Statistikat spitalore: Nga helmet e kompanisë turke humbën jetën mbi 3 mijë persona

536
Këto ditë një lajm surprizë (por jo edhe aq ka befasuar opinionin publik në Elbasan, institucionet vendore dhe shoqatat mjedisore. Kompania e njohur turke në Shqipëri “Kurum” ka kërkuar shpalljen e falimentimit në Gjykatën e Tiranës (?) Burime të besueshme nga ish-punonjësit shqiptarë të kësaj kompanie thanë se “po është e vërtetë, pasi në 26 shkurt 2016 përfaqësuesi ligjor i kompanisë turke “Kurum International sh.a”, kanë paraqitur padinë për të deklaruar falimentimin e saj, ndërkohë që me falimentimin, kërkohet riorganizimi i shoqërisë “Kurum” International”, caktimi administratorit të përkohshëm të falimentimit dhe marrjen e vendimit për vetadministrim nga debitorët”. Gjithashtu mësohet se kjo padi, është bërë për shkak të mos shlyerjes së kredive miliona euro që kompania ka marrë në vite”. Të njëjtat burime thanë se “kjo padi, do të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës e cila ka parashikuar datën 16 mars ora 12.00 për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore”. Duket si një skenar i parashikuar deri në detaje “falimentimi” i “Kurum”, kur dihet se deri para pak javësh kjo kompani e “njohur” ka mbyllur llogaritë me 3-4 televizione kombetare, por dhe lokale në Elbasan për reklama mujore, duke paguar miliona lekë. 
Helmimi i banorëve të Elbasanit
Falimenti i “Kurum” duhet të kishte një tjetër arsye, veç kredive të pashlyera bankare, atë të helmimit të mijëra banorëve të Elbasanit, helmimit të qindra hektarëve tokë në Bradashesh, Papër, Shijon, Kusarth, Fushë-Mbret dhe lagjet periferike të Elbasanit, sëmundjeve kronike dhe vdekjeve të afro 3 mijë personave në vitet e fundit dhe kjo sipas statistikave spitalore. Falimenti i “Kurum”, duhej të kishte ardhur prek kohësh nga protesta e qytetarëve të Elbasanit, duhej të kishte ardhur nga vendosmëria e institucioneve të shtetit, duhej të kishte ardhur nga zbatueshmëria e ligjeve nga qeveritë e 20 viteve të fundit në Shqipëri. Falimentimi i “Kurum”, veç faktit të mbetjes pa punë të afro 400 punëtorëve shqiptarë (pasi ishin edhe nja 250 turq) është një lajm i mirë për Elbasanin, për 250 mijë banorët e këtij qyteti, për dhjetra fshatrat e asaj zone të cilat prej vitesh nuk shisnin asnjë litër qumësht, pasi konsumatorët kishin frikën e ndotjeve, për fermerët dhe blegtorët, për bizneset e tjera që operojnë pranë tyre në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. 
Dëmshpërblimi i familjeve
Por falimenti i “Kurum” duhet të mos ndahet edhe nga kërkesa e mijëra qytetarëve të Elbasanit për të dëmshpërblyer familjet e atyre që u sëmurën dhe humbën jetën spitaleve pasi u kishte hyrë në gjak helmi i furrave të asaj kompanie. Qytetarët e Elbasanit, shoqatat e Mjedisit dhe intelektualët e këtij qyteti, kërkojnë nga Ministria e Mjedisit, nga Gjykata e Tiranës, që në datën 16 mars 2016, të merret në konsideratë edhe kërkesa e tyre për të dëmshpërblyer çdo familje që ka humbur të afërmin e tyre nga helmet e “Kurum”, bazuar në kartelat spitalore, të merret parasysh kërkesa e mijëra banorëve të fshatrave rreth asaj zone për të shpaguar çdo shpenzim që kjo kompani u ka shkaktuar lidhur me dëmet në bujqësi dhe blegtori. Qytetarët e Elbasanit kërkojnë nga institucionet vendore, nga Bashkia, Qarku dhe Prefektura, të mbështetin kërkesën e tyre. Qytetarët e Elbasanit kërkojnë nga shërbimi spitalor t’i vihen në dispozicion Gjykatës së Tiranës të gjitha kartelat mjekësore të personave që kanë patur si shkak të sëmundjeve dhe humbjes së jetës, pikërisht helmet e “Kurum”. Ka ardhur koha të vendoset ligji për çdo kompani që vjen në këtë vend, për të fituar milionat mbi krahët e rraskapitur të shqiptarëve, dhe pastaj të shpallë “falimentin” sikur nuk ka ekzistuar kurrë. 
“Kurum” nënshtron qeverinë
Kompania turke “Kurum” që privatizoi katër HEC-et ka mundur t’i imponojë qeverisë shqiptare rimbursimin e 3 miliardë lekëve TVSh të prapambetur. Në kushtet e mungesës së parave në arkë për shkak të mungesës në realizimin e të ardhurave dhe gropës së shkaktuar në buxhet, qeveria shqiptare është dorëzuar. Paratë e privatizimit të 4 hidrocentraleve pritet të arkëtohen brenda kësaj jave dhe marrëveshja është arritur pas dy javë negociatave mes Qeverisë shqiptare dhe kompanisë turke “Kurum”. Burime nga Ministria e Ekonomisë, bëjnë të ditur se, është lidhur marrëveshja mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe “Kurum” për mënyrën se si do të rimbursohet Tatimi i Vlerës së Shtuar të akumuluar në vite nga administrata tatimore.
Sigal