Spitali Psikiatrik Vlorë, “Spitali i Kontrasteve”

2706
(…nga këndvështrimi human)

Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga studime të kryera nga Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, 1 në 4 persona vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Shëndeti mendor përkufizohet si një gjendje e mirëqenies në të cilën çdo individ realizon potencialin e tij, mund të përballet me streset normale të jetës, mund të punojë në mënyrë produktive dhe të frytshme, si dhe është i aftë të japë një kontribut për komunitetin e tij. Asnjë individ nuk është imun nga problemet e shëndetit mendor, dera e spitalit është e hapur, pasi çrregullimet mendore janë universale, ato prekin njerëzit e të gjitha vendeve, krahinave, qyteteve, fshatrave, moshave, gjinive, të pasur a të varfër qofshin dhe nuk ka formulë, metodë apo teknikë që ta shmangë, ta reduktojë apo ta zhdukë këtë fenomen, i cili po përhapet me kaq shpejtësi dhe po prek këdo nga ne apo të dashurit tanë, qoftë njëherë të vetme në jetë. Në këto kushte, është e domosdoshme të investohet në cilësinë e shërbimeve spitalore për të ndihmuar veten dhe shoqërinë. Në vitet e fundit janë realizuar investime të konsiderueshme në spitale, për aparatura dhe mjete të sofistikuara, sisteme moderne Check-up, për shërbime spitalore dhe operative, shembull nga praktikat më të mira menaxhuese të spitaleve evropiane, efekti i të cilave nuk është i aksesueshëm nga pacientët për të cilët është investuar, por ka shërbyer më shumë për fushata dhe bujë mediatike të qeverive dhe drejtuesve të Spitaleve. Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë është një spital publik i hapur që në vitin 1921 dhe i pari i llojit të tij në vend në ndihmë të të sëmurëve mendorë. Pas kushteve shumë të vështira dhe gjendjes së mjerueshme në të cilin ndodhej ky spital prej vitesh, në vitin 2014, nisi investimi, për ri-konstrukturimin dhe modernizimin, jo vetëm të ndërtesës por edhe për ofrimin e shërbimit mjekësor sipas standardeve evropiane. Hyrja e spitalit është një asfalt betoni ku parkojnë punonjësit e spitalit dhe sa futesh në derën kryesore të bëjnë përshtypje trëndafilat e bukur rozë në të kuq dhe gjembat e tyre më të mëdhenj se lulja, pa erë, një bukuri që çel nga jashtë, që i pëlqen shumë syrit, por jo zemrës. Duke shëtitur nëpër oborr, të zë syri disa të sëmurë, ulur bordurave apo në ato 2-3 stolat që ka oborri i spitalit i zaptuar po nga makinat e stafit. Normal që nuk i vihet faj punonjësve, pasi hapësira para spitalit nuk mjafton për të parkuar të gjitha makinat, prandaj duhet shfrytëzuar oborri i të sëmurëve, të cilët nuk ankohen kurrë, nuk thonë kurrë një gjysmë fjale të ligë, përkundrazi mirëpresin të gjithë njerëzit me buzëqeshjen e tyre të çiltër. Hyrja e Spitalit të krijon një ndjesi të lartë krenarie për ndryshimet që ka pësuar Shqipëria, për investimet prestigjioze, për ndjenjën e përgjegjësisë, e cila rritet çdo ditë dhe për kulturën e punës për t’i shërbyer cilësisht një kategorie pak më të veçantë njerëzish, siç janë të sëmurët psikiatrik në Shqipëri. Ambientet janë shumë të pastra, stafi është në vendin e duhur në kohën e duhur, mjekët dhe infermierët janë shumë të dedikuar dhe çdo shqiptar duhet t’i falënderojë për përkushtimin dhe dedikimin tyre. Godina është në ngjyrën jeshile të shpresës dhe shplodhëse për sytë e çdokujt që është vizitor i përkohshëm apo banor i përhershëm. Në spital ka rreth 200 të shtruar ku 70% e tyre janë të sëmurë kronikë (pjesa dërmuese e të cilëve e përfundojnë jetën aty), ata gdhihen e ngrysen në këtë spital dhe e gjithë jeta e tyre rrotullohet në ato mure, shkallë, stola, mes miqve e shokëve të tjerë në të njëjtën pozitë me ta. Paraditen e kalojnë në oborr, kurse pasditen në dhomë. Për këta të sëmurë janë punësuar 150 veta në strukturën e Spitalit dhe ca të tjerë janë në shërbim të tyre pas privatizimeve të shërbimeve specifike si shërbimi i lavanderisë dhe shërbimi i pastrimit dhe sistem gjelbërimit të territorit të Spitalit. Duhet shërbimi i lavanderisë që të lahen më mirë teshat e të sëmurëve, duhet edhe shërbimi i pastrimit që të përmbushen më mirë kushtet higjieno-sanitare sipas standardeve evropiane. Investimet në Spital janë realizuar në kuadrin e bashkëpunimit me sektorin privat, dhe me ndryshimet që ka pësuar ekonomia shqiptare vitet e fundit, nuk mund të thuhet se ky bashkëpunim është mjaft efiçient dhe efektiv për mirë menaxhimin fondeve publike. Në Spital ka rreth 1 të punësuar për çdo të sëmurë të cilët i kurojnë, i lajnë, i shpëlajnë, i ushqejnë, i argëtojnë, i tregojnë Diellin, Hënën, yjet dhe çdo gjë të bukur në Tokë e në Qiell. Gjatë shëtitjeve në ndërtesë, të shtyrë nga kurioziteti për të analizuar gjendjen në të cilën ndodhen këta të sëmurë, të kap lehtë syri faktin se të vetmit të sëmurë të shtruar në këtë godinë luksoze janë të sëmurë akutë. Këta të sëmurë janë një grup njerëzish që qëndrojnë në spital për rreth 1-2 muaj, të cilët riaftësohen më shpejt dhe përbëjnë 30% të të sëmurëve, të cilët gjenden të shtruar në këtë godinë. Dhe të lind shpejt dyshimi, po pjesa tjetër e të sëmurëve ku janë dhe pse nuk jetojnë në shtëpinë e ndërtuar enkas për ta? Në spital ka bar për të sëmurët, por aty sheh vetëm stafin administrativ dhe njerëz të tjerë të jashtëm, kryesisht familjarë të personave të shtruar. Një ditë, në bar erdhi një i sëmurë mendor, të cilin e përzunë dhe e përbuzën, sepse ai porositi një kafe, të cilën normal që nuk kishte para për ta paguar. Kamerierja e punësuar kishte të drejtë ta dëbonte, pasi bari ishte i lëshuar me qira dhe në botën e biznesit ku ligjet janë të qarta, përfitimi ekonomik është qëllimi primar i investimit. E ndoqa të sëmurin nga pas, me një kafe në dorë për të, dhe mbërrita në ambientin ku ai jetonte, pikërisht në shtëpitë komunitare të spitalit. Realiteti ishte i hidhur. Godinat ishin plot me lagështirë, muret të rëna, dhomat të ftohta dhe aty jetonin shumica e të sëmurëve kronikë, të cilët janë në gjendje të rëndë. Për këta të sëmurë është investuar mbi 600 milionë lekë në 3 vjet ose mbi 5 milionë dollarë, por ata vazhdojnë të jetojnë në mjerim. Çdo vit shtohen fondet, çdo vit shtohen kërkesat për investime për të mbuluar nevojat e tyre bazike dhe rreth 400$ në muaj investohet për çdo të sëmurë ndërkohë rezultati nuk ndryshon. Ky spital të kujton kampet e internimit dhe kur ndodhesh mes tyre kupton, se aty jetohet mes 2 botëve, brenda një territori. Ky spital nuk është ndërtuar për të përmbushur qëllimin e tij primar, përmirësimin e jetesës dhe shërbimit ndaj të sëmurëve, por është ndërtuar për të pasuruar firmat private partnere të Spitalit, të cilët kanë zaptuar të gjithë katin e parë të godinës. Ky spital është ndërtuar për t’i ofruar komoditet stafit që ata të munden të zotërojnë të gjithë energjinë e duhur pozitive për të përmbushur detyrimet specifike të përcaktuara në rregullore. Gjatë kohës që vizitoja këta të sëmurë do doja t’i shpjegoja atyre, se për ta investohet miliona dollarë, se mjerimi i tyre përveç vetes dhe familjarëve të tyre, u ka sjellë shumë begati, mirësi dhe pasuri të tjerëve. Por ata nuk kuptojnë, ata vetëm buzëqeshin dhe kanë vetëm një kërkesë “Më jep një cigare, o Shef!”

Lili DULO
Audituese KLSH
Sigal