“Spiunët e ushtrisë” të dekonspiruar nga borderoja dhe nga shefat, rrugëve pa asnjë mbrojtje

650
Vetëm 11 ditë më parë, konkretisht në datën 11 janar 2016, qeveria ka miratuar një “vendim të posaçëm”, me objekt të posaçëm, për të “arritur sukses” në përgjimet në ushtri. Nuk e dimë, nëse shërbimi inteligjent në ushtri, sipas detyrës kushtetuese përgjon vetëm brenda, apo edhe jashtë “gardhit” të sektorit ushtarak, por dimë faktin, që për veprimtarinë e institucionit agjenturor “SHIU” ka pasur dhe ka ende akuza e kundër-akuza politike për përgjime të bëra prej këtij shërbimi sekret të ushtrisë edhe në jetën civile, madje edhe brenda politikës e në strukturat shtetërore, duke përmendur përdorimin e një teknologjie të avancuar përgjimi, të blerë nga ushtria si “pajisje ushtarake” e jo si pajisje për përgjim në jetën civile. 
Vendim, për sekretin e emrave të agjentëve në ushtri
Qeveria ka miratuar në datën 11 janar 2016, Vendimin Nr. 8, datë 11. 01. 2016, për mbrojtjen e veçantë të punonjësve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë në sektorin e ushtrisë shqiptare, të cilët marrin pjesë, ose janë strukturë e operacioneve të përgjimit. Është fjala për punonjësit që zbulojnë sekrete, të cilëve shteti duhet t’u mbajë sekret identitetin, zonën e veprimit, veprimtarinë agjenturore, individët, grupet dhe strukturat që përgjohen për veprimtari anti-kushtetuese në ushtri, por edhe sekretin e identitetit të spiunëve të ushtrisë, me qëllim që ata jo vetëm të “punojnë të qetë” e të kenë sukses, por as të mos zbulohen deri në fund të detyrës që kryejnë si “spiun special” në shërbimin inteligjent brenda strukturave të ushtrisë e jashtë saj. Ky vendim i shpallur në “Fletore Zyrtare” Nr. 2, tashmë është në fuqi. Që prej datës 11 janar, spiunët e ushtrisë, sipas vendimit në fjalë kanë të drejta dhe privilegje, sipas të cilave shteti duhet t’u garantoj mbajtjen sekret të emrit të gjendjes civile, emrin e spiunit, mbrojtjen e familjes, të banesës, të jetës në udhëtim e në jetën e përditshme, madje në rast dekonspirimi, pra në rast se “digjen” edhe t’i “zhduk” ata jashtë shtetit me identitete të tjera personale e familjare. Qeveria e di mirë, që spiunëve të ushtrisë, ashtu si spiunëve të policisë dhe prokurorisë, apo dëshmitarëve të gjykatave, u rrezikohet jeta për shkak të ushtrimit të detyrës dhe shërbimit delikat që kryejnë. Atyre u kërcënohet jeta, shëndeti, familja apo prona. Sipas këtij vendimi, që nga 11 janari 2016, qeveria, d.m.th shteti, deklaron dhe premton se këto do t’u garantohen edhe spiunëve të ushtrisë, duke u dhënë ligjërisht “mbrojtje e veçantë”. Po a u është dhënë deri sot kjo mbrojtje? A mendohet dhe pritet t’u jepet realisht kjo mbrojtje pas miratimit të këtij vendimi, kur në këto 20 vite nuk u është dhënë edhe pse ka 13 ligje e VKM në fuqi? Faktet e shumta të përballjes së spiunëve të ushtrisë me realitetin kërcënues, tregojnë se ata ndihen të braktisur, jo vetëm pas mbarimit të shërbimit, por edhe gjatë kryerjes së shërbimit. Spiunët e ushtrisë, paçka se duhet të mos dekonspirohen, ata në shumë raste dekonspirohen prej shefave të tyre. Por ndodh edhe çudia që për egoizëm e aventura, spiunët e ushtrisë, ashtu si edhe spiunet e policisë e të prokurorisë vetë-dekonspirohen, duke deklaruar vendim e punës që kryejnë, madje edhe veprimtarinë konkrete agjenturore që kryejnë, madje edhe duke deklaruar emrat e personave e të grupeve që përgjojnë. Në rrjetin agjenturor 
Ja 8 siguritë që shteti u jep spiunëve të ushtrisë vetëm në… VKM
1. Ruajtje fizike 
2. Ruajtje e banesës, ose e pronës
3. Transferimi në rast informacionesh për dekonspirim
4. Dërgimi jashtë shtetit si siguri jete, kur dekonspirohet 
5. Masa të tjera, në varësi të çështjes që ka përgjuar 
6. Pajisja me identitet personal e familjar të dy e trefishtë
7. Mbështetje ligjore përkatëse
8. Mbështetje financiare për jetë normale
Ja çfarë masash merren nga shefat, për sigurinë e agjentëve të ushtrisë
1. Të dhëna për rrethanat dhe domosdoshmërinë e marrjes së masave për mbrojtjen e veçantë; 
2. Të dhëna për mënyrën e mbrojtjes, kohën kur do të merret në mbrojtje dhe afatin, strukturat që do ta zbatojnë dhe do ta kontrollojnë zbatimin, si dhe shpenzimet e nevojshme. 
3. Në rastet e veçanta kur rrethanat përcaktojnë marrjen e masave të menjëhershme, ministri i Mbrojtjes, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes miraton urdhrin menjëherë. 
4. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, me kërkesë të punonjësit, strukturës së interesuar të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ose individit, mund t’i propozojë ministrit të Mbrojtjes zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, nëse rrethanat për të cilat është siguruar më parë mbrojtja vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas përfundimit të këtij afati. 
5. Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, për zbatimin e masave të përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi, i drejtohet dhe mbështetet nga Policia Ushtarake e Forcave të Armatosura dhe, në pamundësi të kësaj, nga Policia e Shtetit. 
6. Shpenzimet për mbrojtjen e veçantë përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, akorduar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. 
——————————————————— 
Fakt pa koment
Policëve të ushtrisë u jepet veshje 1 herë në vit, sa gjysma e 1 page mujore, veshjet civile pas 13 muaj punë 
VENDIM 
Nr. 9, datë 11.1.2016 
PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË PËRFITIMIT TË VESHMBATHJEVE CIVILE PËR PUNONJËSIT E POLICISË USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 41, të ligjit nr. 13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave 
VENDOSI: 
1. Punonjësi i Policisë Ushtarake trajtohet me veshmbathje civile në vlerë leku, një herë në vit, në masën e gjysmës së pagës mujore. 
2. Kriteret që duhet të plotësojë punonjësi për përfitimin sipas pikës 1 janë: 
a) Të ketë jo më pak se një vit pune në Policinë Ushtarake; 
b) Të jetë ushtarak aktiv i Forcave të Armatosura. 
3. Trajtimi financiar jepet në muajin e parë të plotësimit të një viti nga trajtimi i mëparshëm. 
4. Referencë për trajtimin financiar merret paga që përfituesi ka në momentin e lindjes të së drejtës së përfitimit. 
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. 
6. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. 
KRYEMINISTRI 
Edi Rama 
Sigal