet të çlirohemi nga keqadministrimi i çështjes publike, ku qytetari ndodh shpesh të jetë i sunduar nga sëmundjet e administratës, dhe jo i shërbyeri, në të drejtat dhe përgjegjësitë e tij. Duhet të çlirohemi nga padija, meqë ajo është zanafilla e çdo të keqeje dhe fitorja mbi të, është parakusht qytetërimi dhe zhvillimi.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë bërë shumë për pavarësinë në shekullin e parë të saj, falë vetëdijes së tyre dhe përkrahjes së miqve tanë të mëdhenj, sikurse SHBA, por shumë akoma duhet të vazhdojnë të bëjnë, në këtë shekull të dytë. Me urimin që “procesi i pavarësisë” të vijojë të pasurohet me të tjera arritje, Ju uroj me zemër, Gëzuar Ditën e Flamurit Kuq e Zi!