Statusi i Naftëtarit- Drafti i qeverisë, përfitojnë 5 mijë persona

513
Sigal

Qeveria ka gati statusin e
naftëtarit nga i cili do të përfitojnë rreth 5 mijë persona. Ministri i
Energjisë, Damian Gjiknuri, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me
Parlamentin, Ermonela Felaj dhe ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi u
takuan këtë të mërkurë me përfaqësues të sindikatës së naftëtarëve.

Nisma
ka marrë formën përfundimtare si draft dhe pas miratimit në qeveri i kalon për
diskutim dhe miratim Kuvendit të Shqipërisë. Ky projektligj përcakton pozitën
juridike, ekonomiko -financiare dhe shoqërore, kërkesat e  përgjithshme të
pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së
Naftës dhe Gazit në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë
të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për
zbatimin e tyre.

“Projektligji i ka marrë parasysh imputet e të gjithë
aktorëve të interesuar. Besoj është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e
Fierit, qytetarët e Vlorës, qytetarët e Beratit, të gjithë ata njerëz që me
vite kanë kontribuar në sektorin e naftës. Patjetër ne ndihemi krenar si qeveri
dhe si maxhorancë që po plotësojmë diçka të domosdoshme të merituar për shumë
njerëz që kanë bërë sakrifica në këtë industri”, u shpreh ministri Gjiknuri.
 

Ndërkaq, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi
deklaroi se e vlerëson faktin se tashmë po piqen kushtet që statusi i
naftëtarit të bëhet realitet. Ai sqaroi se projektligji ka një faturë
financiare dhe atë qeveria merr përsipër ta mbulojë nga vet skema e sigurimeve
shoqërore.
 
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ermonela Felaj tha se Statusi është përmbushja e një premtimi publik, por edhe
elektoral që kjo qeveri u ka bërë naftëtarëve.
 

Numri i përfituesve të këtij statusi llogariten rreth 5
mijë vetë ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së
moshës së pensionit me pesë vjet llogaritet afërsisht 2 mijë persona.