Sytë e minatorëve drejt Qeverisë “Rama”

547
Sigal

Aksidentet me pasojë vdekjen në minierën e kromit u bënë të “modës” dhe pa autorë. Faji, gjithmonë, bie mbi viktimën

Ditët e fundit mbarë elektorati i Majtë, por në veçanti minatorët e minierës së Kromit në Bulqizë të firmave koncensionare të dhënë me vendim Parlamenti në vitin 2001 u njohën dhe vlerësuan ekipin e ri Qeverisës të përzgjedhur nga Kryeministri, Rama. Nëpërmjet mediave këta minatorë u njohën me çdo të dhënë të këtyre ministrave, pa mëdyshje janë njerëz me autoritet, inteligjentë, profesionistë e seriozë, të papërfolur për allishverishe e pazarllëqe. Duken njerëz me integritet e plotësisht të besueshme, të impenjuar e të përkushtuar për të lëvizur gjerat e për të çuar përpara punët në të mirë e në interes të qytetarëve e në veçanti të minatorëve të Bulqizës, të cilët dhe pse 20 vjet demokraci vazhdojnë të shtypen e të trajtohen si skllevër. Kjo u pa në grevën e dy viteve më parë nën regjimin e Sali Berishës, ku për të nxjerrë 16 grevistët e kësaj miniere nga greva e urisë, vuri në funksion të pushtetarëve dhe të mafies së kromit 70 furgonë policie si dhe 900 forca speciale. I gjithë ky organizim u bë për të nxjerrë grevistët nga greva, kur ata nuk kërkoni asgjë më shumë veçse hapjen dhe perspektivën e minierës si dhe kushtet elementare të sigurisë në punë. Duke parë se aksidentet me pasojë vdekjen në këtë minierë u bënë të modës dhe pa autorë, fajet bien gjithmonë mbi viktimën, të cilët lënë fëmijët jetim pa bukë e pa asnjë të ardhur. Në një kohë që nën regjimin e Enver Hoxhës u garantohej çdo punëtori që vritej në këtë minierë titulli ‘Hero’ si dhe lidhej pension për familjen dhe fëmijët e tij. Ndaj minatorët e Bulqizës i kanë sytë nga kjo Qeveri e re që të marrë në konsideratë kërkesat e këtyre minatorëve, ku më elementare janë kushtet e punës dhe siguria në punë që të shmangen vdekjet e panevojshme, prandaj dhe një herë këta minatorë do donin që elektorati i majtë dhe në veçanti këta minatorë që dhanë votën pro kësaj Qeverie t’i kthenin sytë nga ata. Shpreh bindjen e patundur se Kryeministri i ri, Edi Rama me sensin e punës që dha nga provoja e tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës gjatë tre mandateve do të japë një drejtim të ri dhe një zhvillim të madh në minierën e Kromit në Bulqizë të okupuar nga regjimi i Sali Berishës. Rama do të kapë e do të mbajë frerët e fijet e drejtimit, sidomos të çështjeve më kryesore të këtyre minatorëve, të cilët kërkojnë zgjidhje emergjente dhe jo punë me ç’të dalë përpara, me urra-zhurmë dhe me trasta boshë, por punë të programuara e me mobilizim e efiçencë maksimale që të ndalen aksidentet tragjike dhe grevat në këtë minierë dhe ky Kryeministër që me plot gojën e meriton të quhet “Skënderbeu i dytë” për Shqipërinë dhe për këta minatorë skllevër.

Agron Basha

Kryetar i Sindikatës së Minatorëve të ZD Bulqizë

I firmës nënkontraktore Tur-Alb-Krom sh.p.k