Statusi i naftëtarit, nisin aplikimet nga përfituesit

2035
Punonjësit në zinxhirin e prodhimit të naftës përfitojnë rritje të pagës minimale me 50 për qind
Punonjësit në industrinë e naftës, aktualisht por dhe në të kaluarën, mund të aplikojnë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për të përfituar statusin e naftëtarit. Me këtë status, punonjësit në të gjithë zinxhirin e prodhimit të naftës në vend përfitojnë rritje të pagës minimale me 50 për qind, e llogaritur ndryshe në 36 mijë lekë. Rritja në masën e pensionit është në varësi të viteve të punës. Ndërsa mosha e daljes në pension ulet me 5 vite për burrat në 60 vjeç dhe gratë 55 vjeç. Përfitime do të ketë edhe sa i përket trajtimit mjekësor falas, brenda dhe jashtë vendit. “Është ngritur komisioni që ligji përcakton që fillon realisht të shqyrtojë dhe pajisë personat që përfitojnë sipas kategorive nga statusi i naftëtarit”, ka deklaruar për mediat Koli Bele, nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Kategoritë dhe dokumentacioni i nevojshëm janë publike në faqen zyrtare të ministrisë. Megjithatë kjo e fundit pret një proces kompleks për shkak se përfshin ish-punonjës të ndërmarrjeve që mund të jenë privatizuar ose nuk ekzistojnë më. Për këtë arsye, ligji nuk përcakton afate, duke e lënë të hapur mundësinë e përfitimit të statusit për të gjithë naftëtarët. “Nuk ka një afat fiks, aplikantët mund të marrin kohën e tyre”, thotë Bele. Numri i përfituesve llogaritet në rreth 5 mijë dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 400 milionë lekë në vit.

Çfarë parashikon Statusi i naftëtarit:
1 – Pagat e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit do të përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës, e cila nuk mund të jetë më e ulët se 150 % e pagës minimale në shkallë vendi dhe do të reflektojë të gjitha detyrimet e Kodit të Punës si dhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin në shëndetin në punë, sipas aktiviteteve të punës;

2- Mosha e daljes në pension përcaktohet në 60 vjeç për burrat që kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 20 vjet në këtë industri dhe për gratë 55 vjeç dhe që kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 15 vjet në këtë industri; Bëjnë përjashtim, personat që kanë kryer punë si operator (përgjegjës kyçi) dhe ndihmës-operator (punëtor pastrimi), traktorist në brigadat e remontit nëntokësor të puseve të naftës e të gazit, krye-sondator, pontist dhe punëtor i kyçit në shpimin e puseve të kërkimit dhe të zhvillimit të vendburimeve, punonjës në repartet e koksit të rafinerive të naftës dhe punëtorët e pastrimit të brendshëm të rezervuarëve, depove dhe cisternave të naftës në industrinë e përpunimit të naftës dhe gazit. Mosha e daljes në pension për këta persona është 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë dhe me periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë për burrat dhe 25 vjet e më shumë për gratë dhe vjetërsi në këto profesione sa gjysma e vjetërsisë së përgjithshme;

3 – Personat që gëzojnë këtë status do të përfitojnë shtesë pensioni në masën 1% për çdo vit pune por jo më shumë se 40% të pensionit të pleqërisë;

4 – Personat të cilët e gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që kanë vjetërsi pune burrat mbi 20 vjet dhe gratë mbi 15 vjet në këtë industri dhe që janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përveç përparësisë në ripunësim, kanë të drejtën e përfitimit financiar sipas kushteve dhe proçedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili, në asnjë, rast nuk mund të jetë më i vogël se 80% e pagës minimale në shkallë vendi;

5 – Personat që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që dalin të papunë si rezultat i ristrukturimit të kompanive apo humbjes së vendit të punës për shkaqe që nuk lidhen me ta, gëzojnë përparësinë në punësim dhe përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim në masë dhe kohëzgjatje, sipas përcaktimeve të kontratës kolektive të punës, por jo më pak se 80% ë pagës minimale në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet;

6 – Përfituesit e statusit të naftëtarit, që janë në marrëdhënie pune, përfitojnë pushim vjetor shtesë, të paguar, në masën 25% të ditëve të punës që përcaktohen në legjislacionin përkatës në fuqi;

7 – Përfituesit e statusit të naftëtarit, që janë në marrëdhënie pune, përfitojnë pushim vjetor shtesë, të paguar, në masën 25% të ditëve të punës që përcaktohen në legjislacionin përkatës në fuqi;

8 – Përfituesit e statusit të naftëtarit dy herë në vit do të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shtetërore apo private në vend;

9 – Në rastet e koncesioneve në industrinë e naftës e të gazit, në marrëveshjen e koncesionit duhet të përcaktohet detyrimi i koncesionarit për të krijuar një fond profesional pensioni, sipas ligjeve që administrojnë këto fonde, me jo më pak se 10% të pagës bruto të punonjësve;

10 – Për personat, të cilët, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kryejnë punë në industrinë e naftës e të gazit, punëdhënësi paguan kontribute shtesë, në masën 3 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi.
Sigal