Sigal

Pas skadimit të ultimatumit të vendosur për qeverinë në lidhje me plotësimin e 8 kërkesave, studentët kanë nisur përshkallëzimin e protestës.

Teksa një pjesë vendosi të bllokonte rrethrrotullimin tek “Zogu i Zi”, një pjesë e tyre nisën marshimin drejt Kryeministrisë.

Një prej studentëve tha se grupi është ndarë nga militantët e partisë dhe se do qëndrojnë pa afat përpara kryeministrisë

“Kemi marrë bukë me vete, na kanë sjellë e qytetarët, dhe ne do rrimë tërë natën këtu mbi libra, do lexojmë,” tha ai.

Ndërkohë, pjesa tjetër do të vijojë të qëndrojë para Ministrisë së Arsimit.

8 kërkesat
1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.
2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.
3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)
7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.