Sulmi ndaj efektivëve blu në Elbasan dhe heshtja e Drejtorit të Policisë së Shtetit

651
“Lufta” në Elbasan nuk është e panjohur. Grupet kriminale në këtë qytet janë të hershme. Intensifikimi i përpjekjeve të këtyre grupeve për të ngritur krye ndaj Policisë së Shtetit, duket se është një gjë e re. Përballë këtij fenomeni, i cili ndodh në një qytet të madh si Elbasani, kemi heshtjen e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Përplasja e makinës së zv/shefit të Komisariatit të Elbasanit nga një makinë e blinduar, në momentin që patrulla ishte në krye të detyrës, ishte një goditje e rëndë për policinë. Por deri tani përveç deklaratave të thata që krerët e uniformave blu kanë dhënë nga Elbasani dhe më pas nga kryeqyteti, nuk ka asgjë të re. Të dyshuarit si kriminelë që përplasën shefin e policisë u larguan qetësisht. Haki Çako, nga Elbasani pas ngjarjes deklaroi se kishte identifikuar autorin e mundshëm, por për arsye hetimi nuk mund të jepte informacione të detajuara. Ai bëri edhe një takim me drejtuesit vendor të policisë së Elbasanit. Makina e zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit Gjergj Oshafi, u godit gjatë një operacioni që policia vendore mbrëmjen e 18 shtatorit kishte ndërmarrë për identifikimin dhe bllokimin e makinave luksoze. Policia shpalli në kërkim Suel Çelën, djalin e një biznesmeni të njohur në Elbasan. Ishte vetëm dita e parë e deklaratave në 21 shtator. Sot kur kanë kaluar më shumë se dy javë, Policia e Shtetit hesht. Nuk ka më as deklarata për ngjarjen dhe as për personat e shpallur në kërkim. Mos vallë policia nuk e di se kush janë personat me precedentë kriminal në Elbasan? Mos vallë ajo nuk e di saktësisht se ku është fshehur Suel Çela dhe nëse ka kaluar apo jo kufirin? Të gjithë e dinë se policia ka në dorë gjithë emrat e kriminelëve në vend dhe të grupeve kriminale që operojnë në qytete të mëdha. Po kështu të gjithë tashmë e dinë se policia nuk mund të veprojë pa urdhër. Në të gjitha aksionet që kryhen në shkallë vendi, është Drejtori i Policisë së Shtetit ai që jep urdhrin për ndërhyrje dhe për shpartallimin e grupeve kriminale. Në rastin e Elbasanit dhe në raste të tjera që lidhen kryesisht me trafikun e drogës në vend, kemi parë që Policia e Shtetit ka qenë e tërhequr. Vendi u mbush me kanabis gjatë kohës që në krye të Policisë ka qenë Haki Çako. Grupet kriminale në Elbasan nisën përplasjet po në këtë periudhë. Kreu i Policisë deklaroi se personi që përplasi makinën e zv/drejtorit të policisë vendore në Elbasan, është identifikuar, por u shfaq i rezervuar në dhënien e detajeve. “Personi është identifikuar, të gjitha procedurat janë kryer, jemi në një proces intensiv bashkëpunimi me prokurorinë. Janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm njerëzish dhe do të shoqërohen të gjithë ata që dyshohet se janë pjesë e grupeve kriminale.”- tha kreu i policisë. Nga të gjitha veprimet nuk mbetet gjë tjetër vetëm të besojmë se Policia e Shtetit është e lidhur me segmente të caktuara të krimit dhe ka interesa të mëdha për ta mbrojtur atë.
Sigal