Spitali i Vlorës, si kamp përqëndrimi

653
Sigal

Infrastruktura, mitmarrja, pastërtia, krevate dhe dhomat spitalore pa ujë mbeten në gjendje mjerave e të turpshme

Kaos, anarki, mungesë profesionalizmi, mungesë medikamentesh, mungesë shërbimi, korrupsion. Kjo është tabloja me të cilën ndeshet çdo pacient që halli e çon tek Spitali Vlorës. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas ardhjes së drejtueses së re të “Rilindjes”, është ajo situate e cila edhe sot po u nxin jetën qytetarëve të Vlorës dhe ndonjë hallexhiu që rastis atje pas ndonjë aksidenti apo situate tjetër rënduese. Ky shkrim ka marrë spunto nga rasti i një qytetari nga Elbasani i quajtur  I. Çeliku, i cili para 10 ditësh tek kalonte në aksin rrugor Vlorë-Himarë, ka pësuar një aksident të lehtë, dhe ndihmën e parë familjarët e tij menduan dhe kërkuan ta merrnin tek Spitali Rajonal i Vlorës. Pas peripecive me Policinë Rrugore, e cila kërkonte të bënte punën e saj edhe pse i plagosuri kërkonte ndihmën mjekësore, problemet dhe hallet vijuan tek Urgjenca dhe pavijonet e spitalit. Asnjë prej mjekëve dhe infermiereve, nuk  afrohej veç momentit kur konstatuan se “nuk ka asgjë me rëndësi dhe rrezik jete”. Asnjë mjek dhe asnjë infermiere nuk afrohej dhe nuk u përgjigjej familjarëve të 44- vjeçarit I. Çeliku, për t’i bërë atij mjekimin, radiografinë, skanerin dhe gjithçka tjetër që lidhet me shërbimin spitalor. Ishte sanitarja e shërbimit  ajo  që u dhe  familjarëve  një recetë të mbushur me ilaçe  dhe u tha atyre se “shkoni blini tek farmacia në krah të spitalit ilaçet dhe hajdeni t’ ja bëjmë mjekimin”. Ishte një tmerr dhe torturë e paparë. Veç  blerjes  së  ilaçeve,  të cilat kushtuan  mbi 60 mijë lekë, historia vazhdoi duke  paguar  mjekun, infermieret, e sanitaret, radiografinë dhe gjithçka tjetër. Mungesa e medikamenteve dhe shërbimit, e kishte kthyer Spitalin e Vlorës në një kamp përqendrimi. Familjarët tregonin se, “dhomat dhe korridoret ishin të mbushur me pacientë, urgjenca që vinin çdo 20 minuta, një kaos i paparë, mungesë rregulli dhe shërbimi, askush nuk të vinte dhe të prekte me dorë, në rast se nuk paguaje. Do ti mbajmë mend gjatë ato 24 orë që qëndruam atje, njerëzit trajtoheshin si kavie, kurse ne nga rrethet si jashtë tokësorë dhe jo sikur ishim shtetas të këtij vendi”. Ankesave tona  asnjë prej mjekëve dhe personelit nuk i përgjigje, asnjë prej tyre nuk  mori mundimin të merrej seriozisht me rastin tonë. Fakti  është se shërbimi  spitalor mbetet  shërbimi  më  përfolur  në  krejt  sistemin  shëndetësor  në Shqipëri. Kjo situatë padyshim ka ardhur  edhe si  pasojë  edhe mosndëshkimit të  ish-drejtuesve të spitaleve në rrethe, të cilët  pasi vodhën dhe  shkatërruan  gjithçka  sot  madje disa  prej tyre mbajnë edhe poste  të reja  drejtuese.  Shërbimi spitalor në shkallë vendi mbetet në krizë totale, me mungesë të theksuar medikamentesh, personeli, profesionalizmi, pajisjesh, etike, dhe gjithçka  tjetër  që sot propagandon  me  të madhe Ministria e Shëndetësisë dhe  kreu i saj, Beqja. Asgjë  nuk ka ndryshuar, pasi  medikamentet  blihen  nga pacienti  dhe familjarët në farmacitë që lidhen me mjekun, korrupsioni mbetet në shkallën më të lartë dhe ka krijuar sistemin e tij të imunitar, infrastruktura  spitalore mbetet  mjerane  si në  mesjetë, në dhomat e pavionëve mungon uji, pastërtia, krevatet, batanijet dhe çarçafët. Por sikur të mos mjaftonin këto, mitmarrja  është fenomeni që  tashmë  po bëhet  hapur fare në spitalet tona. Rasti në spitalin e Vlorës, është  vetëm një fluskë e vogël  moçali  në  kënetën e pistë në të cilën janë zhytur sot  shërbimi spitalor  në Shqipëri. Praktika  e mosndëshkimit  të  mjekut dhe  drejtuesit që abuzon me detyrën, abuzon  me  paratë e spitaleve, me fondet  dhe ndihmat   humanitare  që  vazhdojnë të vijnë nga jashtë, është kthyer në  “edukatë  pune” edhe për  stafin e ri të Ministrisë Shëndetësisë.  Rastet e denoncuara nga media  duhet t’i shërbejnë ministrit  Beqja për t’i hyrë një analize të thellë të situatës në të cilën po katandiset  shërbimi  shëndetësor dhe veçanërisht  ai  spitalor në Shqipëri. Mjekët  janë  kthyer në biznesmenë, ata  luajnë poker me jetën  e njeriut, pasurohen  me para të pista, blejnë vila, pallate dhe bëjnë  pushime  luksi  edhe pse denoncohen  për  korrupsion. Por  duket se këtë situatë  zoti  Beqja ka vendosur  ta  ndryshojë me takime pune, të cilat zakonisht ka nisur t’i bëjë me vartësit e tij në MSH në fundjavë.