Striptizmi, biznesi që po prodhon miliona lekë në klubet e natës

982
Raporti sekret që ka mbërritur 10 ditë më parë në katër drejtime, konkretisht në Ministrinë e Brendshme, në Prokurori, në Ministrinë e Jashtme dhe në Ministrinë e Drejtësisë, jep alarmin për një problem që ka lidhje me krimin e organizuar të prostitucionit, që ka gjetur “strehë” të qetë e po ushtron aktivitet në Shqipëri. Është fjala për femrat “striptiste”, të cilat “punojnë” në lokalet periferike e në qendër të Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit, Kavajës, Fierit, Beratit, Shkodrës, Lezhës e Vlorës, por me përqendrim në lokalet e Tiranës, ku fluksi i “qejflinjve” dhe i paguesve të “majmë” janë të shumtë. Këto femra të cilat emërtohen me profesionin “striptiste”, shërbejnë si “lëndë e parë” për një biznes të fuqishëm financiar vetëm duke kërcyer në mënyrë ndryshe nga koncertet publike, por që sigurojnë shumë të ardhura financiare për ata që i kanë puënsuar dhe për lokalet ku ato “punojnë’ 
Në Shqipëri, “kërcejnë” 1130 striptiste të huaja
Sipas raportit të shërbimeve të huaja, rezulton se në Shqipëri janë “strehuar” dhe ushtrojnë aktivitetin, ose më saktë profesionin e striptistes 1130 femra me shtetësi e origjinë të huaj. Ato janë futur në Shqipëri nga 21 shtete të rajonit, të BE, Rusia, Turqia e deri nga vendet e Afrikës, të cilat në të vëna në kërkim të mbijetesës ekonomike dhe ëndrrës për “jetë luksi”, kanë zgjedhur si mundësi reale e shpëtimtare “punësimin” si striptiste, por edhe kanë rënë viktimë e trafikut të shkallëzuar të rrjeteve mafioze, duke u shitur, blerë e përdorur “dorë pas dore”, deri sa kanë përfunduar si kërcimtare-striptiste e këngëtare nate dhe dite edhe në lokalet e Tiranës e të qyteteve kryesore të Shqipërisë, ku “puna” e tyre ka “konsumatorë” të shumtë nga bota e krimit, biznesit, madje edhe e politikës të cilët paguajnë shtrenjtë. Sipas raportit sekret të shërbimeve të huaja inteligjente, që i është dorëzuar si informacion dhe detyrë për veprim katër institucioneve shtetërore shqiptare, duhet të nis urgjent veprimi me bazë Ministrinë e Brendshme e cila ka detyrën dhe fuqinë goditëse të këtij lloji krimi të maskuar pas “kërcimit”, ose siç quhet “striptizëm” që vepron lirshëm në Tiranë e në qytete metropol të Shqipërisë, sidomos Durrësi, Korça, Elbasani, Fieri, Vlora, Shkodra etj. Faktikisht Ministria e Brendshme ka një “hartë” të lokaleve të natës e të ditës në Tiranë dhe qytetet e tjera kryesore, në të cilët përdoren femra për aktivitet striptizmi, por edhe ëpr aktivitet kriminal të maskuar pas këtij lloji “arti” që në Shqipëri është futur e po shtohet jashtë çdo kontrolli. Të 1130 femrat striptiste janë në aktivitet të plotë dhe nuk preken. Pak ditë më parë, policia e shtetit, nisur prej raportit sekret të ardhur nga shërbimet e huaja lidhur me striptiste, bëri një aksion “blic” në lokalet e natës në Durrës, për të kapur femrat që përdoren për prostitucion dhe maskohen pas stripitizmit, duke deklaruar numër femrash të kapura, por jo emra lokalesh e pronarësh e madje as njoftim për “fatin” e tyre e për më tepër asnëj informacion për shtetësiën dhe linjën e bosët e trafikut që i ka sjellë e i ka punësuar në Shqipëri. Nuk themi që policia e shtetit nuk e lufton këtë lloj krimi, por bëjmë prezent faktin që ky lloj aktiviteti kriminal i maskuar pas “këngës e kërcimit” nuk po goditet përfundimisht, paçka se ekziston gjithë informacioni për “strehët” ku ato gjenden e ushtrojnë aktivitetin e lirshëm, madje edhe në qendër të Tiranës ku shtetarët e lartë pinë kafe ditën e natën “sajdisin” këto striptiste. 
Fakti/ 900 striptiste të pajisura me 10-15 pasaporta “shengen”
Nuk është aspak çudi fakti, që striptistet e huaja që ushtrojnë aktivitet “kërcimi” e “ahengu” në lokalet e Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Shkodrës, kavajas, Elbasanit, Gjirokastrës etj, janë të pajisura me leje qëndrimi në territorin shqiptar, me statusin “punësim i përhershëm”. Lejet e qëndrimit në Shqipëri, jepen dhe këtë e njeh Ligji Nr. 108/2013, datë 28.3.2013 “Për të huajt”, i cili përcakton liritë dhe kufizimet e hyrjes dhe qëndrimit të personave të huajve në Shqipëri, duke detajuar kalimet transit, lejet e përkohshme dhe lejet afat-gjata, madje edhe dhënie shtetësie e leje punësimi. Por kjo e drejtë për të huajt, përpara se të jepet duhet të kaloj nëpër disa “filtra” kontrolli e verifikimi e pastaj të “firmose”. Pikërisht këtë kontroll e verifikim, ose më saktë këtë tolerancë që ka lejuar futjen në Shqipëri të femrave të huaja “lëndë e parë e krimit” ndërkombëtar” që punojnë si striptiste në lokalet e Tiranës dhe qytetarëve të tjerë, shteti shqiptar nuk e ka bërë sipas ligjit. Ato vazhdojnë punojnë ditë e natë edhe në qendër të Tiranës, të maskuara si striptiste, kur në fakt janë femra të skeduara si kontingjent i “botës së prostitucionit” dhe trafiqeve ndërkombëtare”, të cilat i ka zbuluar shërbimi inteligjent i huaj që gjenden e ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe nuk paska “zbuluar e nuk po i zbulojnë dot” shërbimet shqiptare, jo sikur ato ushtrojnë biznes prostitucioni siç ka kapur raste policia e shtetit edhe së fundi në disa lokale në Durrës, por sikur të punojnë sporteliste e… pastruese oborri lokalesh! Këto femra që prezantohen, që janë të regjistruara edhe në organet e policisë së shtetit si “të punësuara striptiste”, kanë një sekret tjetër që shteti e di dhe nuk e ndal, ose më saktë nuk e godet. Faro 900 nga këto striptiste janë të pajisura e qarkullojnë drejt e jashtë Shqipërisë me nga 10-15 pasaporta të vendeve “Shengen” e të vendeve të rajonit, por edhe të vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik e të vendeve të Afrikës. Si i kanë siguruar këto pasaporta? 
———————
Skandali/189 prej tyre kanë marrë edhe shtetësi shqiptare
Skandali tjetër që qëndron në faktin, që duhet të trondisë shtetin shqiptar dhe drejtësinë. Nëpër lokalet luksoze të bosëve të shtetit, të politikës e të botës së krimit punojnë 1130 femra të huaja që argëtojnë të kamurit me kërcime në “shkopin” dhe podiumet e tavolinat e striptizmit. Sipas burimeve të informacionit që vijnë nga shërbimet sekrete shqiptare, 189 prej këtyre femrave “striptiste” janë të pajisura me shtetësi shqiptare, të cilën e kanë shtetësinë e detyrë e të tretë, mbasi u lejon shteti shteti shqiptar dhe shteti nga ato vijnë. Kujtojmë që këto figurojnë në listën e femrave që janë kontingjent i “biznesit” dhe krimit ndërkombëtar e rajonal të seksit, të futura në Shqipëri si vizitore, si të martuara fiktivisht, si turiste afatgjata, si promovuese projektesh sociale, si të punësuara me leje e kontrata të përsëritura disa herë e së fundi duke marrë edhe shtetësinë shqiptare!
—————————–
Ja çfarë përcakton Ligji Nr. 108/2013, datë 28.3.2013 Për të huajt 
Neni 17 
Lëshimi i lejekalimit për të huajt 
1. Lejekalimi për të huajt i lëshohet me afat deri në 30 ditë një të huaji që nuk ka një dokument udhëtimi nëse: a) i ka mbaruar statusi i refugjatit dhe kërkohet largimi i tij jashtë vendit 
b) Shteti i tij nuk ka përfaqësi diplomatike apo zyrë konsullore në Republikën e Shqipërisë dhe interesat e tij për të shkuar jashtë vendit nuk përfaqësohen nga një shtet tjetër 
c) Ka humbur dokumentin e udhëtimit për refugjatët, ose dokumentin e udhëtimit për personat pa shtetësi jashtë vendit, të lëshuar nga policia për t’u kthyer në Republikën e Shqipërisë. 
2. Lëshimi i lejes së kalimit për të huajt bëhet nga autoritetet rajonale për kufirin dhe migracionin ku i huaji ka pasur së fundmi vendqëndrimin e tij. 
3. Formati i lejes së kalimit për të huajt miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. 
—————————–
Ja 12 institucionet që kontrollojnë të huaj që qëndrojnë në Shqipëri 
1. Autoriteti shtetëror qendror përgjegjës për trajtimin e të huajve që kërkojnë të hyjnë dhe të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë, është struktura përgjegjëse për kufirin dhe migracionin. 
2. Autoriteti shtetëror qendror përgjegjës për trajtimin e të huajve që kërkojnë mbrojtje (azil) dhe për refugjatët apo për personat, të cilët janë nën mbrojtje plotësuese, është struktura që mbulon çështjet e shtetësisë dhe refugjatët. 
3. Autoriteti shtetëror përgjegjës, në nivel rajonal/vendor, për trajtimin e të huajve që kërkojnë të hyjnë dhe të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë, është struktura rajonale që mbulon çështjet e kufirit dhe migracionit. 
4. Autoriteti shtetëror qendror, përgjegjës për trajtimin e kërkesave për vizë, është struktura përgjegjëse për çështjet konsullore. 
5. Autoriteti përgjegjës për pranimin e kërkesave për vizë dhe lëshimin e vizave janë përfaqësitë diplomatike, zyrat konsullore jashtë vendit, si dhe autoriteti përgjegjës vendor për çështjet e kufirit dhe migracionit në pikat e kalimit kufitar, për rastet e përcaktuara në këtë ligj. 
6. Autoriteti shtetëror qendror, përgjegjës për trajtimin e marrëdhënieve të punësimit të të huajve në Republikën e Shqipërisë, është autoriteti përgjegjës për çështjet e migracionit në ministrinë që mbulon çështjet e punësimit. 
7. Autoriteti shtetëror përgjegjës, në nivel vendor, për punësimin e të huajve, është zyra përkatëse e punësimit. 2115 8. Autoriteti shtetëror bashkërendues në përcaktimin e kuotave vjetore të punësimit për të huajt është ministria përgjegjëse për ekonominë. 
9. Autoriteti shtetëror përgjegjës për vlerësimin e sigurisë kombëtare është struktura që mbulon shërbimin informativ shtetëror në nivel qendror. 
10. Autoriteti shtetëror përgjegjës për vlerësimin e cenimit të sigurisë publike, është struktura përgjegjëse e Policisë së Shtetit. 
11. Autoriteti shtetëror përgjegjës për vlerësimin e rrezikut për shëndetin publik, është ministria përgjegjëse për shëndetësinë. 
12. Autoriteti shtetëror qendror përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e programit kombëtar të integrimit social të të huajve, janë ministria përgjegjëse për punën dhe çështjet sociale, ministria përgjegjëse për arsimin dhe shkencën dhe ministria përgjegjëse për turizmin, kulturën, rininë dhe sportet. 
Sigal