Studentët e Durrësit protestë kundër reformës në arsimin e lartë

528
Një grup studentësh protestuan sot në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, me pankarta në duar, duke u sensibilizuar me protestat e studentëve të Tiranës. “Xhepa bosh ëndrra vjedhur e studentit”, “Jo rritje me nga 120 euro të tarifave”. “Stop! Taksuat ëndrrat tona” ishin disa prej pankartave që një grup studentësh mbajtën në duar. Isa Myzyri nga Lëvizja për Universitetin tha se studentët kërkojnë tërheqjen e reformës për arsimin e lartë dhe që drejtuesit e universitetit të dalin me një qëndrim mbi këtë reformë.

“Dënojmë dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit. Kërkojmë tërheqjen e qeverisë nga reforma e për Arsimin e Lartë, e cila rrjep studentët me tarifat e kripura. Drejtuesit e universitetit të Durrësit, të dalin publikisht me qëndrim të qartë mbi reformën e Universitetit”, tha ai. Ylli Përmeti studiues, ishte në krah të studentëve protestues. Përmeti ju bëri thirrje pedagogëve të mbështesin studentët protestues. “Nga 550 pedagogë në Durrës vetëm 3 prej tyre kanë shprehur kundërshtime në anën teknike dhe jo në tërësinë e filozofinë e saj. Pedagogët duhet të bashkohen e të udhëheqin studentët në nismat e tyre. Pedagogët duhet të jenë në ballë të studentëve, duhet të jenë mbështetja e tyre. Reforma cenon politikat afatgjatë të studentëve dhe të pedagogëve. Pedagogët duhet ti sqarojnë për efektin që ka kjo reformë në jetën sociale ekonomike të çdo studenti”, tha pedagogu.

SHKODËR, PRINDËRIT E NXËNËSVE NË 4 SHKOLLA PROTESTË: FRËNGJISHTJA, JO GJUHË PRIMARE PËR NXËNËSIT
Në Shkodër, prindërit e nxënësve të 4 shkollave janë hedhur në protestë sot bashkë me fëmijët e tyre kundër futjes së gjuhës frënge në shkolla. Ata kanë kërkuar që frëngjishtja të mos jetë gjuhë primare për nxënësit. “Kundër projektit për frëngjishten si gjuhë e huaj. Dy mujorin e parë fëmijët kanë studiuar anglisht. Frëngjishtja të mos jetë gjuhë primare për nxënësit. Bojkoti do të vazhdojë nëse nuk merren masa. Marrëveshja mes MAS dhe ambasadës franceze”, kanë thënë prindërit.
Sigal