Studentët, peticion Ministrisë së Arsimit për mungesën e përfitimit të lehtësimeve nga Karta e Studentit

493
Ende vazhdon “kalvari” i vuajtjeve për studentët të cilët kanë më shumë se 10 vjet që gënjehen dhe zvarriten për vënien në punë të Kartës së Studentit, një e drejtë e cila po ju mohohet sy për sy. 150 mijë studentëve të Shqipërisë po ju mohohet një e drejtë e përcaktuar në ligjin për Arsimin e Lartë, por kjo nuk përbën asnjë problem apo shkelje për drejtuesit tanë, që vazhdojnë tu hedhin hi syve studentëve, të cilët nuk kanë përfituar asnjë lehtësim nga Karta e Studentit. Në lidhje me këtë problem studentët të mbështetur dhe nga organizatat drejtuese të tyre, i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit me një peticion, ku kërkojnë ofrimin e lehtësirave që ata përfitojnë me ligj nga Karta e Studentit, e drejtë e cila ekziston vetëm në letrat zyrtare të kësaj ministrie. Madje studentët kanë njoftuar se, nëse nuk merret asnjë masë për vënien në zbatim të Kartës së Studentit, do të zhvillohet një protestë ditën e mërkurë lidhur me këtë çështje. Kanë qenë të shumtë studentët të cilët kanë nënshkruar këtë peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit, peticion që do shtrihet në të gjitha fakultetet dhe universitetet publike dhe private të vendit, pasi studentët nuk janë të pajisur me Kartë Studenti për vitin e ri akademik 2015-2016. Avokati i Rinisë në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar, duke parë se ligji për ofrimin e lehtësirave për studentët nuk po vihet në zbatim, kanë vendosur t’i dërgojnë një peticion Ministrisë së Arsimit për mosfunksionimin e kartës së studentit: Vetë Koordinatorja e Avokatit të rinisë, ka pranuar se. Ministrisë së Arsimit i janë drejtuar 2 letra publike, ku është kërkuar vënia në zbatim e ligjit për Kartën e Studentit. Por deri tani, asnjë përgjigje nuk është kthyer nga ky institucion lidhur me këtë problem. Duke mos pasur asnjë reagim nga ky institucion përgjegjës është paralajmëruar fillimi i protestave, ditën e mërkurë përpara Ministrisë së Arsimit për vënien në zbatim të ligjit për Kartën e Studentit, i cili ka mbetur në letër prej më shumë se 10 vjetësh. 
E drejta e mohuar e studentëve, për më shumë se 10 vjet
Kjo e drejtë e studentëve është përfshirë dhe në Pr/ligjin e ri të Arsimit të Lartë. Ligj Nr. 80/2015 datë 22.7.2015 në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, në nenin100 të të cilit përcaktohet kjo e drejtë. 
Neni 100
Karta e studentit
1. Studentët e institucioneve të arsimit të lartë pajisen me kartën e studentit. Me anë të saj studentët përfitojnë lehtësira dhe shërbime me çmime të reduktuara, sipas përcaktimeve të bëra me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Ministria përgjegjëse për arsimin përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit.
3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit për ministrinë përgjegjëse dhe njësitë e qeverisjes vendore që mbulojnë shërbimet e ofruara ndaj studentëve.
Sigal