Sulejman Dervishi:Shkarja e tokës shkatërron Ujësjellësin, rrugët dhe izolon 8 fshatra në Skrapar

611
Sigal

Flet kryetari i Komunës Vëndresh, Sulejman Dervishi

Shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë ditët e fundit kanë stimuluar shkarjen e një sipërfaqe toke prej 5 hektarësh në Komunën e Vëndreshës. Shkarja e tokës ka dëmtuar Ujësjellësin e zonës, ku kanë mbetur pa ujë të pijshëm 8 fshatrat e kësaj komune. Janë dëmtuar 20 banesa dhe është shkatërruar plotësisht rruga që lidh komunën me qendrën e qytetit të Çorovodës. Të gjithë nxënësit që vazhdojnë shkollën e mesme në Çorovodë kanë mbetur pa mësim. Komuna ka mbetur pa furnizime ushqimore dhe medikamente shëndetësore. Tashmë 2500 banorët e kësaj komunë kanë mbetur të izoluar dhe pa ndihma. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, kryetari i Komunës Vëndresh, Sulejman Dervishi, i cili tha se, gjendje është shumë alarmante. “Banorët e kësaj zone kanë mbetur pa ujë të pijshëm, pasi Ujësjellësi që furnizon këto fshatra u shkatërrua nga shkarja e tokës. Dherat që rrëshqitën morën me vete pompat dhe tubacionet e ujit. Kjo gjendje ka disa ditë që ka filluar. Fillimisht rrëshqiti rreth 3 hektar tokë, ku mori me vete një pjesë të varrezave të fshatit dhe tashmë me rrëshqitjen e dytë ka krijuar një dëm kolosal, ku si pasojë është izoluar zona. 20 familje kanë mbetur në qiell të hapur pasi banesat e tyre kanë dalë jashtë funksionit pasi muret kanë pësuar çarje të përmasave të mëdha. Banorët kanë frikë që të futen brenda, pasi ato mund të shemben”, tha Dervishi. Më të rrezikuara janë lagjet “Kushova” , fshati Spatharë, ku dhe shkarjet e tokës janë më të mëdha. “Ne si komunë kërkojmë ndihmën e shtetit, pasi komuna jonë është 80 për qind malore dhe si e tillë mund të pësojë edhe dëmtime të tjera, pasi stina e dimrit po bënë të vetën, ku shirat dhe dëbora, vazhdojnë të bien”,- tha Dervishi. /Julian Xhelili

Të sëmurët transportohen me skrep

“Edhe pse ne, si komunë jemi përpjekur që me anë të një skrepi të bëjmë diçka për hapjen e rrugës, është e pa mundur. Ne e hapim ditën ajo bllokohet gjatë natës, si pasojë e rrëshqitjeve. Edhe të sëmurët që ne kemi patur tre raste në gjendje të rëndë dhe një nënë shtatzënë për të lindur, i kemi dërguar me skrep deri në pjesën, ku rruga është në gjendje të mirë dhe më pas i kemi transportuar me kafshë deri në rrugën kryesore, ku i ka marrë ambulanca. Gjendja sa vjen e po përkeqësohet pasi dhe stina e dimrit është shumë e egër në këto zona”, tha kreu i Komunës, Sulejman Dervishi.