Stafeta e nderimeve të merituara

758
Ish- Presidenti i Republikës që nderoi historinë dhe folklorin e Labërisë
Vijon nga numri i kaluar
Fshatrat tona janë pjesë që përbëjnë të tërën, Labërinë. Jo vetëm në kuptim metaforik, fshatrat, që shtrihen në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, janë bij e bija të saj dhe Labëria është Nëna. Kështu pra, s’mund të ndodhte ndryshe. Presidenti Nishani, më 18 dhjetor 2015, me nr. dekreti Nr. 9369, i akordoi Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria” dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për ndjenjën e lartë patriotike, për forcimin e unitetit kombëtar dhe frymën e solidaritetit dhe harmonisë pa dallime partiake, për forcimin dhe përparimin e demokracisë, si dhe për ruajtjen e pasurimin e traditave, zakoneve, kulturës dhe folklorit të trevës së Labërisë”. Më 21 dhjetor 2015, Ai dekoroi një nga figurat më emblematike të shoqërisë së sotme labe, kryetarin e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria” prof. dr. Ago Nezha me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” “Për veprimtari të pasur krijuese, për kontribut të çmuar si publicist dhe veprimtar shoqëror dhe për angazhimin e treguar në lartësimin e vlerave atdhetare, etnokulturore të trashëgimisë, si dhe në pasqyrimin e traditave, kulturës dhe historisë të trevës së Labërisë”. Gjithashtu, presidenti që ka çmuar solidaritetin e krijuesve dhe bartësve të folklorit, ka vlerësuar punën vullnetare të krijuesve dhe artistëve të nderuar, që, në këto dhjetëvjeçarët e fundit, ia kanë dalë të skalisin emrat e tyre në trashëgiminë e stërlashtë shpirtërore të Labërisë, përmes krijimeve artistike të njohura anembanë, pa harruar asnjë çast misionin fisnik, që çdokush ka detyrë të mbrojë traditën e kulturën kombëtare dhe ta përcjellë në breza, duke e pasuruar e përsosur. Jo vetëm se i kanë pëlqyer dhe i ka çmuar bartësit e polifonisë labe, por sidomos për dobinë e mesazheve të larta të dashurisë për lirinë, atdheun, jetën, për nivelin e artë artistik, për vlerat estetike, morale, kombëtare e humane që përçojnë me njësitë folklorike në shoqëri, pati filluar një vërshim, një gurgullimë vlerësimesh nga presidenti Nishani: Kujtojmë se: më 2 maj 2015, Ai dekoroi Ansamblin Folklorik “Çipini”, Vlorë me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për punën mjeshtërore dhe kontributin e shkëlqyer në fushën e kulturës tradicionale folklorike të trevës së Labërisë”, akorduar më datë 28.04.2015, me nr. dekreti 9067; po më datën 28.04.2015 dekretoi nderimin e këtyre bilbilave të Labërisë të Labërisë: 

1- Golik Jaupi me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Model i përkryer i mbartësit e kultivuesit të polifonisë labe, emblemë e stilit muzikor të këngës së Bënçës”, me nr. dekreti 9068; 
2- Tomorr Lelo me Titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Organizator dinjitoz i pasurimit të polifonisë shqiptare me ansamblin folklorik “Çipini”, krijues dhe interpretues brilant i momenteve historike”, me nr. dekreti 9069; 
3- Instrumentisti dhe këngëtari Vendim Kapaj me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Bardi i traditës tipologjike të instrumenteve të stilit baritor me ekzekutimet magjike të fyellit të tij të famshëm”, me nr. dekreti 9070; 
4- Pedagogu i Historisë në Universitetin “Eqrem Çabej” Gjirokastër, prof. Shyqyri Hysi u vlerësua me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për kontributin e tij në mbledhjen, studimin, kultivimin, organizimin dhe interpretimin e kulturës popullore tradicionale shqiptare si historian dhe veprimtar i shquar shoqëror”, me nr. dekreti 9071; 
5- Marrësi i veçantë Nazo Çelaj, u nderua me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për krijimin dhe interpretimin virtuoz të stilit muzikor të këngës së Lapardhasë, bartës i përkushtuar i isopolifonisë shqiptare”, me nr. dekreti 9072; 
6- Marrësja si fllad trëndeline Bardha Brahimaj u vlerësua me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për ruajtjen, kultivimin dhe interpretimin e papërsëritshëm të riteve, ninullave, elegjive, baladave e këngëve tradicionale të Bolenës (Kurvelesh) e Lapardhasë në Lumin e Vlorës”, me nr. dekreti 9073; 
7- Bexhet Mahmutaj me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Interpretues virtuoz, mbartës i spikatur i traditës shpirtërore folklorike të këngës labe dhe kryesisht i humorit të Treblovës; me nr. dekreti 9074; 
8- Marrësja Katina Rika me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për përkushtimin në ruajtjen e traditës shpirtërore të Labërisë, dhe interpretimin virtuoz të këngës polifonike himariote”, me nr. dekreti 9075; 
9- Idajet Duka me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Interpretues i shkëlqyer i këngës folklorike labe të trevës së Delvinës”, me nr. dekreti 9076 . 
Në vijim, më datën 15.05.2015 jepen këto dekorata: 
• Ansamblit Folklorik “Lunxhëria” me udhëheqës folkloristin Koço Vasili titulli “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për kontributin gati shekullor në ruajtjen dhe mbartjen e vlerave më të arrira të polifonisë, kostumografisë së përkryer dhe etnokulturës së krahinës”, me nr. dekreti 9096; 
• Grupit Polifonik “Argjiro” me udhëheqës këngëtarin Roland Çenko dekorohet me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Si një nga majat e polifonisë, i shquar për talentin e spikatur artistik, trashëgiminë në breza dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës gjirokastrite”, akorduar me nr. dekreti 9097. Po atë ditë, me nr. dekreti 9098, 
• Grupit Polifonik “Ergjëria” me udhëheqës marrësin e njohur Arjan Shehu meritoi titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Si mbartës të vlerave më të shquara të polifonisë gjirokastrite, si dhe për virtuozitetin e rrallë të interpretimit, spektrin e pazakonshëm të zërave dhe harmoninë e grupit”. 
• Grupit Polifonik “Libohova” iu dha titulli “Naim Frashëri” me motivacionin: “Si mbartës të shquar, interpretues cilësorë dhe korifenj të ditëve të sotme, të traditës më të mirë të polifonisë, kulturës dhe këngës libohovit”, me nr. dekreti 9099. 
Gjithashtu po atë ditë, me nr. dekreti 9101, 
 artisti Stavro Çati u vlerësua me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për talentin unik, arritjet dhe botimet e veçanta në fushën e kostumografisë, pikturës, etnografisë, si dhe kontributin e tij të çmuar në të gjitha festivalet folklorike kombëtare.”
 Artisti i merituar, kompozitori dhe dirigjenti Haxhi Dalipi (pas vdekjes) nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontributin e tij të vyer në krijimin e grupeve polifonike të Labërisë duke zbuluar vlerat e këngëve historike për të ruajtur traditat e trevës së Kaonisë”, akorduar më datë 18.12.2015, me nr. dekreti 9372. 
 Grupi Polifonik i Bënçës, Tepelenë është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontributin e çmuar që ka dhënë për zhvillimin dhe pasurimin e këngës polifonike të Labërisë, si dhe për ruajtjen e traditave, zakoneve, kulturës dhe folklorit të kësaj treve”, akorduar më datë 24.06.2016, me nr. dekreti 9660. 
 Po atë ditë, Parua e Bënçës, Përparime Birçe Ziflaj merr titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për interpretimin mjeshtëror të këngës polifonike të Labërisë, nëpërmjet pasurimit të saj me vlera të reja estetike, si dhe rolin e saj në mbajtjen gjallë të traditës dhe trashëgimisë folklorike të kësaj treve, me nr. dekreti 9661. 
 Në vijim, kthyesi i grupit të Bënçës, i paharruari Dervish Reshat Gumës (pas vdekjes) nderohet me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për nivelin e lartë artistik në interpretimin e këngës polifonike të Labërisë, si dhe për kontributin e spikatur në përcjelljen e trashëgimisë folklorike të kësaj treve”, me nr. dekreti 9662. 
 Po me titullin “Naim Frashëri” vlerësohet këngëtarja Katerina Foni Kule me motivacionin: “Për nivelin e lartë artistik në interpretimin e këngës polifonike të Labërisë, si dhe për kontributin e shquar në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë folklorike të kësaj treve”, me nr. dekreti 9663. 
Më 12.07.2017, me nr. dekreti 9691, nderohet emblema e polifonisë së Vranishtit 
►Arap Çeloleskajt (pas vdekjes) me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Si një përçues i denjë i traditës folklorike të Labërisë, nëpërmjet interpretimit virtuoz të këngës dhe valles së rëndë burrërore vranishtiote”. 

►Më vijim, marrësi dhe organizuesi model i labërishtes Fatosh Sulo Likoj nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Këngëtar i spikatur i isopolifonisë shqiptare, interpretues brilant dhe organizator i grupit të Dukatit, si dhe përfaqësues tipik i zonës së Dukatit në krahinën e Labërisë”, akorduar më datë 12.07.2016, me nr. dekreti 9692. 

►Golik Lika, kthyesi i njohur i Lapardhasë, me emrin zyrtar Nikolin Likaj merr titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për rolin e tij si përcjellës i traditës folklorike të grupit ‘Violinat e Lapardhasë’ në Lumin e Vlorës, i shquar për nivelin e tij të lartë të interpretimit të zërit të dytë”, me nr. dekreti 9693. 

►Krijuesi dhe këngëtari Kristo Çipa vleërsohet me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Si një organizator i palodhur i grupeve tradicionale të bregdetit të Himarës. Krijues i suksesshëm dhe interpretues i veçantë, mbrujtur në djepin e këngës piluriote”, me nr. dekreti 9694. 

►Këngëtarja Leni Mërkuri Vero nderohet me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Si përcjellëse e denjë e trashëgimisë folklorike labe, nëpërmjet interpretimit brilant të këngës piluriote, dhe nxjerrjes në pah të zërit të tretë në këngën polifonike”, me nr. dekreti 9695. 

►Me të drejtë nderohet kompozitori vlonjat Artur Dhamo me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për rolin e tij si udhëheqës artistik i Ansamblit Folklorik ‘Çipini’ dhe Ansamblit ‘Labëria’, Vlorë, si hulumtues dhe organizator i përkushtuar për inkurajimin e talenteve të reja në fushën e trashëgimisë kulturore të trevave jugore, me nr. dekreti 9696. I veçantë në stilin e vetë, marrësi i këngës në Labërinë e Butë, 

►Vendim Zykaj, i veçantë në stilin e vetë, marrësi i këngës në Labërinë e Butë,merr titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Këngëtar i njohur i isopolifonisë labe, interpretues virtuoz i lirikave popullore. Lëvrues i suksesshëm i traditës folklorike të zonës së Lumit të Vlorës, në skenat kombëtare e ndërkombëtare duke përfaqësuar denjësisht Ansamblin “Çipini”, me nr. dekreti 9697. 

►Hyso Xhaferaj i jepet titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Përçues i spikatur i trashëgimisë folklorike të Kurveleshit të poshtëm, në krahinën e Labërisë. Lëvrues virtuoz i isopolifonisë shqiptare në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare”, me nr. dekreti 9698. 

►Më 24.02.2017, me nr. dekreti 10035, artisti fluturues që s’njeh pleqëri, 79 vjeçari Jani Gjergji, që mbi gjysmë shekulli, s’ka lenë fshat të Labërisë e rrethit të Vlorës pa shkelur, duke punuar me vallet e grupeve, vlerësohet me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për kontributin e vyer shumëvjeçar në skenë si artist dhe koreograf i shquar, i vlerësuar edhe ndërkombëtarisht dhe i çmuar nga artdashësit”.

Kronologji e ndezur me zjarr të ngrohtë polifonik
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani më 19 qershor të këtij viti organizoi një mbrëmje ceremoniale festive shumë të bukur në mjediset e Presidencës, ku nderoi grupe dhe këngëtarë labë. Protokollin ceremonial po e paraqesim kronologjikisht: më 19.06.2017, me nr. dekreti 10465 dekorohet 

 Grupi “Jehona Labe”, me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në lëvrimin cilësor të polifonisë tradicionale labe, interpretimit mjeshtëror të këngës epike dhe lirike të kësaj krahine”. 
 Në vijim, me nr. dekreti 10466 vlerësohet marrësi Nazif Çela me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontributin e tij cilësor shumëvjeçar në lëvrimin dhe interpretimin e këngës labe, si pjesëmarrës në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare dhe si fitues i “Gjerdanit të Artë” në Festivalin e Dizhonit në Francë”. 
 Po atë ditë, më 19.06.2017, me nr. dekreti 10467 dekoron Treshen e Dukatit (karakteristikët Leko Gjoleka, Sulo Bozhani e Bego Vangjeli) me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për aktivitetin e njohur e të suksesshëm shumëvjeçar në lëvrimin dhe interpretimin mjeshtëror të këngës labe, sidomos të këngëve të trimërisë të fshatit Dukat, me të cilat është përfaqësuar denjësisht në disa festivale kombëtare dhe ndërkombëtare duke u shpallur nga UNESCO-ja si pasuri kombëtare e njerëzimit”. 
 Po atë ditë, në vijim i akordoi me nr. dekreti 10468 marrëses si valë deti e ëmbël Katina Beleri (mbesë e Koço Çakalit) titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontributin e saj cilësor shumëvjeçar në lëvrimin e këngës labe, si interpretuese e shquar e zhanrit tradicional të krahinës së Himarës, në përbërje të grupit karakteristik të kësaj zone dhe Ansamblit Folklorik “Çipini””. 
 Gjithashtu, po atë ditë u dhanë këto vlerësime: me nr. dekreti 10469, Grupi “Krojet e Velçës” merr titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për aktivitetin e njohur dhe vlerat e treguara në interpretimin e këngëve polifonike labe, veçanërisht në Festivalin Folklorik Kombëtar, duke përcjellë ndër breza, nëpërmjet artit të iso-polifonisë, trashëgiminë kulturore të kësaj zone”. 
 Grupi Kudhës-Grehoti Sevasteri u nderua me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për veprimtarinë e vyer dhe të vlerësuar në interpretimin e këngës polifonike labe, në veçanti të asaj të trevës Kudhës-Grehot duke shfaqur kulturë artistike dhe ruajtje të traditës”, me nr. dekreti 10470. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi më dt. 19/06/2017, me nr. dekreti 10471 
 Grupit të vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për aktivitetin e njohur dhe të vlerësuar në interpretimin e këngës polifonike labe, që përfaqëson një rast unik të polifonisë femërore, duke ruajtur origjinalitetin e folklorit të zonës së tyre”. 
 Grupi i Tragjasit vlerësohet me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për veprimtarinë e shquar dhe të vlerësuar në interpretimin e këngës polifonike labe, duke shfaqur cilësi të veçanta me solistët dhe tekstet e arrira artistikisht”, me nr. dekreti 10472. 
 Grupi “Djemtë e Qytetit të Vlorës” mori titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për veprimtarinë e spikatur dhe të vlerësuar në interpretimin e këngës polifonike labe, duke shfaqur me sukses profilin e vet folklorik”, me nr. dekreti 10473.
 Grupit të Drashovicës iu akordua titulli “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për arritjet artistike dhe të vlerësuara në interpretimin e këngës polifonike labe, duke lëvruar me shumë cilësi e sukses si këngët lirike ashtu edhe ato epiko-historike” me nr. dekreti 10474…
Mesazhet
Jo pa qëllim kemi trashëguar një thënie në fund të çdo kënge “Ju lumtë goja” sepse përmes gojës, përmes fjalës janë transmetuar traditat, janë mbajtur gjallë dhe kujtuar heronjtë, janë nënvizuar fort parimet dhe virtytet të cilat shqiptari i ka besuar, dhe mbi të gjitha kanë mbajtur gjallë shpresën, shpresën për më të mirën tek e ardhmja. Polifonia, kjo Zonjë e Parë e Folklorit shqiptar, kjo “Zonjë e Rëndë” e kulturës botërore dhe e folklorit tonë, që sipas studimeve është shfaqur në sferën e spektaklit muzikor qysh në lashtësinë e njerëzimit, shumë përpara korit antik grek, është krenaria jonë shpirtërore që duhet t’ia ruajmë si sytë e ballit margaritarët e saj dhe t’ua dhurojmë brezave që ngrihen t’i pasurojnë e zbukurojnë më tej. Kënga popullore e ka shoqëruar labin në çdo hap të jetës së tij që nga belbëzimi i parë i foshnjës e deri në largimin nga kjo botë. Ajo ka qenë bashkudhëtarja e pandashme e labërve në gëzime e hidhërime, nëpër vaje e nëpër dasma, në luftë e në kohë paqeje.

…Kënaqësisht kujtojmë, se në përfundim të çdo ceremonie nderimi, që shndërrohej në festë të vërtetë popullore me këngë, valle, gaz e hare, me lulëzim kostumografik e dinjitet, Presidenti i Republikës, kreu i KLSH, dr. Leskaj dhe të pranishmit e shumtë ndiqnin me ëndje koncertet me valle e këngë polifonike, të cilat buçisnin fuqishëm në Sallën “Skënderbeu”, në mjediset aq të këndshme perëndimore të Presidencës, apo në Drashovicë, në Kaninë, në Himarë…, interpretuar mjeshtërisht nga artistët e rastit, nga grupet polifonike të Labërisë, si dhe i palodhuri për Labërinë, improvizuesi i atypëratyshëm Tomorr Lelo me Ansamblit “Çipini”, që ka prirjen ndaj të bukurës dhe e lidh atë me të dobishmen.
Sigal