Superjahti luksoz që mbëriti në Durrës ka qenë në pronësi të presidentit Trump

657
Nga Shefqet KËRCELLI

Superjahti ish “Trump princess” u bregëzua në portin e Durrësit
Paraditen e datës 25 gusht, u bregëzua në molin nr.4 të portit të Durrësit super jahti ish”Trump Princess”, pasi më parë ky mjet lundrues ka qenë në pronësi të Presidentit Trump. Tashmë ky superjaht mban emrin “Kingdom 5KR” dhe është në zotërim të Princit miliarder saudit Alwaleed Bin Talal Bin Abdulaziz Al Saud, njeriu i 45-të më i pasur i botës. Princi Alwaleed mbrriti në portin e Durrësit me jahtin e tij “Kingdom5”, {me tonazh 618 t, 1763DWT}, i shoqëruar nga jahti tjetër “Moonlight II”, {917t, 3056DWT}. Jahtet kanë lundruar nga ishulli i Korfuzit (Greqi) drejt Durrësit. Jahti “Kingdom5” mban flamurin e Arabisë Saudite dhe është regjistruar në portin e Jeddahut. Ambasadori i vendit tonë në Arabinë Saudite, Sami Shiba tha se, princi ka ardhur në Durrës në kuadër të një vizitë njohëse- turistike në Adriatikun lindor, ndërkohë anëtari i familjes mbretërore të Arabisë Saudite zhvilloi një takim dhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Mëngjesin e datës 26, gusht princi saudit me suitën e tij u largua nga porti i Durrësit me kurs për në veri, drejt brigjeve dalmate. 
Po cila është historia e këtij jahti luksoz?
Mjeti lundrues është ndërtuar në vitin 1980, nga kantieri Benetti dhe punimet origjinale në brendësi të tij janë realizuar nga anijendërtuesi Luigi Sturchio. Jahti është 85 metra i gjatë dhe në kohën kur u ndërtua kushtoi rreth 100 milion dollarë, fillimisht ishte pronë e miliarderit saudit Adnan Khashoggi. Në fillim, jahti mbajti emrin e vajzës së miliarderit arab, Nabila. Në kohën që u ndërtua ai ishte një nga jahtet më të mëdha të botës, por tani renditet në vend të 60-të dhe do të ulet edhe më tej në renditje, pasi mania e tanishme e pasanikëve është të ndërtojnë jahte gjithnjë e më të mëdha. Në periudhën kur mbante emrin Nabila, jahti u shfaq edhe në filmin e James Bond, “Never say never again”, në të cilin mbante emrin “Flying Saucer”. Jahti frymëzoi bandën e famshme të rrokut, Queen, për këngën e tyre “Khashoggi-s ship”, e përfshirë në albumin“The miracle”. Pas problemeve financiare që po kalonte miliarderi arab, ai vendosi ta nxirrte jahtin në shitje. Jahti u ble në vitin 1988 nga sulltani i Bruneit, sundimtari më i pasur në botë, që më pas ja shiti z.Donald Trump për 29 milionë dollarë. Zoti Trump, tashmë president i SHBA-së, i vuri në atë kohë emrin “Trump princess”. Mbas një farë kohe dhe vetë zoti Trump, ia shiti jahtin princit Al-Waleed bin Talal për 20 milion dollarë. Superjahti mori emrin e kompanisë së investimeve të princit Kingdom, ndërkohë që shifra 5 përfaqëson numrin e tij me fat, ndërsa shkronjat K dhe R përfaqësojnë inicialet e fëmijëve të princit saudit.
Sigal