Strasburgu shpërblen me miliona Delijorgjin e Gërdecit

1064
Sigal

Ndërsa dosja “Gërdeci”, quhet e mbyllur dhe e “harruar” nga politika me heshtje dhe nga drejtësia me masat e ndëshkimit që dha ndaj të akuzuarve, si shkaktar të tragjedisë ku prej shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec humbën jetën 26 persona, u gjymtuan e u plagosën 265 të tjerë brenda e jashtë fabrikës dhe u shkatërruan mbi 300 banesa e biznese të zonës, një dosje tjetër po me emrin “Gërdec” ka qenë e depozituar qysh prej datës 4 janar 2011 prej Mihal Delijorgjit, si akt-padi për rigjykim në Strasburg, me palë të paditur Shtetin Shqiptar. Dje, Shteti Shqiptar ka njoftuar zyrtarisht e publikisht, se kjo dosje është mbyllur në favor të akuzuesit Mihal Delijorgji, i cili është shpallur edhe fitues i këtij gjyqi për një padi që ka lidhje me procedurat e mbajtjes së tij në arrest në burg. 

Mihal Delijorgji, fiton 22 milionë lekë dëmshpërblim për 16 muaj izolim të paligjshëm
Me një vendim të formës së prerë për një çështje që ka lidhje me historinë e dosjes “Gërdeci” , Gjykata e Strasburgut ka “demontuar” Shtetin Shqiptar, duke dhënë një vendim në favor të personazhit kryesor të kësaj dosjeje. Pas 5 vitesh pranim, hetim e gjykim, Gjykata e Strasburgut vendosi t’i jap Mihal Delijorgjit 15 mijë e 600 euro, ose 22 milionë lekë dëmshpërblim për 16 muaj izolim të paligjshëm, të mbajtur në qelitë e drejtësisë shqiptare. Njoftimi zyrtar është bërë dje, në “Fletore Zyrtare” Nr. 18, datë 10 shkurt 2016. Ky vendim gjyqësor përfundimtar i “Formës së prerë”, dhënë prej Gjykatës së Strasburgut, ka pasur palë paditëse personazhin kryesor të dosjes “Gërdeci”, ndërsa si objekt padie ka pasur kërkesën e tij për dëmshpërblim financiar për humbje vlerash ditë-pune dhe për dëm psikologjik e moral, të shkaktuar prej drejtësisë shqiptare, prej praktikës së arrestimit dhe mbajtjes së paligjshme me izolim në qelitë e burgut. Me një akt padi të “menaxhuar” nga një studio avokatie shqiptare, Mihal Delijorgji ka arritur t’a shpall fajtor Shtetin Shqiptar, duke i marrë dëmshpërblim financiar për kohën e izolimit në burg, të cilin gjykata e Strasburgut e vlerësoi dhe e shpalli në shkelje të ligjit! 
“Historia” 5 vjeçare e dosja vendimit të gjyqit “Delijorgji” në Strasburg
Është skeduar e arkivuar në “Seksionin e Katërt”, çështja “Delijorgji” kundër shtetit shqiptar. Ankimi i Delijorgjit është regjistruar në Gjykatën e Strasburgut në datën 4 janar 2011, me Dosjen Nr. 6858/11. Me këtë dosje është shpallur edhe vendimi që deklaron të paligjshëm veprimin e drejtësisë së shtetit shqiptar, për arrestimin dhe mbajtjen e Mihal Delijorgjit 16 muaj në izolim me burg! Vendimi nga Gjykata Strasburgut është marrë në datën 31 mars 2015, por është shpallur në datën në 28 prill 2015, ndërsa në datën 14 shtator 2015 është deklaruar si “Vendim i Formës së Prerë”. Vendimi ka marrë “Formën e Prerë”, mbështetur në Nenin 44§2 të Konventës. Ai mund t’i nënshtrohej rishikimit redaktues, por kjo gjë nuk është kërkuar nga ana e Shtetit Shqiptar, më saktë nga Avokatura e Shtetit, si përfaqësuese e Shtetit Shqiptar në këtë proces. Kujtojmë, që çështja “Delijorgji” kundër Shtetit Shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, u gjykua në Dhomën e kësaj gjykate, të përbërë nga Presidenti Päivi Hirvelä, nga gjykatësit George Nicolaou, Ledi Bianku, Nona Tsotsoria, Paul Mahoney, Krzysztof Woktyczek, Faris Vehabović, dhe nga Fatoş Aracı, Zv/Regjistrues i Seksionit. Kërkesë-Padia e Mihal Delijorgjit, u shqyrtua me dyer të mbyllura në datë 31 mars 2015, datë që u miratua dhe u shpall ky vendim.
Kur ka nisur “historia” e dosjes “Delijorgji” për kërkesën e dëmshpërblimit të bërë prej tij “për ndalim dhe izolim të paligjshëm”? Po i referohemi Vendimit të Gjykatës së Strasburgut… Çështja e ka zanafillën në datën 4 janar 2011, me ankimin e Mihal Delijorgjit të regjistruar me titullin “Dosja Nr. 6858/11”, kundër Republikës së Shqipërisë, të depozituar në Gjykatën e Strasburgut sipas Nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, përfaqësuar nga 2 avokatë të njohur të një studioje ligjore shqiptare. Ndërsa Qeveria Shqiptare, u përfaqësua nga agjentja e saj zonja A. Hicka, me funksion zyrtar në qeveri, si Avokate e Përgjithshme e Shtetit. Kujtojmë, që dosja “Delijorgji” kishte si bazë ligjore, kërkesën për dëmshpërblim financiar, mbështetur në shkeljen e të drejtave të tij, sipas Nenit 5§1 (c) dhe Nenit 5§4 të Konventës, padi të cilën Gjykata E Strasburgut ia bëri të ditur Qeverisë Shqiptare, në datën 3 shtator 2013.

Sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut
Argumentet për shkeljet lijgore, në izolimin me burg të Mihal Delijorgjit
1. Data 15 mars 2008, në një fabrikë demontimi ndodhi një shpërthim masiv municioni luftarak që vrau 26 njerëz dhe plagosi 256 të tjerë, tragjedi për të cilën prokuroria shqiptare nisi procedimet penale kundër Mihal Delijorgjit dhe 28 personave të tjerë, duke bërë edhe arrestimin e tij.
2. Data 17 mars 2008, Mihal Delijorgji mbeti në arrest me burg. Gjykata e Rrethit nuk vendosi asnjë limit kohor në lidhje me kohën e izolimit të tij.
3. Data 18 mars 2008, Mihal Delijorgji akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana rënduese të më shumë se dy personave, shkatërrimin e pronës me lëndë shpërthyese dhe shkeljen e rregullave për eksplozivët, substancat ndezëse dhe ato radioaktive”, por kjo rezulton së ëshët bërë në kundërshtim me nenet 79 (dh) dhe (ë), 152 dhe 282 të Kodit Penal.
4. Data 13 mars 2009, prokuroria e dërgoi çështjen kundër Mihal Delijorgjit, për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, duke qenë se një nga të bashkë-pandehurit ishte Deputet e Ministër.
5. Data 22 maj 2009, Gjykata e Lartë vendosi të ndërpriste procedurat kundër Deputetit, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe Ministër Kabineti, nga ato kundër ankuesit dhe të bashkëpandehurve të tjerë.
6. Data 11 qershor 2009, dosja u regjistrua në Gjykatën e Rrethit Tiranë, për shqyrtim.
7. Data 19 korrik 2010, Mihal Delijorgji, këkroi lirimin nga arresti me burg, duke qenë se limitet kohorë të parashikuar në nenet 262 dhe263§2 (c) të Kodit të Procedurës Penale kishin përfunduar, mbasi afati kohor i përcaktuar ligjor kishte nisur që në 13 mars 2009
8. Data 23 korrik 2010, Gjykata e Rrethit Tiranë, në një vendim bisedor e rrëzoi kërkesën, duke deklaruar se afati kohor i arrestit kishte filluar që prej 11 qershorit 2009 dhe ishte në afatin ligjor për gjykim.
9. Data 6 gusht 2010, Gjykata e Apelit e la vendimin në fuqi.
10. Data 3 nëntor 2010, Gjykata e Lartë anuloi të dy vendimet, me arsyetimin se Neni 263 i KPP-së parashikonte 3 afate, ku i pari i cili nis nga data e arrestimit, deri në datën kur dosja transferohet në gjykatën e shkallës së parë, afati i dytë fillon nga ky moment e deri në datën e dhënies së vendimit nga gjykata, ndërsa afati i tretë nis nga ky moment e deri në datën e dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit.
11. Data 25 nëntor 2010, avokati i ankuesit, mbështetur në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 3 nëntor 2010, kërkoi me shkrim lirimin e ankuesit.
12. Data 26 nëntor 2010, Gjykata e Rrethit kundërshtoi kërkesën duke argumentuar se nuk ishte dërguar me shkrim në përputhje me ligjin, por ankuesi.
13. Data 6 dhjetor 2010, avokati i ankuesit paraqiti kërkesën e dytë për lirimin e ankuesit bazuar në argumentin se afatet kohore të parashikuara nga nenet 262 dhe 263 § 2 (c) të KPP kishin përfunduar.
14. Data 17 dhjetor 2010, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin dhe e ridërgoi çështjen për ridëgjim tek një trup gjykues tjetër, i cili konstatoi se Gjykata e Tiranës nuk kishte përmbushur detyrat e deleguara nga vendimi i Gjykatës së Lartë, i datës 3 nëntor 2010.
15. Data 27 janar 2011, Gjykata e Lartë e kundërshtoi apelimin.
16. Data 16 shkurt 2011, Gjykata e Rrethit e pushoi gjykimin në bazë të vendimit të saj, të datës 7 shkurt 2011.
17. Data 7 shkurt 2011, avokati i ankuesit kërkoi lirimin e ankuesit mbi bazën se afatet kohore të parashikuara nga nenet 262 dhe 263§2 (c) të KPPsë kishin përfunduar.

Ja Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, për dëmshpërblimin e Mihal Delijorgjit
1. E deklaron ankimin të pranueshëm;
2. Gjykata e Strasburgut, në vlerësim të provave, gjykon se është bërë një shkelje e Nenit 5§1 të Konventës, në lidhje me ndalimin e ankuesit nga data 24 nëntor 2010, deri në datën 12 mars 2012.
3. Gjykon se është bërë një shkelje e nenit 5§4 e Konventës
4. Gjykon, se shteti shqiptar është përgjegjës për këtë shkelje dhe duhet t’i paguajë ankuesit brenda 3 muajve nga data në të cilën vendimi bëhet i formës së prerë në përputhje me nenin 44§2 të Konventës, 15 mijë e 600 euro (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind euro),
5. Shteti shqiptar, duhet të paguaj ankuesit, plus çdo taksë tjetër që mund të jetë e tarifueshme në lidhje me dëmin jo monetar, duke i konvertuar në vlerën monetare të shtetit përgjegjës, në normën e aplikueshme në datën e shlyerjes
6. Që nga përfundimi i tremujorit të përmendur më sipër e deri në shlyerje, interesi i thjeshtë duhet të jetë i pagueshëm në shumat e mësipërme, llogaritur me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së kamatë-vonesës, plus pikë 3 përqindëshe. Gjykata e Strasburgut hedh poshtë pjesën e mbetur të kërkesës së ankuesit, për shpërblim të drejtë.
7. E përgatitur në anglisht dhe njoftuar me shkrim, më 28 prill 2015, në vijim të Rregullit 77§§2 dhe 3 të Rregullave të Gjykatës.