Strehimi, ja si ndahen fondet për familjet

746
Bashkitë, si do të marrin fondet e strehimit

Përcaktohen kriteret për familjet përfituese, si merret granti dhe mënyra e përdorimit të fondeve. Lista e punimeve që financohen
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përcaktuar mënyrën e aplikimit të njësive të vetëqeverisjes vendore për fondet e strehimit. Në udhëzimin e posaçëm përcaktohen edhe kriteret, mbi bazën e të cilave familjeve në nevojë, do t’u ndahet në total një shumë prej 250 milionë lekë. Fondi prej 250 milionë lekë, i planifikuar në zërin e investimeve për programin buxhetor “Strehimi”, do të përdoret për të mbështetur realizimin e projekteve për përmirësimin e kushteve të banimit të komuniteteve të varfëra dhe pa përkrahje, sipas projektpropozimeve të njësive të vetëqeverisjes vendore (NJVV). Për vlerësimin e propozimeve të bashkive, Ministria e Financave ka ngritur edhe një komision të posaçëm. Në bazë të udhëzimit, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet t’i paraqesin kërkesë me shkrim Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për përfitimin e fondit. Aty duhet të përcaktohen: a) Vlera totale e projektit; b) Shuma që mbulohet nga bashkia dhe/ose banorët; c) Shuma që kërkohet nga buxheti i shtetit; d) Grupet prioritare që do të përfitojnë nga projekti; e) Numrin e përfituesve direkt nga projekti; f) Format e ndërhyrjeve, si dhe g) Përshkrim i detajuar i gjendjes së banimit të komuniteteve që synon të adresojë projekti, numri i familjeve, përbërja familjare, gjendja sociale, niveli i të ardhurave etj. Gjithashtu, bashkitë duhet të bëjnë një përshkrim të objektivave dhe aktiviteteve të projektit, si dhe projektin teknik (planimetri, fasada) e preventivin. Në rastet kur fondi kërkohet për adaptimin e një objekti jobanimi, që do të ngelet në pronësi të bashkisë dhe do të përdoret si banesë sociale me qira, financimi mund të mbulojë të gjitha kostot e nevojshme të adaptimit, të cilat nuk mbulohen dot me të ardhurat e bashkive. 
Për vlerësimin e propozimeve, përdoren kriteret e mëposhtme:
a) Komunitetet/kategoritë e familjeve që trajtohen me përparësi:
i) Familje të komunitetit rom;
ii) Familje të komunitetit egjiptian;
iii) Familje të zonave rurale;
iv) Të moshuar pa përkrahje;
v) Familje me më shumë se 4 fëmijë;
vi) Familje njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë.
b) Numri i përfituesve të drejtpërdrejtë nga projekti dhe i atyre që mund të ndikohen në mënyrë të tërthortë (p.sh., nga përmirësimi i zonave ish-industriale rritet siguria edhe për banorët që jetojnë në zonën përreth etj.).
c) Format e ndërhyrjeve që mund të financohen nëpërmjet fondit të vënë në dispozicion mund të jenë sipas njërës prej formave të përcaktuara në pikat “i”, “ii” e “iii” apo kombinimin e tyre:

i) Rehabilitim/përforcim i banesave a ngrehinave ekzistuese të cilat paraqesin njërin apo kombinimin e kushteve si më poshtë:
1 – Banesa rrezik-shembjeje, të cilat kërkojnë përforcim të themelit, të muraturës mbajtëse apo të mbulesës;
2 – Ngrehina të improvizuara, të cilat mund të adaptohen për të siguruar kushte minimale higjienoshëndetësore;
3 – Banesa, të cilave u mungojnë dyert a dritaret;
4 – Banesa pa mjedise shërbimi, si: banja, anekse gatimi apo banesa me një dhomë të vetme, ku zhvillohen të gjitha aktivitetet (fjetje, ngrënie, gatim, ndenje), ku ka mundësi të shtohen mjedise minimale, si: banja, aneks gatimi, dhomë gjumi apo blerje dhe montim të pajisjeve të ËC-së, lavamanit, lavapjatës, dushit, vendit të gatimit, pajisje minimale gatimi etj.;
ii) Adaptim i godinave ekzistuese jo banimi që kanë kaluar në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, objekte ish-industriale, ish-magazina, zyra etj. dhe kthimi i tyre në mjedise banimi me kushte të përshtatshme.

iii) Përmirësime të shërbimeve bazë (rrugë, ujë i pijshëm, kanalizime), të tilla si:
1 – Lidhja e zonës me rrugë të brendshme;
2 – Lidhja e banesave me sistemin ekzistues të ujësjellësit dhe të kanalizimeve;
3 – Vendosje e çezmave kolektive;
4 – Ndërtim pusi për marrjen ujit;
5 – Ndërtim grope septike;
6 – Sistemim i jashtëm i zonës ku është vendosur komuniteti, eliminimin e ndotjeve të dëmshme dhe krijimi i kushteve minimale higjieno-shëndetësore;
7 – Ndriçimi i vendbanimit;
8 – Marrja e masave për mbrojtjen nga vërshimi i lumenjve, si ndërtimi i pritave etj.;
Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të sigurohen që:
a) Familjet përfituese të granteve të vogla të plotësojnë njërin nga kushtet si më poshtë:
i) Të jenë pronarë të objektit dhe truallit;
ii) Të dëshmojnë që janë në proces legalizimi.
b) Objektet me funksion jo banimi të jenë të regjistruara në ZVRPP-në përkatëse në emër të bashkisë;
c) Shuma maksimale e grantit për familje të mos jetë më shumë se 600,000 lekë. Kjo shumë do të përdoret edhe si kufi maksimal i financueshëm nga buxheti i shtetit për familje/banesë.
Deklarimi i të ardhurave, sot dita e fundit
Tatimet u bënë thirrje të gjithë individëve, të cilët realizojnë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit që kanë afat deri më 30 prill për të bërë deklarimin e tyre. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, administrata tatimore thekson se Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu, edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2 milionë lekë. Sipas tatimeve, çdo individ, i cili është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, duhet të bëjë kujdesin e duhur për plotësimin e saktë të të dhënave të deklaratës dhe sidomos për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm. Tatimet shpjegojnë se plotësimi i pasaktë i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues. Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, është kuti e lirë boshe në deklaratë dhe plotësohet nga vetë deklaruesi. Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero për qind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit). Tatimi mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, duhet të llogaritet vetëm për pagat dhe shpërblimet e përfituara nga individi, bazuar në një marrëdhënie të rregullt punësimi dhe sipas shumave të deklaruara nga punëdhënësi në listëpagesat respektive. Çdo e ardhur tjetër, e përfituar për shkak të marrjes pjesë në komisione të ndryshme, komitete, borde drejtuese, këshilla mbikqyrese etj, për të cilat është mbajtur paraprakisht 15 % tatim në burim nga përfituesi i shërbimit dhe nuk janë deklaruar si paga nga ky i fundit, nuk duhet të llogariten si pagë e përfituar nga individi deklarues. Totali i pagave dhe shpërblimeve të deklaruara nga individi deklarues duhet të përputhen me totalin e pagave dhe shpërblimeve të deklaruara për të nga punëdhënësit, sipas deklaratave të listëpagesave respektive të administruara nga administrata tatimore.

Çfarë deklarohet
Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit
Të ardhurat bruto nga dividenti
Të ardhurat bruto nga qiraja
Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit
Të ardhura bruto nga interesat bankare
Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme
Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.
Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
Fitimi kapital nga dhurimi.
Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart
Skema e tatimit:
– Për shumën e pagave mujore deri 30,000 lekë tatimi është zero përqind
– Për shumën e pagave mujore nga 30,001 lekë – 130,000 lekë tatimi është 13% e shumës mbi 30,000 lekë
– Për shumën e pagave mujore nga 130,001 lekë e më tepër tatimi është 13,000 lekë plus 23% e shumës mbi 130,000 lekë
Sigal