Sudja, barometri shqiptar i punës

654
Kosta NAKE
Në tetor 1996 një emigrant i hershëm shqiptar në ShBA kishte prerë një shkrim për fajdet nga një gazetë amerikane dhe ia dërgoi në letrën shoqëruese për kushëririn e vet në Shqipëri, ku e këshillonte të mos bëhej pjesë e skemave piramidale. Kushëriri i këtushëm ma solli artikullin t’ia përktheja, prandaj e kuptova historinë e fajdeve që kishte lulëzuar dhe petalet e gjalla që po i maskonin mjeshtërisht me gjethe plastike, për të vënë në gjumë dyshimet që sapo kishin lindur. Në fund të dhjetorit të atij viti një kushëriri im i parë kishte futur 30 mijë lekë të reja në xhepin e brendshëm të xhaketës, kishte lënë fshatin dhe kishte ardhur në qytet për t’i çuar te qesja e firmës “Xhaferri”. U takuam rastësisht dhe e këshillova t’i mbante ato pak lekë, se nuk kishte asnjë siguri. “Do t’i quaj sikur s’i kisha”, ma ktheu ai dhe vazhdoi rrugën drejt hambarit xhaferrian. Më 9 janar 1997 “Xhaferri” shpalli falimentin. E solla këtë shembull për të treguar se një dukuri shoqërore shfaqet, zhvillohet e shuhet mbi një shtrat të caktuar të mendësisë së një populli, në rastin konkret, për qasjen ndaj punës. Le të kthehemi 30 vjet më parë. Cila ishte magma e krenarisë shqiptare? Lufta. Me sloganin e famshëm “Populli ynë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë.” Mbani mend ndonjë slogan që të himnizonte punën? Dalja nga sistemi i ekonomisë së centralizuar e gjeti të papërgatitur masën e gjerë të popullsisë dhe, me naivitetin më të madh, besoi rifillimin e mëkëmbjes ekonomike nga niveli zero. Ngushtimi apo mohimi i plotë i pronës private nga regjimi komunist, frenimi i lirive dhe shtysave ekonomike për mirëqenie mbështetur mbi investimin e fuqive mendore e fizike individuale, me ndryshimin e sistemit ekonomik, solli historinë e parë tragjike të thërrmimit të pronës kolektive dhe shtetërore dhe me përballjen fatale me një treg të paorganizuar. Gjasat për një zhvillim ekonomik dhe rrijten e mirëqenies rezultuan në një zhgënjim të madh dhe, po të mos kishte ndodhur ajo shfryrja e madhe demografike e emigracionit, herët a vonë, do të përplaseshim në një konflikt të egër për mbijetesë. Ata që nuk kapërcyen telat me gjemba të kufirit, ata që nuk kaluan lumenjtë e akullt e monopatet malorë në këmbë, ata që nuk kapërcyen detin me gomone duke sfiduar vdekjen, qëndruan në Shqipëri dhe lindën Suden – mënyrën e pasurimit të shpejtë, pa asnjë mundim, thjesht e vetëm duke i qarkulluar paratë në skema piramidale të eksperimentuara më parë në vende të tjera. Duke qenë të painformuar, duke u mashtruar nga skema interesante, paralelisht me Suden, Vefën, Xhaferrin, Popullin, Gjalicën, edhe njerëz me arsim të lartë u futën paralelisht në piramidat që erdhën nga Austria, Australia apo vende të tjera. Disa të njohurve të mi u erdhi njoftimi nëpërmjet telefonit, se ishin përzgjedhur si fitues në llotarinë e X vendi, por duhej të paguanin paraprakisht një sasi të caktuar dollarësh që ishin më shumë se paga mujore e tyre. Arsyetimi im “Si mund të shpallesh fitues në një garë, ku ti nuk merr pjesë?” u hyri nga njëri vesh dhe u doli nga tjetri. Nuk e kuptuan grackën edhe kur erdhi përgjigja me kërkesën për një parapagesë të dytë, më të madhe se e para, me justifikimin se ishte ngushtuar numri i fituesve dhe ishte rritur sasia e shumës që ishte në lojë. Pastaj erdhi ’97 që bëri pluhur e hi parajsën e fajdeve. Por u rizgjua miti ynë luftarak, sulmuam depot e ushtrisë dhe armatimi i të gjitha llojeve dhe municionet kaluan në duart e luftëtarëve që çuditën botën. Kjo damkë e zezë në historinë ekonomike të Shqipërisë do të ishte e mjaftueshme për t’i bërë syçelët njerëzit për dy-tre breza, po ja që kujtesa jonë e hidhur shkrihet më shpejt se kripa në ujë. Pra 5-6 vitesh një shoqja ime shkollës së lartë m’u qep si rrodhe që të bëhesha pjesë e një piramide gjermane duke më ofruar vendin e parë në zonën e Devollit. Me mua i ngeci sharra në gozhdë, po kjo nuk do të thoshte se nuk do të gjente leshko që e kuptuan se çfarë çorbe kishin gëlltitur pa kaluar tre-katër muaj. Po Sudja në mendësinë shqiptare nuk preku vetëm sistemin monetar. Sapo humbi një kala, ajo ndërtoi një tjetër, më të lartë, që po kërcënon bazat e sistemit ekonomik: kultivimi i kanabis sativës në vend të kulturave bujqësore. Skema e organizimit është e ndryshme, por tharmi është i njëjtë – të ardhura të mëdha në një segment të shkurtër kohe. Me frymëzimin e organizatave kriminale në vendet perëndimore. Sepse kultivohet dhe përgatitet për eksport. Sepse më parë sigurohet tregu evropian ose zotërohet nga kapedanët shqiptarë. Po, nëse Sudja monetare u bë një akt legal me kontribute dhe përfitime vetjake, Sudja kanabiste filloi dhe vazhdon si organizim ilegal. Perceptimi popullor ka qenë se trafikimi i drogës nuk mund të bëhej pa përfshirjen e segmenteve të policisë, përmasat e frikshme të kultivimit nuk mund të arriheshin pa një klimë të favorshme të vullnetit politik. Ajo që është pjesa e nënujshme e ajsbergut mund të jetë politika që, për hir të pushtetit, mund ta kthejë Shqipërinë në një republikë kanabiste. Politika bëhet kështu shprehëse e mendësisë sud-iste të popullit.
Sigal