Sul Domi: Vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës, do hasë shumë diskutim

714
Sigal

Veteranët/ Mbledhja e Komisionit për 70-vjetorin e Çlirimit është e vonuar, edhe pse LSI ka kohë që ushtron presion

Mbledhja e Komisionit Shtetëror për 70-vjetorin e çlirimit të vendit është e vonuar sipas mendimit të Sul Domit, nënkryetarit të komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. “Dua të theksoj se ky Komision është shumë me vonesë, ndërkohë që ndikimi dhe presioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë më i hershëm. Ne kemi punuar që herët me LSI-në, por gjetëm një farë rezistence nga ana e Partisë Socialiste, por siç thotë populli “Më mirë vonë sesa kurrë”. Koha e ngelur është shumë e shkurtër, janë vetëm 6 muaj përpara dhe komisioni ka shumë punë për të bërë” thotë për “Telegraf” nënkryetari i veteranëve Sul Domi. Sipas tij,

“Komisioni shtetëror ende nuk ka miratuar një program, pasi ky ishte takimi i parë. Por në qendër të punës së këtij komisioni është rindërtimi i drejtë i simboleve të luftës antifashiste nacional çlirimtare. Këtu përfshihet; Rindërtimi i varrezave të dëshmorëve, duke filluar me këto të Tiranës, lapidarët, monumentet që pasqyrojnë dhe përfaqësojnë rezistencën kundër fashizmit; vlerësimi i figurave të luftës, atyre të rënë, por dhe veteranëve”. Por puna më e vështirë për komisionin, sipas z. Domi do të jetë vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës, Komandantit të Përgjithshëm të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. “Mendoj se puna më e vështirë për komisionin do të jetë vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës. Është figura kryesore e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, një figurë komplekse që do hasë shumë diskutim”, shprehet z. Domi. Ndërkohë që të bën përshtypje heshtja e Kryetarit të veteranëve, Rustem Peçi, kur bëhet fjalë për t’u shprehur për ngjarje të tilla të rëndësishme dhe për atë çka ai përfaqëson. Nuk dihet çfarë e mundon kryetarin e veteranëve, apo mos ndoshta është harresë ndaj të parëve…?!

 Mbledhja e Komisionit Shtetëror

 Pas presioneve të Lëvizjes Socialiste për Integrim që prej janarit të këtij viti, më në fund Qeveria “Rama” ka bërë të ditur para dy ditësh se ky vit do t’i kushtohet 70-vjetorit të Çlirimit dhe përkujtimit të Luftës Nacional-Çlirimtare. Zv. Kryeministri Niko Peleshi ka bërë të ditur se ky vit do t’i kushtohet kësaj date me festime të gjata që do të nisin tani e do të kulmojnë më 29 nëntor dhe do të shtrihen në të gjithë vendin. Kështu me inicimin e LSI-së, qeveria ka nisur punën për një kremtim historik të 70-vjetorit të çlirimit me mbledhjen e parë të komisionit shtetëror të ngritur për këtë qëllim. Peleshi u shpreh se 29 nëntori është një nga ditët më të shënuara për të gjithë shqiptarët. “Lufta që u kurorëzua me çlirimin e Shqipërisë në 29 nëntor është padyshim një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë. Kjo luftë ishte pasaporta evropiane e Shqipërisë dhe ne kemi detyrimin ta përkujtojmë këtë moment historik me dinjitetin që ai meriton”. Ndërkohë, bëhet e ditur se Komisioni Shtetëror ka miratuar edhe një plan pune, për ndërhyrje në Varrezat e Dëshmorëve, në memorialet e rrafshuara vitet e fundit. Komisioni ka kërkuar asistencën e njësive vendore, të grupeve komunisteve dhe të shoqatave të veteranëve të luftës, për gjendjen e Varrezave të Dëshmorëve në të gjithë Shqipërinë, të lapidarëve, monumenteve në kujtim dhe nderim të rezistencës kundër fashizmit dhe për simbolet e tjera të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ndërkaq, paralel me komisionin shtetëror, sipas burimeve, po funksionon një grup i përbërë nga historianë dhe studiues, për nxjerrjen në pah të disa figurave të luftës, të errësuara për arsye dhe rrethana të ndryshme. Ndërkaq, një sfidë dhe provë për shumicën në pushtet do të jetë çështja e figurës së Enver Hoxhës.

**********

Mehmet Shehu nuk ishte si Muharrem Bajraktari

 Petrit Qejvani

Edi Rama gjeti 9 Majin, ditën e triumfit mbi nazi-fashizmin për të shprehur qëndrimin e tij në lidhje me Luftën Antifashiste të popullit shqiptar dhe aktorët e kësaj lufte, duke iu përgjigjur kështu sulmeve të bëra nga të dy krahët e politikës: Djathtas e majtas. Ai u dha një përgjigje thuajse simetrike si të djathtëve, ashtu dhe të majtëve, ndonëse akuzat ishin asimetrike, ashtu si dhe qëllimet e tyre dhe sërish nuk i përmendi me emër protagonistët dhe antagonistët ë saj. Besoj se kjo nuk u ka pëlqyer të dyja palëve. Për të treguar se e vlerëson Luftën Antifashiste dhe ata që e bënë atë, ai i thirri veteranët në shtëpinë e tij, në Kryeministri. Qasja që i bëri Luftës ishte origjinale si inskenim, por edhe si ligjërim politik. Gjuha ishte e bukur, ndonëse ca ezopike, më tepër me nënkuptime e aludime sesa direkte, siç duhet të jetë në këto raste. Veçanërisht me veteranët, që nuk kanë shumë kohë, energji dhe freski për të ndjekur dhe shijuar frazat relativisht të gjata dhe të letrarizuara të Kryeministrit. Kryeministri, ashtu siç pritej, bëri vlerësime të larta për luftën tonë antifashiste, ndonëse pa patetikë dhe pa i përmendur forcat politike dhe ushtarake, që ishin protagonistë të asaj lufte, pa le të udhëheqësve politikë dhe komandantëve të saj. Në këtë pikë Rama është gjithmonë në siklet dhe i kompleksuar. Ajo që nuk dihet ende është se, në ç’masë kjo vjen prej trysnisë së sulmeve të së djathtës apo e ka dhe bindje të vetën, duke patur parasysh ca deklarata të tij të kahershme për komunistët. Nëse e ka prej sulmeve të së djathtës, në një farë mase ka të drejtë, pasi përmendja e rolit të komunistëve dhe veçanërisht e Enver Hoxhës, shkakton një  alergji dhe reaksion agresiv akuzash ndaj tij nga e djathta, që nuk e vlerëson luftën tonë antifashiste për “shkak” të Enverit! Ai e di që ish-shërbëtori mjek i bllokut, Berisha, është gati ta sulmojë si “neobllokmen dhe enverist”. Por edhe ndërkombëtarët do ta shihnin me dyshim në këtë rast. Bile për këtë shkak iu shmang edhe 5 Majit shqiptar dhe gjeti 9 Majin Europian. Ndërkaq Kryeministri nuk e sulmon opozitën, kur ajo mbron ish bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit, kur i dekoron dhe iu ngre monumente e buste për “inat të Enverit”, që luftoi për çlirimin e Shqipërisë! Por kjo është një çështje tjetër, që do “nxehet” e do shkaktojë elektricitet të madh sa më tepër i afrohemi 70-vjetorit të çlirimit dhe Rama nuk do mundë t’i shmanget dot, sepse nuk ka kuptim të flitet e festohet përvjetori i Çlirimit dhe të mos përmenden çlirimtarët dhe udhëheqësi i tyre. Megjithëse Rama iu shmang sa mundi përmendjes së emrave të forcave politike të kohës së luftës dhe emrave të përveçëm të protagonistëve e antagonistëve në emër të unitetit e kohezionit të cenuar social për shkak të luftës së paprinciptë politike, iu referua dy emrave të njohur të skenës së luftës antifashiste: Mehmet Shehut dhe Muharrem Bajraktarit. Këtë nuk e bëri drejtpërdrejt, por nëpërmjet një të treti, (një komandanti batalioni gjerman), duke cituar në ligjëratë të drejtë konsideratat e oficerit gjerman për të dy dhe nuk mbajti vetë asnjë qëndrim ndaj tyre. Por nuk është kështu, zoti Rama! Nuk mund të barazohet M. Shehu, një luftëtar i lirisë, një antifashist i orëve të para me një feudal kolaboracionist, pavarësisht ç’bëri më vonë M. Shehu. E kuptoj që duhet kohezioni kombëtar se jemi përçarë keq për hir të politikës, por uniteti nuk mund të ngrihet mbi baza false, por mbi të vërteta. Kështu ndërtohet një shoqëri e emancipuar dhe jo hileqare. Me konsideratat e një oficeri gjerman, Kryeministri mendoi se i lau duart me luftën dhe personazhet e saj, ndonëse ata të dy të jepnin rastin të shprehesh për anatominë e luftës dhe rolin e forcave të ndryshme në këtë luftë. Duke dashur t’i largohej një vlerësimi për luftën dhe aktorët e saj nëpërmjet “përdorimit” të një oficeri nazist, që nuk e di pse e ka zgjedhur për referim, kryeministri ka rënë më keq në grackën e saj. Kjo tregon se sa e vështirë është të flasësh për Luftën, pa përmendur aktorët e saj dhe rolin e tyre. Prandaj Lufta na “ngatërron” edhe sot e kësaj dite. Kurse oficeri gjermanit ishte fare i qartë: i quante banda formacionet e komanduara prej tyre, që më shumë luftonin me njeri-tjetrin sesa me gjermanët!…Pra, me fjalë të tjera , një lloj lufte civile! Ky është një qëndrim i gabuar i zotit Rama (dhe jo i gjermanit), pasi kjo është teza e ballistëve kolaboracionistë dhe pasardhësve të tyre sot. Shpresoj të jetë  një “lapsus kalemi”, siç thotë Frojdi, në mos një lajthitje me gjithë atë tiradë  vlerësimesh  të luftës antifashiste, që  bën nul gjithçka, u tha për luftën dhe veteranët. Ndoshta kjo ka ardhur edhe prej sikletit për të vlerësuar njëlloj dy armiq të njeri-tjetrit. “Për ta patur mirë” me të dy palët, kur secila palë mendon se ka vetëm ajo të drejtë. Kështu ndodh sa herë mendon për të pajtuar një gënjeshtër me një të vërtetë. Gjë e pamundur!  Nuk e di si e kanë ndjerë veten veteranët pas kësaj! Pasi ju, zoti Kryeministër, në këtë mënyrë ua keni rrëzuar kauzën dhe qëllimin e luftës, që ishte luftë kundër okupatorit fashist për çlirimin e atdheut. Kështu bie edhe humbet kuptimin heroizmi dhe sakrificat e luftës. Ç’janë këta veteranë, “veteranë të luftës civile”?! Lufta kundër pushtuesit nuk është luftë civile, edhe kur me pushtuesin bashkohen disa bashkatdhetarë të tu, siç ndodh jo rrallë! Siç ndodhi edhe në disa vende të mëdha europiane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë na mëson Lufta antifashiste, këtë na mëson historia!