Sigal

Një zhvillim i papritur ka ndodhur dje dhe sot në mjedist e fakultetit të shkencave sociale, ku me sa duket radikalizimi i studentëve ka prekur gjithnjë e më shumë edhe pedagogët e tyre.

Tre faktorë të rëndësishëm kanë luajtur rrolin e katalizatorit në këtë valë të re të kundërshtimit ndaj qeverisë. Së pari dhuna policore kundrejt studentëve, së dyti përpjekja perfide e pushtetit për të krijuar një antagonizëm artificial mes nxënësve dhe mësuesve të tyre dhe së treti, me sa duket më e rëndësishmja, njohja me dy vendime të këshillit të ministrave të dala në ditët e fundit të dhjetorit, të cilat në vend të liberalizimit dhe ruajtjes së autonomisë synojnë edhe më shumë shkallmimin e saj dhe ritjen e kontrollit nga ministria e arsimit.

Për këto tre faktorë, një grup pedagogësh të shkencave sociale i kërkuan dje përfaqësuesve të tyre në senatin e universitetit të bëheshin mbrojtës të kërkesave të studentëve, të kërkonin shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë dhe të dënonin dhunën. Ashtu sikurse u pa, pas kësaj kërkese të firmosur nga një grup i konsiderueshëm prej 32 nismëtarësh (po ata që patën firmosur edhe peticionin e fund dhjetorit), senati iu përgjigj me një qëndrim as mish dhe as peshk, (mbështeti edhe kërkesat e protestës edhe rikthimin në mësim, gjë që u përshndet edhe nga Edi Rama). 

 

Pas kësaj ndodhi një gjë e pa mendueshme dhe perceptueshme vetëm pak ditë më parë.

Pedagogët e Shkencave sociale mblodhën të gjithë trupën e mësimdhënësve, pra asamblenë e fakultetit ku përfshihen të gjithë të punësuarit me kohë të plotë dhe morën vendimin unanim: jo vetëm për mbështetjen e studentëve, por edhe kërkesën për abrogimin e ligjit të arsimit të lartë, nga i cili Rama ka thënë se nuk tërhiqet.

“Pika më e fortë e kësaj lëvizjeje është kundështimi i ligjit dhe thirrja që u bëhet asambleve të fakulteteve të tjera dhe senatit të UT që të shprehen në të njëjtën mënyrë kundër ligjit. Ndryshe nga deklarata e dhjetorit që ishte e një grupi pedagogësh, ky është vendim institucional që përfaqëson të gjithë pedagogët” komentoi menjëherë pas saj, pjestari i këtij fakulteti dhe aktivisti i Lëvizjes për Universitetin Arlind Qorri.

Edhe vetë lëvizja e konsideroi këtë akt një hap historik të nxitur nga demokracia që studentët po i mësojnë mbarë shoqërisë: “Ndryshe nga Senati i Universitetit të Tiranës, Asambleja e Stafit Akademik të Fakultetit të Shkencave Sociale nuk bën thirrje për rifillimin e mësimit, por mbështet kërkesat e studentëve dhe rishpreh vullnetin e saj për abrogimin e ligjit të arsimit të lartë.
Është hera e parë që në universitetet publike të Republikës së Shqipërisë mblidhet formalisht asambleja e pedagogëve. Studentët u mësuan të gjithëve se demokracia e drejtpërdrejtë funksionon”, u shkruajt në faqen e saj në Facebook.

Pra ndërkohë që qeveria dhe mediat pranë saj po shpallin fundin e protestës studentore, ndërkohë që ata e paraqesin atë që po ndodh aktualisht në fakultete si pengmarrjen e një grupimi të ogël të nxitur nga opozita, mbarë trupa e petagogëve të shkencave sociale dëshmojnë për të kundërten.
Vendimi i tyre dhe ftesa për fakultetet e tjera tregon se në vend që të shuhet, tharmi i protestës vetëm sa po shumfishohet.