Spitali shkurton sanitaret e natës, ndërsa hoteleria përgatitet të jepet me koncesion

1630
Partia Socialiste në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, premtoi shërbim shëndetësor publik për të gjithë popullsinë, domethënë edhe për ata persona që nuk kanë sigurime shoqërore shëndetësore. Qeveria e “Rilindjes”, në të kundërtën e këtyre premtimeve, zbatoi një tjetër program shëndetësor, që e kishte hartuar me hollësi, por e mbante në dosjet tepër sekrete të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Konkretisht, që në muajt e parë, ministri i Shëndetësisë zbatoi politikën e dhënies së shërbimeve shëndetësore publike të koncesioneve. Kështu, me tenderime (tjetër problem ligjor u krijua me procedurën e tenderimit, saqë prokuroria ka në hetim shumë tendera) u dhanë shërbime shëndetësore publike në të gjitha Spitalet Publike, ku shuma e çdo koncesioni është mbi 100 milionë lekë dhe për më shumë se 10-30 vjet.

Kjo politikë e qeverisë së “Rilindjes” u pagëzua 3P, domethënë Partneritet Publik-Privat.

Shkurtimi i fondeve për shërbime shëndetësore

Që në vitin e parë të qeverisjes, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, me pretekstet dhe justifikimet e reformimit rrënjësor të shërbimit shëndetësor publik, rriti fondet për shëndetësinë, por brenda kësaj strukture, shkurtoi fondet për shërbimet shëndetësore, pagat e punonjësve, investimet në bazën materiale, ndërkohë që rriti progresivisht fondet për pagimin e koncesioneve që u dhanë dhe po projektohen të jepen për shërbimet shëndetësore publike.
Në Spitalin e Elbasanit hiqen sanitarët nga turni i tretë
Në vitin 2016 në Spitalin e Elbasanit parashikohen të shkurtohen mbi 100 vende pune, mjekë, specialistë, por më shumë do të jenë infermierë dhe sanitarë, në një kohë që popullsia e Qarkut të Elbasanit nuk ka tendenca zvogëlimi. Shkurtimi i vendeve të punës, do të shtojë problemet në shërbimin shëndetësor publik, qytetarët nuk do të marrin ndihmesën e duhur shëndetësor në kohën e duhur. Mirëpo ky shqetësim dhe problem nuk e shqetëson aspak drejtoreshën e Spitalit të Elbasanit, Desantila Tahiraj, e cila shpik idenë “novatore” që të shkurtojë 1/3 e infermierëve dhe sanitarëve në maternitet dhe spitalin e Elbasanit, duke hequr përgjithmonë sanitarët nga turni i tretë. Kështu, me reformën e drejtoreshës Tahiraj, tashmë në spitalin e Elbasanit dhe në maternitet, nga ora 22.00- 06:00, nuk do të ketë shërbim sanitar për pacientët e shtruar, as për pacientët që ndoshta urgjentisht mund të shtrohen në spital dhe Maternitetin e Elbasanit, nga ora 22:00-06:00, pasi nuk do të punojë më asnjë sanitare dhe infermiere. Kjo është reforma e shumëpremtuar e “Rilindjes” Socialiste.

Drejtoreshë Tahiraj: Të sëmurët flenë natën, nuk kanë nevojë për… sanitare

Heqja e sanitarëve dhe e infermierëve nga turni i tretë në Maternitetin dhe Spitalin e Elbasanit, ngaqë ishte e padëgjuar, e pandodhur ndonjëherë, jo vetëm në Shqipëri, që nga koha e Zogut, por nuk ka ndodhur as në ndonjë qytet afrikan, ngjalli reagime dhe protesta nga vetë personeli mjekësor i Spitalit të Elbasanit, nga pacientët dhe nga vetë qytetarët e Qarkut të Elbasanit. Por drejtoresha e Spitalit të Elbasanit, e cila është zbatuese e bindur e urdhrave dhe reformave të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, kërcënoi personelin mjekësor, që i shpëtoi shkurtimit të vendit të punës, por që iu dyfishua ngarkesa e punës, duke iu thënë, që kush nuk bindet reformës, zbohet menjëherë nga puna. Drejtoresha Tahiraj, “sqaron” qytetarët që u ankuan për heqjen e sanitarëve nga turni i tretë se meqë nata është për gjumë dhe pacientët kanë shumë nevojë për gjumë, ndaj edhe sanitarët dalin të tepërt në turnin e tretë. Janë ditët e para të zbatimit të reformës së drejtoreshës Tahiraj në spitalin dhe maternitetin e Elbasanit, që janë hequr sanitarët nga turni i tretë dhe era e urinës dhe e pisllëkut qelb gjithë mjedisin spitalor. Mirëpo edhe për këtë problem, drejtoresha Tahiraj fajëson temperaturat e larta të muajit prill, që rritin ndotjen e urinës në ajër, pasi, siç pohon drejtoresha e spitalit të Elbasanit, Desantila Tahiraj, gjatë muajve të dimrit ajri spitalor nuk kishte ndotje urinore….

Koncesioni i ri i hotelerisë spitalore

Shërbimi shëndetësor publik, sipas reformës së ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, do të ndahet nga shërbimi hotelerik spitalor, pasi shteti nuk ka menaxherë të aftë që ta përmbushin këtë detyrim publik ndaj pacientëve. Dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, me merakun e madh që ka për të përmbushur deri në një dhe me komoditetin e premtuar për shërbim shëndetësor cilësor për të gjitha miletin, përveç koncesioneve që ka dhënë deri tani për shërbimet shëndetësore spitalore, si pasterizimi i pajisjeve kirurgjikale, laboratorët spitalore publike, servisin e pajisjeve spitalore, etj, etj, së fundi, filloi eksperimentimin e koncesionit edhe të shërbimit hoterik në spital. Kështu, në spitalin e Elbasanit, pacientët do të llogaritet se flenë në hotele dhe jo në spitale, pasi pavijonet e pacientëve, krevatet e tyre do të quhen, sipas koncesionit të ri të ministrit Beqaj, suita spitalore, nëse dhomat e shtrimit në spitale nuk kanë më shumë se… 8 krevate dhe këto dhoma shtrimi në spitale do të klasifikohen si hotele me 4 yje. Nëse do të ndodhë, që pacientët do të dergjen në korridore të spitaleve, për pamundësi vendesh në dhoma, atëherë shërbimi hotelerik spitalor do të klasifikohet me 3 yje, që pacienti të paguajë më pak për shtrimin e tij. Sipas burimeve të informacionit, ende të paverifikuara nga zyra e ministri Beqaj, por as drejtoresha Tahiraj nuk pranoi të pohonte, as të mohonte, pëshpëritet nëpër korridoret e hotelerisë spitalore të Spital-Hotelit të Elbasanit, që koncesionin e hotelerisë në spitalin e Elbasanit e ka marrë Sotir Nikolla dhe Pjerin Xhuvani. Këto të dhëna janë në verifikim e sipër, ndaj edhe ne i shkruajmë më rezerva dhe të paverifikuara ende. Është detyra e drejtoreshës së Spitalit të Elbasanit, Desantila Tahiraj që të publikojë emrat e fituesve të tenderisë së hotelerisë spitalore të Spitalit të Elbasanit, në mënyrë që edhe ne të shpërndajmë mjegullën e disinformomit publik.

Përgatiti për Gazetën Telegraf, Jakup B. Gjoça
Sigal