“Strategjitë Kombëtare” dhe degradimi i arsimit parauniversitar

663
Duke u justifikuar me “reformimin e sistemit arsimor” apo me “futjen e kurrikulave të reja”, për të “modernizuar” sipas parametrave europianë shkollat dhe stafet e tyre në gjithë sistemin parauniversitar, për afro 25 vjet tek ne është kryer një krim i pariparueshëm me përmasa të jashtëzakonshme për të ardhmen e brezave. Statistikat tregojnë se, “nën kujdesin e çdo ministri të pothuajse të gjitha qeverive të pas ’90, në krejt sistemin arsimor janë kryer deri sot mbi 190 eksperimente, (që mbajnë firmën e ish-ministrave) duke marrë dhe përshtatur tek ne sistemin shkollor bullgar, turk, hungarez, francez, gjerman dhe amerikan dhe duke shkatërruar në rrugën pa kthim, gjithë kontributet e profesorëve, akademikëve, por edhe arsimtarëve të cilët ishin formuar dhe përgatitur në shkolla të profilizuara të sistemit universitar. 

Eksperimentet, në vend të reformave serioze

Mësuesia tek ne ishte alfa dhe omega e gjithçkaje, në përgatitjet teorike dhe praktike të brezit të ri dhe fakti është se në Shqipëri ka patur dhe ka akoma edhe sot metodistë të shkëlqyer me eksperiencë të gjatë në fushën e pedagogjisë. Sot pas afro 25 vitesh, ndeshemi me pasoja të tmerrshme që kanë ardhur nga “eksperimentet” e çdo ish-ministri, zv/ministri, drejtori drejtorie, madje edhe drejtori arsimi në rrethe. Gjithçka nisi duke u justifikuar pas “reformave demokratizuese”, pas “përmbysjes së platformave arsimore të diktaturës” që ish-ministrat e Arsimit kanë guxuar t’i zbatojnë duke shkelur mbi ligjet, arritjet, sukseset në arsim, dhe patjetër edhe mbi figurën e mësuesit. Janë plot 190 eksperimente të miratuara nga borde dhe komisione në 25 vjet, që kanë ulur dhe përdhosur figurën e edukatorit, mësuesit të shkollave të sistemit parauniversitar, 9 –vjeçar dhe të mesëm. Mbyllja e shkollave në fshatrat e afërt dhe të largët, denigrimi mësuesve dhe vetshkatërrimi i godinave shkollore, vjedhja dhe groposja e afro 1440 kabineteve shkollore në gjithë vendin, u kishte hapur rrugën “reformave” të tilla absurde si “ndryshimi teksteve nga inkompetentë, bashkimi dhe shartimi klasave, legalizimi mësuesve pa arsimin përkatës për të dhënë lëndë të ndryshme profesionale, futja e pikëzimit, futja e kartelës dyngjyrëshe në klasa si mjet pune për mësuesin, matura shtetërore, nxjerrja e rregulloreve strikte që favorizojnë nxënësit dhe ndëshkojnë mësuesit deri në largimin nga puna, detyrimi mësuesve për tu marrë dhe edukuar edhe pas orarit të mësimit me nxënësit problematikë” janë vetëm disa prej mëkateve që sot rëndojnë me çdo ish-ministër të dikasterit të Arsimit. Deri sot janë hartuar dhe zbatuar pa shumë arritje në fushën e arsimit, disa “Strategji Kombëtare të Arsimit Parauniversitar”, (SKAP), si ajo e vitit 1992-1996, ajo e vitit 1997- 1999, ajo e vitit 2000-2005, dhe 2009-2013, të ndarë përkatësisht çdo e tillë në 5 kapituj. Por sikur të mos mjaftonin gjithë këto fashikuj me strategji “të moderuara” dhe të huazuara, për arsimin parauniversitar, pas vitit 2013, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, ka nisur sërish zbatimin e një strategjie, e cila kësaj here mban vulën e “Rilindjes”. Pra arsimi parauniversitar deri sot nuk ka qenë në binarët e duhur, ndaj “Rilindja” ka hartuar strategjinë e saj. Të tjera rregulla, të tjera vlerësime, të tjera kritere, të tjera shkaqe dhe arsye të emërimeve dhe largimeve të mësuesve, dhe asnjëherë rregulla dhe vendime që forcojnë rolin dhe figurën e tij (mësuesit) në sytë dhe mendjen e nxënësve. Mësuesi me eksperiencë pune 25 apo 30 vjeçare, barazohet sot me një mësues që sapo ka mbaruar fakultetin me nota 5 apo 6, dhe me provime 100 mijë lekëshe. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë mbytëse për mësuesit, këta të fundit ndjehen të vetmuar edhe të papërkrahur edhe nga Sindikata e Pavarur e Arsimit. Kjo pasi realisht ashtu si në çdo sektor edhe në arsim, janë 2 sindikata, të cilat nuk kuptohen fare me njëra-tjetrën. 

Degradimi i pakthyeshëm i arsimit

Ata mësues apo mësuese që kanë mbi “mbi shpinë” një eksperiencë të gjatë pune në arsim, shprehen se “çdo vit na ndryshojnë strategjitë, çdo vit na ndryshojnë vendimet dhe rregullat, të cilat e vështirësojnë artificialisht profesionin tonë, ndjehemi nën presion, ku së fundi edhe nga nxënësit, tek jemi të detyruar të punojmë me tekste skandaloze, por edhe të durojmë në klasa nxënës vulgarë, rrugaçë, të transformuar nga jeta e shthurur dhe e pakontrolluar, që prishin orët e mësimit, që shpesh tallen me ne kur shpjegojmë lëndën, që luajnë me celularët e tyre të shtrenjtë, dhe që në fund të bëjnë edhe presione, duke na thënë se “ankohemi në DAR dhe ti ikën nga puna”. Kjo situatë po degradon brezat, strategjitë e reja nuk kanë asgjë të bazuar mbi situatën dhe efektet që japin mbi sistemin arsimor në shkollat tona. Mësuesit, kryesisht ata me eksperiencë të gjatë pune, apelojnë për forcimin e rolit të tyre në boshtin e edukimit dhe formimit të nxënësve, pasi ata janë kthyer në “vegla” qorre ku mund ti pushojë nga puna deputeti, apo edhe një ankesë e thjeshtë, pa shkak e një prindi apo nxënësi në DAR. Kjo klimë e krijuar terrori psikologjik shpesh edhe fizik tek mësuesit, që është e pranishme në çdo shkollë të vendit, duhet të marrë fund. 
Sigal