Superskandali, HEC-et, KESH, OST, ERE, OSHE prej 18 vitesh nuk paguajnë energji

661
Sigal

Rilindja, pranga, errësirë e vetëvrasje për 134 mijë konsumatorë debitorë e hajdutë qindarkash, dekorata për 4 kompanitë hajdute të energjisë

Energjia e konsumuar dhe e pa papaguar prej shpërfilljes e varfërisë ekstreme, ose e pa pasqyruar në llogaritë e shpenzimeve, në fatura, bilance vjetore dhe energjia e vjedhur nëpërmjet ‘telave ilegalë’, të lidhur majë shtyllave e të maskuar brenda mureve, duket se nuk është vetëm ‘aktivitet’ i konsumatorëve familjarë, disa zyrave të shtetit e disa bizneseve, por edhe i kompanive që prodhojnë, monitorojnë, menaxhojnë, shpërndajnë dhe shesin energjinë elektrike për konsumatorin në territorin e Shqipërisë.

 HEC-et, KESH, OST, ERE, OSHE prej 18 vitesh nuk paguajnë energji

 Gazeta ‘Telegraf’, po publikon sot një superskandal me konsumin e energjisë elektrike, që inskenohet dhe realizohet prej 18 vitesh prej 4 kompanive dhe katër HEC-eve shtetërore të cilat kanë në dorë prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e energjisë elektrike. Konkretisht, janë kompanitë shtetërore KESH, HEC-et, OSHE, OST dhe ERE, të cilat prej 18 vitesh nuk paguajnë energji elektrike. Çfarë ndodh? Këto kompani me kapital e buxhet 100% shtetëror, nuk figurojnë as konsumatore, as debitore të energjisë elektrike në llogaritë e shtetit. Nuk e dimë se përse dhe si ndodh kjo shmangie nga pagesa me mos pasqyrim të sasisë së konsumit të energjisë në bilancet e të shpenzimeve, por dimë faktin skandaloz, që këto kompani nuk paguajnë energji elektrike! Sipas informacioneve që disponon gazeta ‘Telegraf’, rezulton se vlera financiare që konsumohet në muaj prej KESH, OST, OSHEE, ERE dhe prej 4 HEC-eve shtetërorë, rezulton në miliona dollarë. Vetëm një fakt. HEC-i Vau-Dejë p.sh, konsumon 42 mijë dollarë energji elektrike në muaj. HEC-i në Koman, harxhon 62 mijë dollarë energji elektrike në muaj. HEC-i në Fierzë, konsumon 61 mijë dollarë energji elektrike në muaj. HEC-i në Lanabregas (blerë nga UKT) harxhon 33 mijë dollarë energji elektrike në muaj. OST harxhon 9 mijë e 400 dollarë energji elektrike në muaj për zyrat dhe 54 mijë dollarë energji elektrike për shërbime në terren. KESH harxhon 13 mijë e 600 dollarë energji elektrike në muaj dhe 62 mijë dollarë energji në muaj për shërbime fizike në terren. ERE harxhon 4270 dollarë energji elektrike në muaj për zyrat. OSHE harxhon 13 mijë e 700 dollarë energji elektrike në muaj për zyrat dhe 87 mijë dollarë energji në muaj për shpenzime punimesh në terren. Po në 1 vit, në 5 vjet, në 10 vjet e në 18 vjet pa paguar, siç ka ndodhur e po ndodh realisht, sa shkon kjo vlerë e harxhuar dhe e pa paguar, madje e pa pasqyruar as në bilance, as në fatura konsumi si shpenzime bazë institucioni e shërbimesh fizike të aktivitetit të tyre mirëmbajtës të rrjetit, pajisjeve e teknologjisë të tyre? Edhe një fakt: vetëm KESH ka 85 kondicionerë që punojnë në dimër për ngrohej dhe ne verë për freskim, të cilët punojnë me energjinë që nuk paguhet prej tij. Po kështu, qindra kondicionerë e pajisje të tjera elektronike kanë edhe HECE-et, OST, ERE e OSHEE të cilët nuk paguajnë as një kilovat energji elektrike!

 Marifetet e KESH, OST, ERE, OSHEE për energjinë që nuk paguajnë

 Pyetjet logjike që bëhen përballë këtij superskandali shtetëror me konsumin e energjisë elektrike prej atyre që bëjnë moral dhe vendosin gjoba si presion për të paguar energjinë e konsumuar, janë këto: Mirë që nuk paguajnë energji, po si e justifikojnë këtë krim ekonomik që bëjnë? Si e fshehin? Ku e ‘groposin’? Ku e lënë peng? Kujt sektori, apo konsumatori ia ‘faturojnë’? Si pasqyrojnë si ‘zë’ shpenzimi? Nga investigimet tona, rezulton se të katër kompanitë së bashku, në bashkëpunim me prodhuesin që janë HEC-et, me energjinë miliona dollarë që konsumojnë, bëjnë një lojë të ndyrë kundër konsumatorit fundor, që janë familjarët. Ja se si veprohet prej tyre në mirëkuptim… siç dihet, HEC-et prodhojnë. KESH, OST, ERE, dhe OSHEE, furnizohen me energji për zyrat dhe shërbimet e tyre në terren, por nuk figurojnë në regjistrin e OSHEE si kontraktues konsumi të energjisë elektrike. HEC-et, energjinë që konsumojnë këto institucione dhe vetë HEC-et e pasqyrojnë si sasi prodhimi në bilancet prodhuese ditore, javore, mujore e vjetore që i raportojnë llogarisë së KESH-it. Në këtë moment, KESH e kalon në ‘sasi e humbur në prodhim’, duke rakorduar me HEC-et, të cilat janë pjesë e skemës së mos përfshirjes si konsumatorë energjie elektrike. Pas KESH, në bashkëpunim me KESH futet në lojë edhe OST, që transmeton energjinë elektrike, këtë sasi energjie miliona dollarëshe që harxhon vetë dhe nuk e paguan, e pasqyron si ‘humbje në rrjet’ për shkak (sipas tij) të rrjetit të amortizuar. Pas OST, në lojë futet edhe ERE, enti rregullator i energjisë, i cili harxhon dhe nuk paguan si KESH, HEC-et dhe OST, duke ‘miratuar’ variantin e OST për ta njohur e përfshirë në ‘humbje rrjeti’ këtë sasi konsumi pirate. Pas saj, futet në lojë OSHEE, shërbimi që furnizohet me energji të prodhuar nga HEC-et shtetërorë. Të shitur nga KESH, të furnizuar nëpërmjet telave të OST. Edhe OSHEE, konsumon mijëra dollarë energji elektrike në muaj e vit dhe nuk paguan asnjë kilovat energji për vete. E më tej akoma, OSHEE merr përsipër të mos u çoj fatura kompanive KESH, HEC-eve, OST e ERE dhe as vetes! Mijëra kilovatë që në fakt janë mijëra dollarë të harxhuar nga pasuria kombëtare, jo vetëm nuk paguhen por kalojnë si fatura afrofe dhe fatura fiktive tek konsumatori popull.

 Humbja 2% e planifikuar në rrjet në verë e dimër, 10 vite skemë abuzimi me 5 milion euro humbje në vit

 Një fakt tronditës fshihet pas grafikëve dhe procesverbaleve të KESH, OST, ERE, HECE-ev dhe OSHE lidhur me ‘zhdukjen’ e energjisë elektrike në rrjet. Sipas ekspertëve humbjet në rrejt kanë qenë 43% në vit, ndërsa tani pas aksionit të goditjes së vjedhjeve, OSHEE deklaron se këto humbje kanë zbritur në 22%. Por, ka një tregues tjetër humbjeje me 2% të energjisë hedhur në rrjetin e transmetimit, e cila vazhdon të ‘zhduket’ e që prej ‘bandës’ që vjedh vetë energji elektrike HEC-e, KESH, OST, ERE, OSHEE quhet ‘humbje në rrjet’. Ky 2 përqindësh humbje, ka vlerën 5 milionë euro në vit. Kjo 2% ‘zhdukje energjie nga rrjeti, që quhet ‘humbje në rrjet’, justifikohet me 3 shkaqe.

1. Me gjendjen e amortizuar të rrjetit.

2. Me temperaturën e telave të rrjetit.

3. Me vjedhjet në rrjet, përgjatë linjës së transmetimit.

Po ndalemi vetëm tek një nga shkaqet: Tek temperatura e telave të rrjetit. Sipas ‘ekspertëve’ telat e rrjetit në dimër janë më të ftohtë dhe për të ngrohur veten që të përcjellin normalisht energjinë, ‘thithin’ një sasi të saj dhe kjo shpjegohet teknikisht si argument që humbja nga ‘ftohtësia’ të planifikohet në masën 2%, ose 5 milion euro në vit. Mirë, në dimër që telat ‘ftohen’, po në stinën e verës që ‘digjen’ nga temperatura e lartë, përse planifikohet 2% humbje? Edhe në dimër, humbja e planifikuar në rrjet nuk mund të jetë 2% si në Kukës, Tropojë, Dibër, Malësi të Madhe, Ersekë edhe në Sarandë, Lushnjë, Vlorë ku temperaturat janë më të larta. Në numrat në vazhdim, gazeta ‘Telegraf’ do të publikojë skandale të tjera në lidhje me këto abuzime që bëjnë në bashkëpunim kompanitë KESH, HEC-et, OSHEE, OST e ERE për të fshehur konsumin që bëjnë e nuk paguajnë dhe vjedhjet me energjinë, duke mirëpritur fakte dhe argumente nga ekspertët e fushës dhe nga cilido që disponon informacione lidhur me ‘gropën e zezë’ energjetike në Shqipëri.

Përparim HALILI