Statusi i naftëtarit. Ndryshon mosha e daljes në pension

107
Punonjësit në industrinë e naftës, aktualisht por dhe në të kaluarën, mund të aplikojnë prej kësaj të enjteje në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për të përfituar statusin e naftëtarit.
Me këtë status, punonjësit në të gjithë zinxhirin e prodhimit të naftës në vend përfitojnë rritje të pagës minimale me 50 për qind, e llogaritur ndryshe në 36 mijë lekë. 
Rritja në masën e pensionit është në varësi të viteve të punës. Ndërsa mosha e daljes në pension ulet me 5 vite për burrat në 60 vjeç dhe gratë 55 vjeç. Përfitime do të ketë edhe sa i përket trajtimit mjekësor falas, brenda dhe jashtë vendit. 
“Është ngritur komisioni që ligji përcakton që fillon realisht të shqyrtojë dhe pajisë personat që përfitojnë sipas kategorive nga statusi i naftëtarit”, ka deklaruar Koli Bele, nga MEI. 
Kategoritë dhe dokumentacioni i nevojshëm janë publike në faqen zyrtare të ministrisë. Megjithatë kjo e fundit pret një proces kompleks për shkak se përfshin ish-punonjës të ndërmarrjeve që mund të jenë privatizuar ose nuk ekzistojnë më. 
Për këtë arsye, ligji nuk përcakton afate, duke e lënë të hapur mundësinë e përfitimit të statusit për të gjithë naftëtarët. 
“Nuk ka një afat fiks, aplikantët mund të marrin kohën e tyre”, thotë Bele. Numri i përfituesve llogaritet në rreth 5 mijë dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 400 milionë lekë në vit.