Statusi i minatorëve, dërgohet një nisëm tjetër në Kuvend

548
Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, depoziton një variant të ngjashëm me atë të Ministrisë së Energjisë. Përfitojnë 8 mijë persona

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun Dibër, Përparim Spahiu ka depozituar në Parlament një nismë të ngjashme me atë që minatorët kanë dërguar në Ministrinë e Energjisë, për përfshirjen e punonjësve të industrisë minerare në një status të veçantë.

“Normalisht nuk është propozim i imi personal, sepse një propozim i tillë ekziston prej vitesh për sa i takon statusit të minatorit dhe besoj parimish, se gjithë spektri politik ka qenë dakord. Ndërhyrja ime ishte thjesht një nxitje e këtij procesi dhe aktualisht kam depozituar në Parlament pothuajse të njëjtin propozim të sindikatave që është depozituar pranë ministrive të linjës”, ka deklaruar Spahiu. 

Nga ky status mund të përfitojnë trajtim të veçantë për sa u përket pagave, pensioneve apo trajtimit mjekësor falas rreth 8.000 minatorë dhe ish-minatorë në pension. Por kjo mund të jetë një faturë e rëndë financiare. 

“E them edhe si ekonomist që problem, nëse mund të quhet problem kryesor, është ai financiar, pasi bëhet fjalë për një numër të madh personash që përfitojnë. Nëse e miratojmë brenda këtij mandati them, që detyrimet financiare, pa dashur të abuzojmë në këtë aspekt, t’i kalojnë qeverisë së ardhshme duke dhënë zgjidhjet financiare. Ka mekanizma kontabël që ato kosto, të cilat për ne janë detyrim, të mbulohen deri në ulje investimesh, pasi për njëzet e ca vjet është diçka që pritet dhe nuk mund të zgjasë më shumë”, ka thënë Spahiu. 

Statusi i minatorit po diskutohet aktualisht mes ministrive të Energjisë, Mirëqenies Sociale, asaj të Financave, Shëndetësisë dhe Drejtësisë.
Sigal