Spitali “Xhavit Mara” në Burrel, pa mjek Obsetër- Gjinekolog

1854
Spitali i Burrelit është kthyer në një faktor tepër shqetësues për nënat shtatzëna, sepse mungon mjeku Obsetër- Gjinekolog. Që në fund të muajit gusht ky mjek mungon në maternitet dhe kjo ka bërë që jeta e këtyre nënave dhe foshnjave akoma të pa lindura, të vihet në rrezik, sepse nuk ka kush të kujdeset apo t’i vizitojë. Pacientet ankohen dhe duken tepër të shqetësuara,sepse janë të detyruara, që për të bërë një vizitë tek mjeku duhet te udhëtojnë nga Burreli në Tiranë, sepse në spitalin e qytetit të tyre nuk dinë me kë të konsultohen. Rruga nuk është e shkurtër thonë ato, sepse janë disa orë të lodhshme, të cilat mund të rezultojnë të rrezikshme për shëndetin e tyre dhe të fëmijës gjithashtu. Drejtoresha e spitalit shprehet se, spitali ka mbetur pa mjek obsetër-gjinekolog që në fund të muajit gusht. Ata kanë bërë një kërkesë për këtë çështje, por që akoma nuk është marrë parasysh. “Në këtë spital situata është për të ardhur keq. Ne jemi kthyer në një urgjencë, sepse rastet vijnë, por vetëm i japim disa udhëzime të përgjithshme pastaj na duhet që t’i përcjellim për në Tiranë. Ne mund t’i vijmë në ndihmë në mënyrë sipërfaqësore, por nuk mund të bëjmë një punë që nuk është e fushës sonë. Pacientet detyrohen të udhëtojnë për në Tiranë, për t’u kujdesur për shëndetin e tyre dhe për të kontrolluar fëmijët. Po bëhet afërsisht një muaj që shtretërit e pavijonit janë bosh, për shkak të mungesës së mjekut”. Kjo situatë vazhdon e vështirësohet çdo ditë e më shumë dhe bëhet dhe e përballueshme për pacientet ,si nga ana shëndetësore, ashtu edhe nga ana financiare. Përveç shpenzimeve të spitalit, ankohen ato, janë të detyruara të paguajnë edhe shpenzimet e rrugës. Ekonomia e familjes së tyre nuk mund ti përballojë të gjitha këto, sepse jo të gjitha kanë të ardhura të mjaftueshme. Disa prej tyre jetojnë nëpër fshatra dhe mezi ia dalin me shpenzimet e përditshme. Nuk është vetëm qyteti i Burrelit, por është edhe rrethi i Matit, një pjesë e mirë e Bulqizës edhe ndonjë zonë e thellë e Dibrës që shkojnë në atë spital për t’u vizituar dhe që gjithmonë e kanë marrë shërbimin e duhur, por që kohët e fundit po përballen me këtë problem. Kjo është një tjetër barrë që u shtohet. Prandaj bëjmë thirrje që, në spitalin Xhavit Mara” në Burrel të punësojnë sa më shpejt një mjek obsetër-gjinekolog, sepse nuk mund të vazhdojnë më me këtë situatë.
Sigal