Sulmoi turistët spanjollë, si i shpëtoi dy herë burgut Mihal Kokëdhima

1077
Sigal

Pronari i lokalit “Panorama” në Porto Palermo, ku ndodhi incidenti me turistët spanjollë, i ka shpëtuar burgut në dy raste të mëparshme, pasi Gjykata e Vlorës ka vendosur dënime alternative.

Mihal Kokëdhima rezulton të ketë qenë i proceduar më parë për vjedhje të energjisë elektrike dhe për ndërtim pa leje, konkretisht në lokalin ku ndodhi incidenti i disa ditëve më parë.

Megjithatë, nuk ka qëndruar në burg për asnjërën nga akuzat e ngritura ndaj tij.

Në vitin 2015, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 18 muaj liri me kusht, që më pas Gjykata e Apelit e ka shuar këtë masë dënimi, në zbatim të ligjit të amnistisë së atij viti.

Ndërsa dy vite më vonë, në 2017-ën, është proceduar për një ndërtim pa leje që po kryente pikërisht në vendin ku u sulmuan turistët spanjollë.

Për këtë rast, Gjykata e Vlorës e ka dënuar Kokëdhimën me 8 muaj burg, por më pas e ka pezulluar dënimin e tij duke e lënë në liri me kusht për 18 muaj. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Vlorë.

Tri ditë më parë, Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për Mihal Kokëdhimën, pronarin e restorantit në Porto Palermo, që u përfshi në konfliktin me turistët spanjollë pak ditë më parë.

Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtarja Esmerilda Habilaj, ndërsa prokuror i çështjes ishte Saimir Smaka. I arrestuari u përfaqësua nga avokatët Erion Besimaj dhe Kujtim Cakrani.

Në sallë, 51- vjeçari Kokëdhima u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa në dorë vihej re edhe shenja pas dëmtimit të pësuar kur godiste xhamin e përparmë të automjetit ku ndodheshin turistët spanjollë.

NDERTIMI PA LEJE

Në vendimin e vitit 2017- ës të Gjykatës së Vlorës thuhet se Mihal Kokëdhima ishte pronar i lokalit “Panorma”, në vendin e quajtur Porto Palermo, në Himarë, dhe ishte proceduar për “Ndërtim pa leje”.

Më datë 26 qershor 2017, oficerët të Policisë Gjyqësore të Stacionit të Policisë Himarë janë njoftuar se në afërsi të këtij lokali po kryhej një ndërtim pa leje. Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin ku ishte dhënë njoftimi dhe aty kanë konstatuar në anën veriore të lokalit ndërtimin e një muri me material guri me gjatësi 11 metra, gjerësi 50 centimetra dhe lartësi 70 centimetra.

Në vendimin e Gjykatës sqarohet se në vendin ku po ndërtohej ky mur, janë gjetur dy punëtorë që kanë deklaruar se janë punësuar nga ana e shtetasit Mihal Kokëdhima për të kryer ndërtimin. Të pyetur nga oficerët e Policisë, ata kanë shpjeguar se e kanë pyetur punëdhënësin nëse ka marrë leje për kryerjen e një ndërtimi të tillë dhe ai u kishte shpjeguar se nuk duhej të shqetësoheshin, pasi kishte marrë leje.

Për këtë arsye, ata kanë thënë se pasi ranë dakord në lidhje me pagesën që do të kryhej në fund të punës, kanë marrë përsipër ndërtimin.

I pyetur rreth kësaj ngjarjeje, Mihal Kokëdhima ka deklaruar se nuk ka marrë leje, por murin po e ndërtonte për të penguar kalimin e bagëtive.