“Sundimtarët” e universitetit zhdukin 280 milionë lekë, që studentët i paguajnë padrejtësisht për… vërtetime

781
Metastazat e krimit ekonomik e financiar, nuk janë shtrirë e nuk kanë “kapur për fyti” vetëm administratat në shëndetësi, ushqim, polici, ushtri, diplomaci, porte, aeroporte, dogana, tatime, bujqësi, kulturë, ekonomi, energji, por edhe në arsimin e lartë ku bëhet batërdi korruptive, me skema abuzimesh që skenarizohen prej atyre që kanë krijuar klanin dhe veprojnë lirshëm. Një çerdhe e tillë ku “gumëzhin” korrupsioni dhe abuzimi është kupola e Universitetit Shtetëror e cila përbëhet nga disa “strofulla” (universitete e fakultete) korrupsioni që drejtohen nga individë sundimtarë të përjetshëm, duke ndërruar postet drejtuese me njeri-tjetrin në çdo mandat 4 vjeçar, por përherë të “çimentuar” edhe si familje fis në krye të strukturave të universitetit nga rektorati, dekanati, senati, katedra e deri tek sekretaritë! Nëse shteti dhe drejtësia ndalen e skanojnë veprimtarinë e “qelbur” financiare të universitetit shtetëror dhe praktikat e tjera administrative, do dalin fakte që do të lemerisin opinionin shqiptar, fakte të cilët gazeta “Telegraf” po investigon e do t’i bëjë publike në vijimësi. 

Aq i madh është zullumi dhe bloza korruptive në universitet, sa “çerdhja” korruptive e Bankës së Shtetit duket “lule”! Gjithë abuzimet, kanë si tregues shkeljen e të drejtave të studentëve, mos afrimin dhe spostimin e profesorëve kualitativ, shkatërrimin e nivelit mësimor të studentëve, shablloznimin e titujve shkencorë, varfërimin e profesionalizimit e të punës shkencore deri në nivel primitiv, hapjen e shtegut për punësime të pedagogëve “analfabetë” dhe krijimin e strukturave drejtuese e komisioneve “kukulla” me ata që firmosin e vulosin aktet dhe aferat korruptive që inskenohen e realizohen me financat e të ardhura të universiteti dhe financimet e buxhetit të shtetit. Pa llogaritur skemën funksionale të korrupsionit me modelin “shitje provimesh lënde, diplome e titujsh shkencor” kundrejt pazareve të fiksuara tashmë për çdo “mall”. Gazeta “Telegraf”, denoncoi faktin që në Universitetin shtetëror janë zhdukur notat e provimeve që kanë dhënë studentët, duke u justifikuar me palaçollëkun e sekretarive e të drejtuesve të fakulteteve, madje edhe të rektoratit, apo të ndonjë profesoreshe me ambicie për karrierë të ricikluar që e mohon skandal-turpin, që notat e studentëve që janë realisht në provim, ua kalojnë atyre që janë regjistruar si studentë, por që i dërgojnë “përgjigjet” me kolipostë në agjencitë e transferimit të parave! Sot, po publikojmë një prej skandaleve, të dala nga investigimi që kemi bërë në bashkëpunim me studentë, prindër studentësh, pedagogë e punonjës të administratës në disa universitete e fakultete dhe në “kullën” e Rektoratit të UT. Kemi zbuluar një “mal” me abuzime e akte korruptive të ço lloji, deri tek blerjet e bishtave të fshesave! Sot po e nisim serinë e denoncimeve, duke publikuar një skandal financiar i cili përbën krim, me “viktima” studentët. 
Zhduken 280 milionë lekë, që studentët i paguajnë padrejtësisht për… vërtetime
Mjafton të hapësh letrat e llogarive të universitetit dhe zbulon një skandal financiar, që bëhet prej drejtuesve të fakulteteve, nëpërmjet sekretarive. Çfarë ndodh? Studentët çdo fillim viti paguajnë tarifën e detyrueshme që u ka caktuar “me pak rritje” vlere edhe “Rilindja”. Sipas ligjit të arsimit të lartë dhe sipas vendimeve të dala prej qeverisë në zbatim të këtij ligji, kjo tarifë e detyrueshme paguhet prej studentëve për të përballuar shërbimet që universiteti ofron për mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies. Mirëpo, studentët që kanë paguar tarifën vjetore për të kryer shërbimet shkresore e deri tek marrja e librezës së notave apo kartonit të diplomës, detyrohen të paguajnë përsëri për këto shërbime. Psh., në sekretaritë e çdo fakulteti e dege, përveç tarifës vjetore, studenti duhet të paguaj “diçka shtesë” edhe ditën kur shkon e bën regjistrimin! Paguan edhe kur shkon e merr një vërtetim që është student. Paguan edhe kur kërkon të marrë një fotokopje leksioni. Paguan edhe kur kërkon të marrë një vërtetim note lëndore, vazhdimi dege, apo listë notash vjetore e sezonale! Paguan edhe kur kërkon të marrë një dispensë në mungesë të librave të cilët janë autorësi, bashkë-autorësi, botime familjarësh, kolegësh e miqsh të tyre. Këto libra mësimor janë monopol o profesorëve, me ofertë çmimi që vendoset prej profesorëve, të cilët ua shesin studentëve për provimin që do ta japin me ta! Mirëpo, ashtu si notat e provimeve, thuhet se janë zhdukur edhe lekët që studentët paguajnë në mënyrë të paligjshme për vërtetime e shërbime të tjera! Sipas informacionit, me urdhër të “agallarëve sundimtarë të përjetshëm të universiteteve, sekretaritë kanë zhvatur në mënyrë të paligjshme nga studentët, lekë për shërbime e vërtetime, duke i justifikuar me “rregulloren e brendshme”. Mirëpo lekët që janë grumbulluar nuk janë më brenda në universitet, por janë zhdukur. Shuma vetëm në 2 vite akademike shkon në afro 280 milionë lekë! Ku shkuan? Mund edhe të bëhen letra fiktive “për shpenzime operative”, por “operativët” e anti-krimit ekonomik dhe të hetimit të prokurorisë tek të cilët kanë qenë “syri dhe veshi” shumë prej drejtuesve e profesorëve aktual të universitetit, mund ta zbardhin këtë skandal financiar! Në vijim, gazeta “Telegraf”, do të publikoj skandale të tjera…
——————————————– 
Një bisedë në “FB”, lidhur me shkrimin në “Telegraf” për notat e zhdukura të studentëve, të cilëve u diktohet të përsërisin provimet 
“Puna si pedagog në universitetet është kthyer si puna në doganë”

Kastriot Gjika: E si mund të jetë i vërtetë një “lajm” që shkruhet “ashtu në përgjithësi”, pa tre elementet thelbësorë të një lajmi të vërtetë “ku”, “kur” dhe “kush”?
Klodeta Dibra: Andaj, duhet reaguar ndaj lajmeve kuturu.
Aleksandër Petre: Sa mendoni ju, se është profesoreshe? Më lejoni t’ju drejtoj vetëm dy pyetje: A ka ndodhur kjo gjë në kohën kur ju ishit drejtuese institucioni?
Klodeta Dibra: Mirëmbrëma, Aleksandër. Personalisht, kam qenë e angazhuar shumë gjatë periudhës së provimeve, që gjërat të ecnin mirë e megjithatë ngërçe janë krijuar, pasi ky proces ka disa hallka. Sa më shume hallka të ketë një proces, aq më shume gjërat komplikohen. Nuk ndaj të njëjtat ndjesi me artikullshkruesin.
Eugent Dida: Pse bëni gjasme, sikur kjo na qenka çudi e madhe?!.. Puna si pedagog në UT është kthyer si të ishte punë në doganë… Në UT ndodhin tragjedia edhe më të mëdha se kaq me vlerësimet e pedagogeve, që u japin studentëve. Në fakultetin e Historisë në UT, keni studentë injorantë që për interesa të ngushta të pedagogëve, janë mbushur me nota fiktive nga pedagogët dhe këta studentë, tashmë e kanë mesataren 10, duke dalë “studentë të ekselencës me medalje të artë”. Duke vepruar në këtë mënyrë me vlerësime me nota fiktive, pedagogët i fusin këto injorantë në kornizën e ligjit që i privilegjon në shume drejtime, sepse dalin studentë ekselence. Ndër privilegje të tjera, vlen të theksohet se këta injorantë nuk paguajnë fare as tarifën e shkollës, madje marrin nga fakulteti dhe MASH edhe 500 mije lekë të vjetra në çdo vit akademik. Pra, për shkak të pedagogëve kemi nivel mizerabël të studenteve dhe mosvlerësim të studentëve me dije konkrete. Ne të ardhmen e afërt, këta injorantë me vlerësimet e marra nga këta pseudo-pedagogë, do i keni të punësuar si kolegë pedagogë e drejtues nëpër fakultete.
————————————————-
Një denoncim, që zbulon një skandal
Një informacion i ardhur në “Telegraf”, nga një specialist që përgatiti libra shkollorë dhe që konkurron në garën që shpall Ministria e Arsimit, na bëri me dije, se edhe këtë vit ka ndodhur skandal i rëndë e klientelizëm në përzgjedhjen e titujve. Komisioni i përzgjedhjes, sipas urdhrit të kupolës së ministrisë, “ngujohet” në një mjedis pune jashtë Tiranës si në Durrës, Vlorë, Berat, Korçë, Elbasan, apo edhe Shkodër dhe bënë vlerësimin, se cilët tituj librash vlejnë. Por vendimi i komisioneve, hidhet në kosh nga |një komisionin” tjetër i ministrisë dhe titujt fitues dalin e humbës e fitues dalin ata që kanë dalë humbës nga komisionet që veprojnë jashtë Tiranës. E sikur të mos mjaftonte ky skandal, klani në ministri urdhëron drejtuesit e DAR në qarqe, këta urdhërojnë drejtuesit e ZA në rrethe, këta urdhërojnë drejtuesit e shkollave, ndërsa këta urdhërojnë me presion mësuesit e lëndëve që të caktojnë si “të shkëlqyer” titujt e librave që kanë si “rekomandim” nga kupola e Ministrisë së Arsimit
Fizika e një klase në 9-vjeçare, përkthim jashtë realiteti shqiptar dhe logjikës shkencore, librat caktohen me presion ndaj mësuesve
Përshëndetje, “Nisma Thurje”! 
Unë që ju shkruaj, jam një mësues fizike, në një shkollë nëntëvjeçare. Ju shkruaj për të denoncuar nivelin e dobët të një libri të fizikës, për të cilin më kanë dhënë “porosi” shumë të fortë, që ta përdor. Po nga një lexim i shpejtë e sipërfaqësor, vura re se libri ka shumë gabime e pasaktësi, edhe shkencore (p.sh., përdoret termi “forcë ngritëse” edhe për krahët e avionit, edhe për një barkë që lundron, ndërkohë që nuk janë absolutisht e njëjta forcë. Gafat e tjera, janë evidente. Psh., përkthyesit e tekstit nuk e dinë që ne në Shqipëri i kemi numrat dhjetorë me presje dhe jo me pikë. Për më tepër është libër i përkthyer prandaj edhe përshtatja për mendësinë dhe jetën e shqiptarëve mungon (flitet për loje me bouling dhe ski në ujë si aktivitete të përditshme…). Shtëpia botuese në fjalë është e re për mua si mësues, por është shtëpi e rëndësishme për botimet e tjera sepse e shoh gjithmonë në televizor: Dudaj. Edhe unë e di, që është e lidhur me qeverinë, prandaj kam frikë ta them këtë gjë me zë të lartë dhe publikisht. Po bëhet shumë presion nëpër shkolla lart e poshtë (se kam folur me ca kolegë në shkolla të tjera të rrethit), që ky libër të përzgjidhet nga ne…, ndërkohë që libri është plot me pasaktësi. Fotot e bashkëngjitura. 
Gjithë të mirat, Adi! 
“Nisma thurje”
Sigal